Arbëri

Premtimet e parealizuara të Podujevës

Ua zënë vendin këmbësorëve duke parkuar veturat në trotuare.

Në mungesë të parkingjeve publike, qytetarët po ankohen se ky është problemi kryesor në qendër të qytetit, gjë që po u paraqet probleme të mëdha.

Megjithëse është premtuar shumë herë, ende nuk është zgjidhur ky problem.

“Përballemi me parkingje, rrugët janë shumë të ngushta, bëhet shumë komunikacion dhe mendoj që kryetari i ardhshëm duhet t’i zgjidhë këto” thotë një qytetar.

“Të hiqen veturat prej rrugës se po parkohen kudo”, thotë tjetri.

Ndërtimi i parkingut publik ishte edhe premtim i kryetarit aktual, i cili erdhi vitin e kaluar në pushtet.

Krahas kësaj ishte premtuar edhe zgjerimi i rrugëve të qytetit, i cili do të ndihmonte në riorganizimin e trafikut në komunikacion.

Ndërsa në hyrje të Podujevës krijohen çdo ditë kolona të gjata. Zvarritja e punimeve për pesë vjet me radhë në rrugën nacionale Prishtinë-Podujevë po krijon vështirësi të mëdha për qytetarët.

“Përballemi me rrugën Prishtinë-Podujevë, ajo është një katastrofë. Kur është dhënë premtimi. Jo për neve, por më së keqi është kur vijnë mërgimtarët, ata vijnë për pushime e punimet fillojnë pikërisht në këtë kohë. Kush donë qelë parking, kushdo jo”, deklaron një qytetar. “Problemi kryesor është rruga Prishtinë-Podujevë, po vijnë mërgimtarët çdoherë po janë duke punuar. Me rëndësi është që ata të mos kenë problem. Gjithkund kemi problem me parkingje, prej Prizrenit e deri këtu.”

Përveç këtyre problemeve Podujeva nuk ka as spital të qytetit. Në mungesë të tij bëhet komuna e dytë pas Prishtinës barrë për QKUK-në.

Premtimi për ndërtimin e këtij spitali është shfrytëzuar ndër vite për joshje të votës si në zgjedhje qendrore po ashtu edhe në ato lokale.

“Ajo çka ka ndodh me spitalin e Podujevës, në kohën kur nevoja për këtë spital në Podujevë është shfrytëzuar për kampanja parazgjedhore, qeveria qendrore ka qenë të së njëjtës linjë politike, njëjtë si qeveria e atëhershme e nivelit lokal. Çka ka ndodh, nuk është futur në buxhet, nuk është adresuar kjo nevojë e qytetarëve. Ne si KDI në dhjetor kur është publikuar buxheti kemi bërë reagim publik që nuk është përfshi në buxhet”, thotë Diana Metushi-Krasniqi nga KDI-ja.

Ndryshe, sipas Institutit GAP, Komuna e Podujevës në tre vjetët e fundit asnjëherë nuk është kualifikuar për grantin e performancës. Madje kjo komunë gjithnjë është vlerësuar e fundit. Në vitin 2020 performanca mesatare e Komunës së Podujevë në 29 indikatorët e vlerësuar është 37 pikë nga gjithsej 96 pikë të mundshme (38.54%).