Tek në fund të këtij viti pritet të vijnë 30 autobusët e rinj të “Trafikut Urban”, kanë bërë të ditur drejtuesit e kësaj ndërmarrjeje. Kjo do të ndodhë katër vjet pas sigurimit të një kredie prej 10 milionë eurosh nga BERZH-i për blerjen e tyre. Drejtuesit e “Trafikut Urban” janë arsyetuar se vonesat kanë qenë shkaku i bllokadës institucionale dhe procedurave administrative
Kryeqyteti është në pritje, që nga viti 2022, të autobusëve të rinj për “Trafikun Urban”.
Me të marrë drejtimin e kryeqytetit, kryetari Përparim Rama pati premtuar prurjen e autobusëve të rinj duke thekuar se 6 prej tyre do të jenë elektrikë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoPor “bllokada institucionale e procedurat administrative”, janë ndër faktorët kryesorë që drejtuesit e “Trafikut Urban” thonë se kanë ndikuar të vonohet sjellja e 30 autobusëve të rinj.
“Shumica e vonesave kanë qenë kryesisht procedura administrative. Procedurat me BERZH-in (Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim v.j.) ndonjëherë i quajmë burokratike, mirëpo vonesat kanë ndodhur edhe për shkak të ndërrimit të pushteteve, por kemi arritur t’i menaxhojmë dhe tani jemi në fazën finale të këtij procesi”, ka thënë Qendrim Vitija, kryeshef ekzekutiv në “Trafikun Urban”.
Sipas tij, autobusët e rinj pritet të arrijnë brenda këtij viti.
“Për dy javë ne jemi të gatshëm të nënshkruajmë kontratën, por pas nënshkrimit të kontratës ka afate ligjore për ardhjen e autobusëve. Besoj që këtë vit përfundimisht do të ketë autobusë të rinj për ‘Trafikun Urban’”, ka thënë Vitija.
Kryetari Rama është kritikuar nga opozita në Kuvendin Komunal të Prishtinës për mosplotësimin e kushteve për sjelljen e këtyre autobusëve.
“Janë dhënë vazhdimisht premtime për ardhjen e autobusëve të rinj, por asnjë prej këtyre nuk është realizuar deri në fund të mandatit. Kjo lidhet drejtpërdrejt me mosplotësimin e kushteve të partnerëve ndërkombëtarë, përkatësisht BERZH-it, përfshirë çështje bazike si shfrytëzimi i pronës dhe modernizimi i sistemit të biletave”, ka thënë Berita Abazi-Muhadiri, asambleiste e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) në Kuvendin Komunal të Prishtinës.
Në Drejtorinë e Mobilitetit në Komunën e Prishtinës kanë shpjeguar se si do të funksionojnë linjat urbane.
“Linjat janë dizajnuar për transportin publik, që e përfshin operimin e operatorit publik dhe operatorëve privatë nga konsulenca dhe janë përfunduar në muajin shtator 2025. Do të jenë 30 linja gjithsej që mbulojnë të gjithë pjesën urbane dhe zonat rurale. Reforma do të bëhet në dy faza: 8 nga 30 linja janë lëshuar në shtator 2025, ndërsa 22 linja të tjera do të lëshohen brenda vitit 2026”, thuhet në një përgjigje të kësaj drejtorie.
Kjo lëvizje është kritikuar nga asambleistja e LVV-së në Prishtinë, Berita Abazi-Muhadiri, duke thënë se mungon planifikimi serioz.
“Në vend të një planifikimi serioz, gjatë fushatës së kaluar zgjedhore u shtuan disa linja me operatorë privatë nga kryetari Përparim Rama, krejt kjo për efekt elektoral, duke mos e zgjidhur problemin e qytetarëve të Prishtinës dhe duke mos ofruar shërbime cilësore”, ka thënë ajo.
Sipas kësaj asambleisteje, “Trafiku Urban” në Prishtinë është bërë strehë punësimi për militantët partiakë të LDK-së dhe PDK-së.
“Trafiku Urban” funksionon me 51 autobusë, të cilët kanë nisur operimin gjatë viteve 2017-2019. Në atë kohë ish-kryetari Shpend Ahmeti, i cili duke u thirrur në planin e mobilitetit, pati thënë se duhen 160 autobusë për t’i mbuluar të gjitha linjat në kryeqytet.
(Elda Islami)