Arbëri

Prokuroria kërkon paraburgim për 23 të arrestuar për manipulim me vota në Prizren

Prizren

Sjellja në Gjykatë e të ndaluarve

(E përditësuar 16:58) - Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar paraburgim për 23 nga 109 të arrestuar për manipulim me vota në Prizren, ka bërë të ditur zëdhënësi i Gjykatës Themelore, Marcel Lekaj.

21 të pandehur dyshohen se si kryesues të Komisionit në Qendrën Komunale të Numërimit kanë falsifikuar rezultatet.

Një kryekomisioner përveç falsifikimit të rezultateve, dyshohet edhe për marrje ryshfeti.

E një vëzhgues akuzohet për dy vepra penale, “Kanosje” dhe “Dhënie ryshfeti”.

Deri tash kanë përfunduar dy seanca, ndërsa dy të tjera janë në zhvillim e sipër. 

PAMJE:


Deri tash është kërkuar paraburgim për 11 të ndaluar për manipulim votash në Prizren

(E përditësuar 14:28) - Zëdhënësi i Gjykatës Themelore në Prizren, Marcel Lekaj, ka thënë se deri tash kanë pranuar katër kërkesa për 11 persona për t’i caktuar masën e paraburgimit lidhur me dyshimet për manipulim votash.

Lekaj ka bërë të ditur se deri tash janë caktuar dy seanca dëgjimore për caktimin e masës së sigurisë për disa prej të ndaluarve, njëra në orën 14:00 dhe tjetra në orën 15:00.

“Jemi ende duke pranuar kërkesa. Varësisht prej kërkesave, caktohen edhe seancat dëgjimore. Janë caktuar katër gjyqtarë kujdestarë që do të presin pranimin e kërkesave për masat e sigurisë”, ka thënë Lekaj.

Në total, janë ndaluar 109 persona.


Kërkohet paraburgim për disa prej të ndaluarve për manipulim votash në Prizren

(E përditësuar 13:15) - Prokuroria Themelore në Prizren deri tash ka kërkuar masën e paraburgimit për nëntë nga 109 të ndaluarit për dyshimet për manipulime me vota, ka mësuar KOHA nga burimet.

Paraburgimi është kërkuar përmes dy kërkesave.

KOHA ka mësuar se edhe katër kërkesa janë në përgatitje.

Seanca dëgjimore për caktimin e masës së sigurisë pritet të nisë nga ora 14:00.


Pritet t’u caktohet masa e sigurisë 109 të arrestuarve për manipulim të votave

(11:45) - Sot, 24 janar, pritet të mbahet seanca dëgjimore për caktimin e masës së sigurisë ndaj 109 të arrestuarve për manipulim me vota në Komunën e Prizrenit nga zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Gjykata Themelore në Prizren ka njoftuar se ga ora 14:00, nis seanca me qëllim të organizimit dhe mbarëvajtjes së procesit, por theksoi se ende nuk ka përfunduar procesi i pranimit të kërkesave nga Prokuroria Themelore Prizren për caktimin e masës së sigurisë, pra ende nuk është përfundimtare numri i kërkesave të pranuara dhe për numrin e personave për të cilët do të kërkohet masa e sigurisë.

109 persona u arrestuan të premten për vepra penale të falsifikimit të rezultateve zgjedhore, presion e kanosje dhe dhënie e marrje të ryshfetit. Sipas Prokurorisë Themelore të Prizrenit, mbi 40 mijë vota janë shtuar e mbi 27 mijë janë hequr.

Kryeprokurori i Prizrenit, Petrit Kryeziu, ka thënë një ditë më parë se manipulimi me vota nuk do të ishte i mundur pa kompromis midis komisionerëve të deleguar nga katër partitë më të mëdha politike.

“Në regjionin tonë ato që janë numëruar nga subjektet politike në QKN është vetëm një vendvotim që ka dalë e pakeqpërdorur. Në Komunën e Prizrenit, 40,497 vota janë shtuar e janë hequr 27,520 vota. Diferenca totale e keqpërdorimeve është 68,017 vota”, ka thënë Kryeziu.