Arbëri

Qeveria lëshon pe, lejon hyrjen në Kosovë edhe të të pavaksinuarve

Vaksina

Në kohën kur shtetet nëpër botë po përballen me gjendje të rënduar pandemike si pasojë e variantit Omicron të koronavirusit, Qeveria është tërhequr nga vendimi i marrë në fillim të këtij muaji për ashpërsim masash. Kësisoj, që prej dje, qytetarët me dokumentacion të Kosovës do të mund të hyjnë edhe pa pasur vaksinë, me test negativ PCR ose do të karantinohen për 7 ditë

Vetëm 17 ditë ka zgjatur vendimi i Qeverisë së Kosovës për ashpërsim të masave anti-COVID.

Në prag të festave të fundvitit, kur shtetet evropiane po përballen me gjendje të rënduar pandemike e kur fluksi i ardhjes së mërgimtarëve rritet në Kosovë, ekzekutivi ka hequr njërin nga kushtet më të rëndësishme për kalimin e kufirit.

Deri të premten, secili person që dëshironte të hynte në Kosovë, duhej të ishte i vaksinuar, të paktën me njërën dozë të vaksinës, kusht ky që u tërhoq.

Tani, qytetarët të cilët kanë dokumentacion të Kosovës do të mund të hyjnë edhe pa pasur vaksinë, me test negativ PCR ose do të karantinohen për 7 ditë.

Sipas burimeve të KOHËS, një gjë e tillë është vendosur në Komitetin për Pandeminë COVID-19, i cili u mbajt dje, dhe se Qendra për Menaxhimin Kufitar dhe Policia janë ankuar dhe kanë kërkuar zgjidhje për personat që udhëtojnë gjatë për në Kosovë e që janë të pavaksinuar.

Për masat e reja njoftim ka dhënë Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar, e Qeveria nuk është përgjigjur në pyetjet për detaje shtesë gjatë së shtunës.

“Informatë shtesë lidhur me masat kundër COVID 19: Të gjithë shtetasit e Republikës së Kosovës, që tentojnë të hyjnë në Republikën e Kosovës, përmes Pikave Kufitare, në rast të mungesës së certifikatës së vaksinimit, për t'ua mundësuar hyrjen, Policia do të kërkojë testin PCR negativ jo më të vjetër se 48 orë, apo të kërkojë karantinim për periudhë 7-ditore”, ka thënë QKMK-ja.

Masat e reja anti-COVID u miratuan nga ekzekutivi më 1 dhjetor, si shkak i rrezikut të përhapjes së variantit Omicron. Në njërën nga pikat e vendimit thuhej edhe se qytetarëve që dëshirojnë të hyjnë në Kosovë, do t’u mundësohet të vaksinohen me anë të ekipeve mobile.

Por, ekipe të tilla nuk u panë gjatë së shtunës në pikën kufitare në Merdar, ku edhe kishte filluar të rritej fluksi i qytetareve që vinin nga vende të ndryshme.

Zyrtarët policorë thanë se ditët e tjera ekipet kanë ardhur, dhe se nuk kanë informacion se pse nuk ishin të shtunën aty. E ata që erdhën në Kosovë për pushime, thanë se i kanë marrë dozat e vaksinës, derisa pati të tillë që thanë se nuk iu kërkua asnjë dëshmi nga zyrtarët aty.

Në lidhje me masat anti-COVID, ka pasur edhe protesta nga Shoqata e Gastronomëve e Odës së Hotelerisë, të cilët kanë kërkuar që masat të lehtësohen si shkak i festave të fundvitit, si dhe ardhjes së bashkatdhetarëve.

Ata kanë bërë thirrje që të zgjatet orari i tyre, dhe të lejohen ahengjet e hapja e klubeve të natës.