Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, ka nisur vizitën zyrtare në Kosovë, në kuadër të turneut të tij në vendet e Ballkanit Perëndimor. Vizita e tij ishte paralajmëruar disa ditë më parë. Vizita e Presidentit të Këshillit Evropian po ndodh në një periudhë të rëndësishme për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Bashkimi Evropian, ndërsa në qendër të diskutimeve pritet të jenë procesi i integrimit evropian, reformat demokratike, dialogu rajonal dhe perspektiva e zgjerimit të BE-së.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoGjini pas takimit me Costan: BE dhe NATO, orientimi i vetëm strategjik
Kandidati për kryeministër dhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, ka bërë të ditur se ka zhvilluar takim me presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa, në vazhdën e takimeve të Costës me liderë politikë gjatë vizitës në Kosovë.
Siç ka njoftuar AAK-ja, Gjini gjatë takimit ka riafirmuar pozicionin e palëkundur të AAK-së për rrugëtimin euroatlantik të vendit, duke theksuar se për Kosovën, Bashkimi Evropian dhe NATO mbeten orientimi i vetëm strategjik dhe pa alternativë.
Ai vlerësoi se Kosova ka ende reforma dhe obligime për të përmbushur në rrugën drejt integrimit, duke nënvizuar nevojën për institucione të forta dhe stabile.
“Vendi ynë ka humbur mjaft kohë pa institucione funksionale”, theksoi Gjini, duke shtuar se pas rezultatit të zgjedhjeve pritet të qartësohen hapat e ardhshëm dhe plani i punës për të ardhmen e vendit.
Costa: BE-ja s’mund t’ia kryejë detyrat e shtëpisë Kosovës
Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, e ka lavdëruar Kosovën për harmonizimin vullnetar të politikës së jashtme të saj me atë të Bashkimit Evropian. Costa ka thënë se ky është sinjal i qartë i orientimit strategjik të Kosovës.
Në konferencë për media në Prishtinë, Costa ka pasur edhe një mesazh të qartë për liderët politikë të Kosovës para zgjedhjeve të 7 qershorit e ka thënë se këtë mesazh ua ka thënë edhe liderëve në takim me ta.
“Derisa Kosova mbanë zgjedhjet këtë fundjavë, mesazhi im për të gjithë liderët politikë që i takova sot ishte i thjeshtë, partneritetit vjen me përgjegjësi. Bashkimi Evropian mund ta mbështes Kosovën, por nuk mund t’ia kryej Kosovës detyrat e veta. Kosovës i duhen institucione të forta, stabile dhe funksionale të afta për të kryer reforma dhe t’i shfrytëzojë mundësitë që Bashkimi Evropian i ofron”, tha Costa.
Costa ka folur edhe për dialogun Kosovë – Serbi. Ai ka thënë se normalizimi i marrëdhënieve është thelbësor për rrugën evropiane si të Kosovës ashtu edhe Serbisë. Costa ka thënë se duhet të sigurohet që të zbatohet plotësisht marrëveshja e Brukselit dhe aneksi i Ohrit.
Ai po ashtu ka thënë se Samiti i liderëve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në Tivat të Malit të Zi të premten do të jetë moment i rëndësishëm.
Costa në konferencë është pyetur lidhur me pesë shtetet e BE-së që nuk e njohin Kosovën e po ashtu nëse do të rifillojë dialogu me takim të nivelit të lartë, pasi nuk ka pasur takim që nga sulmi terrorist në Banjskë më 24 shtator të vitit 2023.
Sa i përket pengesës së pesë shteteve mosnjohëse, Costa ka thënë se duhet shkuar hap pas hapi.
“Secili problem e ka kohën e vet. Jemi pajtuar në agjendën e reformave, në procesin drejt anëtarësimi në BE. Është shumë e rëndësishme që Kosova hap pas hapi të japë rezultate te ato që jemi pajtuar. Vlerësimi është që në fund të procesit më s’do të kemi asnjë problem nga ana e BE-së. Ajo që duhet për momentin është ky konsensus i madh i kombëtar në lidhje me anëtarësimin në BE, e kjo mund të përkthehet në veprime konkrete”, tha Costa.
