Pritjet duhet t’i bëjnë në oborr të Komunës në temperatura mbi 30 gradë. Këtë javë pritjet kanë qenë në më shumë se 1 orë dhe numri i pritjeve deri në 149 veta.
Për këtë fluks të lartë të qytetarëve ka pak punëtorë në sportele. Shumë prej tyre nuk kanë arritur të marrin taksën rrugore dhe as të paguajnë tatimin në pronë, për të proceduar me regjistrim të veturave.
“Ne po presim deri të kryhen 250 numra, nëse nuk kryhen atëherë presim kot, ne si qytetarë nuk po e dimë a të presim kot a të presim me shpresë që do kryhen këta të tjerë, por krejt varet prej zyrtarëve. Me pagua tatimin me regjistrua kerrin. Pa regjistrim nuk kemi të drejtë të vozisim, kështu e hamë dënimin, pastaj kështu që jemi të dënuar për kohën e humbur dhe jemi të dënuar në rast se nuk e regjistrojmë veturën. Kjo puna e taksës, vërtetimi i taksës për shumë qytetarë është një anomali kur janë mënyra të tjera për pagesën e taksës e s’po më duken këto të arsyeshme”, ka thënë një qytetar.
Që nga ora 7 e mëngjesit, ende pa nisur punën ofiqaria, qytetarët vijnë për të marrë numrat.
Ata po kërkojnë heqjen e këtij kushti për regjistrimin e veturës.
“Kam ardhur para dy ore për një taksë komunale që duhet ta nxjerri për automjet dhe më thanë që nuk ka numra tani dhe me thanë duhet të vijë në ora 1 e 30. Unë erdha e tash më thanë jo janë harxhuar përsëri. Kam qenë të enjten, kam qenë të premten e në ora 7 po i shpërndajnë numrat pastaj s’po ka më. Ne nuk kemi lidhje me këtë komunë, unë jam i Podujevës, e kemi një firmë në Fushë-Kosovë e kemi kontratën që jemi aty dhe kjo nuk ka të bëjë me tatim të Prishtinës, por ta lypin. Kur të vish këtu s’ta japin numrin. Hera e tretë sot që vij. Kam qenë edhe të enjten, edhe të premten. Kjo është shumë e thjeshtë, jepja taksës 10 euro paguaje me tatim, paguaje se s’kanë qare pa e paguar se ka kaluar koha kur nuk është paguar taksa. Kjo taksë duhet të paguhet në qendrën e regjistrimit dhe mjetet të vijnë në Komunë, shumë e thjeshtë”, është shprehur një tjetër.
Për këtë ka reaguar edhe ish-ministri i Drejtësisë nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Selim Selimi, duke kritikuar përmes Facebookut pritjet e gjata të qytetarëve.
Por drejtoresha e Administratës në Prishtinë, Vasilika Zotaj-Asllani, e cila po ashtu vjen nga radhët e AAK-së, thotë se kanë punuar në këtë drejtim.
“Vazhdimisht jemi duke u munduar të gjejmë mënyrën për funksionimin më të mirë të ofrimit të këtij shërbimi. Ne si administratë dhe Drejtoria e financave kemi ndarë sportelet për qytetarët nga sportelet ku afrohet shërbimi për kompanitë e sigurimit. Puna po shkon mirë. Mendoj se në një kohë të afërt do të shkojë akoma më mirë”, është shprehur ajo.
Avokati i Popullit në vitin 2017 e ka quajtur kushtëzimin për pagesën e tatimit në pronë si të paligjshme. Me këtë rast pati rekomanduar Ministrinë e Financave për ndryshimin e Udhëzimit Administrativ që ka të bëj me kushtëzimin e qytetarëve për pagesën e tatimit në pronë.
Por kjo e fundit ende nuk ka bërë një ndryshim të tillë. Që atëherë ende janë duke punuar në ndryshimin e saj.
“Projekt-rregullorja mbi Pezullimin e Shërbimeve Komunale për mbledhjen e detyrimeve të papaguara të tatimit në pronë është në procedurë. Gjithashtu ju njoftojmë se ne e kemi marrë në konsideratë konstatimin e Avokatit të Popullit”, ka thënë Muharrem Shahini, zyrtar për komunikim në Ministrinë e Financave.