Arbëri

Punëtorët e sigurimit në QKUK, të mbetur pa punë, paralajmërojnë grevë

Pas vendimit të OSHP-së, QKUK-ja e ka shkëputur kontratën e lidhur para më shumë se dy muajsh për sigurimin fizik të objekteve, e kjo ka bërë që rreth 280 punëtorë të mbesin pa punë. Për këtë, ata kanë protestuar sërish para administratës së QKUK-së, duke paralajmëruar edhe grevë nëse deri të premten nuk gjendet ndonjë zgjidhje për ta

Edhe të hënën punëtorët e sigurimit në Qendrën Kklinike e Universitare të Kosovës (QKUK) janë mbledhur para administratës për të protestuar.

Shkak për këtë është dështimi i tenderit për sigurimin fizik dhe mosvazhdimi i kontratave të tyre nga kompania private.

Punëtorët kanë kërkuar kthim në vendet e punës dhe kushte më të dinjitetshme nga drejtoria e QKUK-së. Kanë paralajmëruar edhe grevë në rast se nuk gjendet një zgjidhje për ta.

Gjatë protestës, të hënën, pati edhe përplasje mes punëtorëve dhe kryetarit të Sindikatës së Sektorit Privat, Jusuf Azemi, për shkak të mospajtimeve dhe mungesës së qartësisë. 
Avni Dibrani, punonjës sigurimi, ka thënë se të gjithë po kalojnë gjendje të rënduar ekonomike.

“Edhe pse kemi kontratë, askush nuk po na paguan. Kam obligime mujore dhe kredi për të shlyer. Jam kryefamiljar. Nesër thonë ka protestë, por jam në Skenderaj, s’kam me çka të vij”, ka thënë Dibrani.

E punonjësi tjetër, Fehmi Hajdari, është ankuar se ata u larguan nga puna padrejtësisht.

“Na e kanë shkëputur kontratën para kohe, edhe pse është e vlefshme deri në shtator. Na kanë larguar pa të drejtë. As sindikata nuk na përkrahu, na thanë të largohemi, ndonëse kontrata është ende aktive”, ka thënë Hajdari.

Rreth 280 punëtorë të sigurimit në QKUK kanë mbetur pa kontratë pune, pasi tenderi për sigurimin fizik është anuluar nga Organi Shqyrtues i Prokurimit.

E drejtuesit e kompanisë “Skyfterat”, që e kishin fituar tenderin para dy muajsh, të kontaktuar nga KOHA, kanë thënë se punëtorët nuk do të paguhen për të gjithë muajin.

“Punëtorët e sigurimit kanë qenë të angazhuar me kontratë vetëm deri më 20 qershor, datë kur OSHP-ja e ka vendosur ndërprerjen e kontratës. Pagesa do të bëhet vetëm për ditët e punuara deri në atë datë. Më së largu deri më 5 korrik punëtorët do t’i marrin pagat e tyre”, thuhet në përgjigjen e kompanisë së sigurimit “Skyfterat”.

Kryetari i Sindikatës së QKUK-së, Hakif Sylejmani, pas takimit që e mbajti të hënën me ushtruesin e detyrës së drejtorit në QKUK, Osman Hajdari, ka thënë se e ka shtruar kërkesën për ritenderim të kontratës.

“Janë dy kompani në sistem, por OSHP-ja nuk po lejon të vazhdojë asnjëra pa u tërhequr tjetra. Kërkojmë ritender për të gjithë punëtorët. Nëse nuk plotësohen kërkesat për kthim në punë, do të hyjmë në grevë”, ka thënë Sylejmani.

Derisa të lidhet një kontratë e re, sigurinë e objektit do ta mbulojë Policia e Kosovës.

Takimi i radhës mes punëtorëve dhe drejtorit të SHSKUK-së pritet të mbahet të premten.

Nëse nuk gjendet ndonjë zgjidhje deri atëherë, punëtorët e kanë paralajmëruar futjen në grevë.