E për çështjen e mungesës së takimeve të nivelit të lartë në kuadër të dialogut, Costa tha se duhet shikuar nga e ardhmja dhe jo nga e kaluara. Ai tha se BE-ja është projekt i paqes dhe është ndërtuar si i tillë.
"Ajo çka po them këtu është e njëjta që do e them edhe në Beograd dhe nëse është e rëndësishme që ju përfshiheni në dialog, është esenciale që edhe Beogradi të përfshihet në dialog dhe për këtë, sigurisht, secili duhet të jetë në mirëbesim dhe të njohë atë që duhet njohur por të fokusohen në të ardhmen”, deklaroi Costa.
Abdixhiku takon Costan: Kosova duhet të jetë në mesin e kombeve evropiane, për këtë duhen institucione stabile
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se në takimin që e ka zhvilluar me presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, kanë diskutuar për hapat që do të ndërmarrin në mënyrë që Kosova të ecën përpara drejt integrimit evropian.
“Përgjatë këtij takimi jashtëzakonisht pozitiv, diskutuam për hapat që do të ndërmarrim në mënyrë që Kosova të ecën përpara drejt integrimit evropian, nëpërmjet statusit të kandidatit për anëtarësim në BE dhe zbatimit të Planit të Rritjes”, ka shkruar Abdixhiku në Favebook.
Ai ka thënë se Kosova duhet të jetë në mesin e kombeve evropiane dhe për këtë sipas tij duhen institucione stabile.
“Kosova duhet të jetë aty ku e meriton, në mesin e kombeve të lira evropiane, e për këtë duhen institucione stabile, të përgjegjshme e që zgjedhin rrugën euro-atlantike në çdo rrethanë”, ka shkruar Abdixhiku.
Në takim me Costan ka marrë pjesë edhe bartësja e listës së LDK-së në zgjedhjet e 7 qershorit, Vjosa Osmani.
Çitaku-Costas: Kosova e ka vendin në Evropë, jo vetëm gjeografikisht por edhe politikisht
Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, së bashku me Shefin e Kabinetit të kryetarit të PDK-së, Ardian Arifaj, kanë zhvilluar një takim me Presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa, në prag të zgjedhjeve të 7 qershorit.
Përmes një njoftimi, Çitaku bëri të ditur se gjatë takimit është diskutuar për sfidat me të cilat përballet Kosova, si dhe për potencialin dhe perspektivën e saj evropiane.
Ajo theksoi se në prag të zgjedhjeve ka riafirmuar bindjen se Kosova duhet të vazhdojë rrugëtimin e saj me besim, stabilitet dhe partneritet të ngushtë me aleatët evropianë.
“Vendi ynë e ka vendin në Evropë, jo vetëm gjeografikisht, por edhe politikisht, institucionalisht dhe në vlerat e përbashkëta që ndajmë”, ka deklaruar Çitaku.
Costa: Kosovës i nevojiten institucione të forta dhe zbatim i dialogut për avancimin drejt BE-së
Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, ka deklaruar se Kosova ka nevojë për institucione të forta, stabile dhe funksionale e të afta për të zbatuar reformat e nevojshme dhe për të përfituar nga mundësitë që ofron Bashkimi Evropian.
Sipas tij, nevojitet përmbushja e obligimeve të dialogut me Serbinë.
“Kosova ka nevojë për institucione të forta, stabile dhe funksionale, të afta për të zbatuar reformat, për të shfrytëzuar mundësitë që ofron Bashkimi Evropian dhe për të përmbushur të gjitha obligimet e Dialogut Beograd-Prishtinë”, ka shkruar Costa në "X" para takimeve të zhvilluara me krerët institucionalë në Prishtinë.
Ai më tej ka bërë thirrje për unitet politik rreth procesit të integrimit evropian.
“Mesazhi im është i thjeshtë: partneriteti ynë vjen me përgjegjësi”, deklaroi Costa, duke inkurajuar liderët politikë që integrimin evropian ta vendosin në qendër të agjendës së tyre, përtej dallimeve dhe përplasjeve politike.
Sipas tij, procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian duhet të jetë një objektiv i përbashkët kombëtar, i cili kërkon bashkëpunim dhe angazhim nga të gjitha forcat politike në vend.
