Po vazhdojnë pritjet e gjata të qytetarëve të Prishtinës për shërbime në sportelet për tatim në pronë.
Pritjet me orë të tëra në Komunën e Prishtinës duhet t’i përballojnë edhe mërgimtarët, të cilët i kanë ditët e caktuara të qëndrimit në Kosovë.
Komuna e Prishtinës nuk ka ndërmarrë asgjë për lehtësimin e pritjeve të bashkatdhetarëve, ashtu siç kanë bërë shumë komuna të tjera të vendit.
Disa komuna kanë hapur sportele të veçanta për mërgimtarët për t’i kryer më shpejt shërbimet, e disa të tjera kanë lëshuar parkingjet pa para për ta, por asnjërën nga këto gjëra nuk e ka bërë Prishtina.
Në një përgjigje, drejtoria e Financave thotë se një gjë e tillë nuk është bërë pasi nuk ka shumë kërkesa të mërgimtarëve për kryerjen e këtyre shërbimeve. Ndërsa ndihmë atyre u ofrohet përmes emailit.
“Fillimisht jua sqarojmë se në sportele për shërbim me qytetarë, për tatim në pronë, kryhen shërbimet për vërtetim të pagesës, për tatim në pronë, që u duhet për shërbime në drejtori të tjera (si Kadastër dhe Urbanizëm, etj.), si dhe lëshohet taksa rrugore. Si drejtori, nuk kemi ndarë sportel të veçantë për mërgimtarët, pasi nuk kemi kërkesa të shumta të bashkatdhetarëve për këto shërbimet e lartcekura. Ndërsa, sa u përket çështjeve të tjera për tatim në pronë, si drejtori kemi vendosur që nga vitet e mëhershme që të gjitha kërkesat dhe ankesat e tyre për pronat e paluajtshme të merren parasysh jashtë aftit ligjor edhe përmes komunikimeve përmes postës elektronike dhe pra janë shqyrtuar dhe shqyrtohen me prioritet dhe atë në afatin kohor sa më të shkurtër. Gjithashtu, kemi përgatitur broshurën (udhëzuesin e bashkëlidhur), ku janë të gjitha informatat e nevojshme për tatim në pronë, si për tatimpaguesit e Prishtinës, ashtu edhe për tatimpaguesit që kanë pronë në Prishtinë, e që jetojnë jashtë Kosovës. Komunikimi ynë me mërgimtarë bëhet përmes postës elektronike, (email adresë e sektorit të tatimit në pronë) dhe për çdo informatë të kërkuar ne përgjigjemi dhe sqarojmë çdo gjë lidhur me tatim në pronë”, thuhet në përgjigjen e kësaj drejtorie.
Por, qytetarët e Prishtinës, për të cilët pritjet po janë të papërballueshme në këto ditë të nxehta, mendojnë se duhet të bëhet një zgjidhje e veçantë për qytetarët që jetojnë jashtë Kosovës.
Ndërkohë, viteve të kaluara, Prishtina rriste kapacitet gjatë verës derisa këtë herë duket se përparësi kanë pushimet verore.