Të paraburgosurit në Kosovë këtë vit nuk do të monitorohen nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, ashtu siç ishte e rregulluar viteve të kaluara. Në QKRMT thonë se kjo praktikë e re, do të jetë e dëmshme për të paraburgosurit
Ndryshe nga vitet e kaluara, kur zyrtarët e QKRMT-ve kishin leje të vizitonin edhe të paraburgosurit, këtë herë monitorimi do të kufizohet vetëm te personat e dënuar.
Fatmire Haliti, monitoruese në QKRMT, thotë se kjo është praktikë e re dhe e dëmshme për të paraburgosurit.
“Kjo është mjaft sfiduese edhe shqetësuese duke e pasur parasysh numrin e madh të paraburgosurve që janë në institucionet korrektuese, të drejtat dhe shpeshherë ndoshta janë të cenuar aty duke pasë parasysh faktorët e ndryshëm dhe kohëzgjatjen në paraburgim dhe tani për tani nuk kemi qasje te të paraburgosurit që kjo është një praktikë e re në Kosovë, nuk ka ndodhur asnjëherë që një organizatë monitoruese profesionale t’i pamundësohet m’i vizitu edhe të paraburgosurit dhe m’i vlerësuar kushtet dhe trajtimin e tyre”, ka thënë Haliti.
E drejtori i Shërbimit Korrektues, Ismail Dibrani, ka deklaruar se leja për vizita për të paraburgosurit duhet të lëshohet nga Gjykata.
“Është çështje e gjykatës për të paraburgosurit. Për të paraburgosur në asnjë shtet nuk ka që një OJQ mund të vizitojë të paraburgosurit pa aprovim të gjyqtarit, sepse ai është në procedurë hetimore që mundet të rrezikohet procesi. Është çështje ligjore që unë nuk mundem ta ndryshojë dhe duhet të respektohet”, ka deklaruar Dibrani.
Sipas Kodit të Procedurës Penale, me leje të gjyqtarit të procedurës paraprake ose nën mbikëqyrjen e ndonjë personi të caktuar, i paraburgosuri mund të vizitohet nga mjeku apo nga persona të tjerë.
Vizita të tilla mund të ndalohen nëse vlerësohet se mund të dëmtojnë zbatimin e procedurës penale.
Po ashtu, sipas Kodit të Procedurës Penale, Avokati i Popullit ose zëvendësi i tij mund të vizitojë të paraburgosurit dhe të korrespondojë me ta pa paralajmërim paraprak dhe pa mbikëqyrjen e gjyqtarit të procedurës paraprake.
Ndërsa në raportin e QKRMT të vitit 2023, ishte vlerësuar si sfiduese pamundësia e monitorimit të ambulanteve në burgje.
Në raport thuhej se QKRMT-ja nuk ka pasur qasje monitoruese edhe në Institutin e Psikiatrisë Forenzike të Kosovës.