Vizita e Costas në Prishtinë po ndodh në kuadër të turit të tij në Ballkanin Perëndimor dhe në një kohë kur Bashkimi Evropian po kërkon të përshpejtojë procesin e afrimit të vendeve të rajonit me bllokun evropian.
Kurti kërkon statusin e kandidatit në takim me Costan: Kosova e rreshtuar me politikën e jashtme të BE-së
Kryeministri në detyrë Albin Kurti, pas takimit me Presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa, në kuadër të vizitës së tij në Kosovë, dy ditë para Samitit Bashkimi Evropian–Ballkani Perëndimor në Tivat, ka njoftuar se është diskutuar për bashkëpunimin me institucionet e Bashkimit Evropian, sigurinë dhe rëndësinë e fqinjësisë së mirë në funksion të bashkëpunimit rajonal.
Në njoftimin e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit është bërë e ditur se në takim Kurti ka folur për përkushtimin e Qeverisë ndaj reformave që derivojnë nga Plani i Rritjes dhe instrumentet e tjera të para-anëtarësimit, duke nënvizuar rëndësinë e marrjes së statusit kandidat.
“Kosova është rreshtuar plotësisht me politikën e jashtme të BE-së, ka dënuar luftën agresive të Federatës Ruse ndaj Ukrainës në termat më të ashpër dhe i është bashkuar të gjitha sanksioneve të BE-së kundër Rusisë”, thuhet më tej në njoftim.
Më tej është shprehur gatishmëria që vendi ta marrë statusin kandidat, si dhe për hapjen e negociatave.
Nis takimi mes Kurtit dhe Costas
Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, ka nisur takimin me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, pas takimit me ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu.
Pas Kurtit, pritet të takohet me përfaqësues të partive politike.
Costa ka nisur një seri vizitash në vendet e Ballkanit Perëndimor. Ai të hënën tha se zgjerimi i Bashkimit Evropian është mundësi reale për shtetet e Ballkanit.
Costa-Haxhiut: Integrimi në BE kërkon konsensus politik në Kosovë
Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, ka pritur të martën në takim Presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa, në kuadër të vizitës së tij në Ballkanin Perëndimor dhe përpara Samitit BE-Ballkani Perëndimor, i cili do të mbahet në Tivat.
Në këtë takim, sipas njoftimit të lëshuar nga Zyra e Presidentes, Haxhiu ka thënë se për Kosovën, anëtarësimi në Bashkimin Evropian mbetet orientim strategjik, zgjedhje politike e qytetarëve dhe interes afatgjatë shtetëror.
“U.d. Presidentja Haxhiu nënvizoi se Kosova mbetet një nga shoqëritë më proevropiane në rajon. Për qytetarët e saj, Bashkimi Evropian është bashkësi e demokracisë, sundimit të ligjit, paqes dhe dinjitetit. Në një kohë ndikimesh të dëmshme në rajon, orientimi i qartë dhe i rrënjosur evropian i Kosovës duhet të shihet si vlerë për vetë Bashkimin Evropian”, thuhet në njoftim.
Më tej bëhet e ditur se në takim është diskutuar edhe për rrugën evropiane të Kosovës, për nevojën e avancimit të procesit të integrimit, si dhe për rëndësinë e zbatimit të reformave që lidhen me Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
“U.d. Presidentja Haxhiu theksoi se Kosova e sheh këtë Plan si mundësi konkrete për zhvillim ekonomik, për afrim me tregun e përbashkët evropian dhe për përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët”, thuhet në komunikatë.
Ndërkaq, Costa thuhet se ka theksuar çështjet që lidhen me integrimin në BE dhe zbatimin e Planit të Rritjes, që sipas tij, kërkojnë pajtim ndërpartiak dhe konsensus kombëtar në Kosovë, përtej dallimeve politike dhe partiake.
Costa nis vizitën në Kosovë, takon Haxhiun
Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, ka nisur vizitën e tij zyrtare në Kosovë.
Ai është takuar me ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu.
Pas këtij takimi, Costa pritet të takohet edhe me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, dhe përfaqësues të partive politike.
Costa ka nisur një seri vizitash në vendet e Ballkanit Perëndimor. Ai të hënën tha se zgjerimi i Bashkimit Evropian është mundësi reale për shtetet e Ballkanit.