Arbëri

Punëtorët e KEK-ut thonë se s’do t’i ndalin protestat për rritje pagash dhe pagën e 13-të

Kryetari i Sindikatës së KEK-ut, Nexhat Llumnica, ka deklaruar se pavarësisht premtimeve të mëhershme, kërkesat e punëtorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) për rritje të pagave po injorohen nga menaxhmenti dhe Bordi i KEK-ut. 

Ai ka thënë se që nga fillimi i vitit sindikata ka kërkuar trajtim të barabartë me sektorin publik, ku në korrik u realizua rritja e pagave, ndërsa në KEK u dha vetëm një bonus, pa rritje bazë.

“Që nga fillimi i vitit kemi pasur kërkesë për rritje të pagave siç e ka pasur edhe sektori publik, ku është bërë një rritje e pagave në korrik, te ne është bërë një bonus por jo edhe rritje e pagave, faktikisht edhe atëherë Bordi dhe menaxhmenti i KEK-ut thanë se e kemi performancën e mirë dhe në fundvit do të shikojnë mundësinë për ngritje të standardit të punëtorëve, ne u dakorduam atëherë por nuk gjetëm gjuhë të përbashkët në dialog dhe u desh të bënim protestë, pas protestës KEK-u ka dalë me një komunikatë që nuk ka asgjë dhe ranë në kontradiktë me atë që e kanë thënë në korrik, duke thënë se kemi investime dhe performancë jo të mirë. Pra prej korrikut deri në dhjetor paska ndryshuar situata drastikisht dhe paska keqmenaxhim sipas tyre”, është shprehur ai në një deklaratë dhënë emisionit “SOT” në KTV. 

Llumnica ka theksuar se investimet strategjike nuk mund të konsiderohen humbje dhe nuk duhet të përdoren si justifikim për të mos rritur pagat.

“Ne kërkesën për ngritje pagash nuk do të lejojmë që të anashkalohet pa marrë parasysh investimet. Investimet strategjike nuk janë humbje, janë profit dhe nuk mund të arsyetohet në këtë mënyrë menaxhmenti i KEK-ut”, ka theksuar Llumnica.

Ai ka ngritur edhe shqetësimin për mosrealizimin e pagës së 13-të për punëtorët e KEK-ut, e cila është premtuar për sektorin publik, duke e quajtur të papranueshme dhe të turpshme përjashtimin e punëtorëve që, sipas tij, prodhojnë energji dhe të ardhura për vendin.

“Ne kemi edhe shumë kërkesa të tjera, siç është paga e 13-të që është premtuar për sektorin publik dhe nëse premtohet për këtë sektor që marrin para prej qeverisë, e jo për punëtorët e Korporatës Energjetike të Kosovës që prodhojnë dritë dhe para, atëherë është diçka e papranueshme dhe e turpshme ta përmendim që nuk jepet paga e 13-të”, ka theksuar Llumnica.

Kryesindikalisti i KEKut ka paralajmëruar se protestat do të vazhdojnë derisa menaxhmenti i korporatës të tregojë gatishmëri për të dëgjuar kërkesat e punëtorëve.

“Po mendoj se nuk e kanë ndërmend të dëgjojnë për kërkesat e punëtorëve, mirëpo ne do të vazhdojmë me kërkesat tona, me protestat tona sepse kjo vetëm sa do t’i vë në pah ato probleme që i ka KEK-u sot dhe në realitet është edhe beneficion i punëtorëve, por edhe ato çka nuk ecin mirë do të dalin në pah përmes protestave. Paga më e ulët për punëtorët e KEK-ut do të duhej të ishte rreth një mijë euro në mënyrë që të jetë e dinjitetshme dhe të ketë motiv ta mbajnë këtë kuadër të teknikëve dhe inxhinierëve në KEK sepse ata kanë punësuar njerëz të rinj, por po ikin nga vendi i punës”, ka thënë tutje ai.