Të zbrazët kanë mbetur shtretërit në Qendrën e Mjekësisë Familjare në “Kalabri”, që për një vit kanë qenë të stërmbushur nga pacientët me Covid-19.
Me uljen e rasteve kjo qendër i është rikthyer normalitetit duke ofruar shërbime për banorët e lagjes, të cilët për një vit janë mjekuar në QMF të lagjeve tjera.
Nga 400 vizitorë në ditë sa ishin gjatë kësaj periudhe, tani numri është zvogëluar dukshëm nga qytetarët që kërkojnë vetëm shërbime të zakonshme.
“Pas një viti, Qendra e Mjekësisë Familjare 7 i është rikthyer normalitetit. Numri i vizitorëve është 60-70, nuk është fluksi siç ka qenë për një vit. Tani kemi pacientë që marrin shërbime të zakonshme, pra aktualisht janë viruset me diarre akute, vizita të zakonshme, pacientë kronikë. Edhe pse numër i madh i pacientëve nuk e dinë që jemi rikthyer në normalitet dhe hezitojnë të lajmërohen në qendër, sepse mendojnë që ende po i trajtojmë vetëm pacientët me Covid”, ka thënë një doktoreshë në kuadër të kësaj QMF-je.
Testet rapide vazhdojnë të kryhen shpejt, porse numri i atyre që i kërkojnë është shumë i vogël. Brenda kësaj jave ka pasur vetëm një rast pozitiv.
“Kemi pacientë që trajtohen me Covid që kryen shërbime, mirëpo numri i pacientëve që rezultojnë pozitivë me Covid është zvogëluar dukshëm. Gjatë javës së kaluar kemi pasur vetëm 3 pacientë që kanë dalë pozitivë dhe ata kanë qenë pjesëtarë të një familjeje. Numri i testeve që po bëhen në këtë kohë po sillet rreth 15 sosh në ditë”, kanë thënë nga kjo QMF.
Qytetarët i janë gëzuar kthimit në normalitet duke potencuar punën e mirë të stafit mjekësor.
Kryeqyteti aktualisht ka 17 raste aktive me koronavirus.