Arbëri

Pushteti komunal në Kaçanik akuzohet për kurdisje të konkurseve

Komuna e Kaçanikut po akuzohet nga një kandidat se ka kurdisur konkursin e fundit për punonjës në Shtëpinë e Kulturës. E, në LDK, parti që është në opozitë, thonë se PDK-ja ka rehatuar militantët e familjarët që nga paslufta. Kryetari i Komunës, Besim Ilazi, i ka mohuar të gjitha akuzat

Valdet Raka ka paralajmëruar ankesë në Komisionin e Pavarur Mbikëqyrës në nivel qendror, pasi dyshon se konkursi për koordinator të sektorit teknik në Shtëpinë e Kulturës në Kaçanik ishte i kurdisur.

Raka konkurroi për këtë pozitë, por thotë se u diskualifikua nga gara jashtëligjshëm.

Sipas tij, në këtë pozitë u përzgjodh një militant i partisë që udhëheq në Komunë – Partisë Demokratike të Kosovës(PDK).

“Kanë filluar dyshimet e mia për njërin prej tyre duke parë afërsinë e tij me pushtetin aktual. Pastaj jemi ftuar vetëm në intervistë duke e anashkaluar testin me shkrim, gjë që mendoj se është e jashtëligjshme”, ka thënë Raka. “Unë apeloj te komisioni komunal për ankesa që të anulohet ky konkurs, sepse e gjithë procedura është e jashtëligjshme. Kualifikimi dhe përvoja ime i tejkalon të gjitha pritshmëritë, sepse jam më i kualifikuar dhe më i përgatitur se personi i përzgjedhur”.

Për këtë konkurs ka reaguar edhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Dega në Kaçanik, duke akuzuar qeverisjen e PDK-së se që nga paslufta ka kurdisur konkurse për militantë të saj dhe për familjarë.

“LDK, Dega në Kaçanik, ka kohë që shpreh shqetësimin dhe indinjatën e saj të madhe për punësimet familjare dhe punësimet për rehatimin e militantëve të partisë në pushtet”, ka thënë Ardita Rrahmani, shefe e grupit të kuvendarëve të LDK-së. “Edhe në konkursin e fundit kemi të bëjmë me një punësim të tillë, kështu që po urojmë dhe po u bëjmë thirrje institucioneve komunale që t’i japin fund dhe të krijojnë një barazi”.

E kryetari i Komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi, ka thënë se nëse merret në përgjithësi numri i të punësuarve që nga paslufta, mbi 50 për qind e tyre janë militantë të partive të tjera. Sipas tij, kryetarët e komunave sipas ligjeve përjashtohen nga procedurat e konkurseve.

Po ashtu thotë se procedurat për pranimin e punonjësve teknikë kanë ndryshuar.

“Me ligjin e ri testimi me shkrim është hequr dhe bëhet vetëm intervista me gojë te kandidatët e aplikuar, kështu që me siguri komisioni ka qenë i informuar dhe në bazë të asaj ankese që ka bërë pala, besoj se është ankimuar dhe është komisioni i ankesave dhe do t’ia përcjellim ankesën e ankuesit dhe do të marrim përgjigje se cili është vlerësimi i tyre”, ka thënë kryetari Ilazi.

Kryetari i Komunës e mohoi se i punësuari në konkursin për Shtëpinë e Kulturës është i afërt me pushtetin.