Racizmi në Kosovë shënjestron më së shumti romët, ashkalinjtë dhe egjiptianët, të cilët përbëjnë dy për qind të popullsisë së Kosovës. Aktivisti Muharrem Asllani thotë se përqendrimi i pakicave në “lagje të pastra” me këto komunitete në zona urbane po e thellon ndarjen që e konsideron edhe “getoizim”. “Ky getoizim çon deri te përjashtimi social, përjashtimi social çon deri në diskriminim dhe ky diskriminim, e pamë edhe në rastet e fundit, që paraqet edhe racizëm”, thekson ai. “Edhe po paraqet diskriminim mbi bazën e etnisë dhe të ngjyrës”.
“Iu kisha ba apel me mujt me hup qëta magjup, qët far diskriminimi që po thojnë, kisha ba apel me hekë, me hekë”, thotë Muharrem Gashi, qytetar rom nga Fushë Kosova, para se të vazhdojë me ton të ngritur e me pezëm: “Ma mirë n’emën b’e burrë thirre. Qysh e ki emrin, Avdush, Muharrem, a qysh e ki emrin e thirrë, edhe u kry. Ti veç pse p’e këqyrë ngjyrën e zezë, nuk është mirë ashtu”.
Në të vërtetë, shprehje diskriminuese e raciste dëgjohen gjithandej Kosovës.
“Nëse nuk m’dëgjon, t’ha magjupi!”
“Jeni bërë më t’zinj e më t’këqij se magjupt!”
“Mos u ba magjup“, apo “Mahalla e magjupve!”, janë vetëm disa prej shprehjeve që i ka dëgjuar i madh e i vogël në fshatra e qytete të vendit.
Janë fjalë poshtëruese me të cilat shumëkush u referohet romëve, ashkalinjve dhe egjiptianve. Madje dalin edhe nga goja e prindërve, teksa i qortojnë fëmijët për sjellje të pahijshme shesheve e rrugëve.
“Tash nuk p’e di ku ia ka dhanë”
Rastet e fundit të përzënies nga restoranti në Gjakovë e keqtrajtimi fizik para familjes në Prizren i qytetarëve nga këto komunitete vetëm sa spikasin edhe publikisht racizmin e rrënjosur thellë në Kosovë, të shpallur multietnike edhe me Kushtetutë.
“Po diskriminimi është prezent. Dhe është jologjike nëse themi se nuk ka diskriminim, sepse diskriminimi është prezent dhe reflektohet në hallkën e fundit të këtij diskriminimi, që është te kafeneja, apo mosshërbimi i atyre djemve të komunitetit në një rast të caktuar, sepse diskriminimi fillon shumë më herët, kur krijohet një mendësi....”, thekson deputeti Lala në Gjakovë.
Muharrem Gashi në Fushë-Kosovë thotë se pakicat duhet të integrohen më shumë në ekonominë e vendit. “Me na shti në punë kejtve, mos me na dallu”, thekson ai në zemër të lagjes 29 në qytezën e rrafshët. I kthehet prapë temës së racizmit, të nxitur nga raportimet e ditëve të fundit në media.
“Fjala magjup, ajo s’është kurrgjë hiç, nuk munesh, na i thojmë bërllok, bërllok”, thotë Gashi, të cilit ezani nuk ia pret linjën e rrëfimin. “Na xhamijat i kemi bashkë, Ramazanin e majmë, Bajramin, vorret i kemi të përbashkëta, veç ngjyra që po na dallon. Edhe martesat i bëjmë me ta, ka edhe martesa që i bajnë me ta”, thotë Gashi, duke iu referuar shqiptarëve shumicë. “Po tash nuk p’e di ku ia ka dhanë”.
“M’dhemb shumë”
Nexhat Jashari, i cili me familje migroi menjëherë pas luftës në Suedi, thotë se gjatë pushimeve në Kosovë nuk po sheh ndryshim të qasjes ndaj romëve, ashkalinjve dhe egjiptianëve. Rastet e fundit të racizmit në hapësira publike e kanë prekur Jasharin.
“M’dhemb shumë, edhe s’muj me ...”, i lidhet fjala në grykë Jasharit para dyerve të oborrit. Ai thotë se varfëria e skajshme vetëm sa po e rëndon gjendjen e pjesëtarëve të romëve, ashkalinjve dhe egjiptianëve. “Veç ligji”, thotë ai, kur pyetet se si mund të luftohet më së miri racizmi në Kosovë.
Por, në fakt, mungesa e njohjes së historisë së pakicave ka rezultuar me krijimin e paragjykimeve shoqërore.
Racizmi në Kosovë shënjestron më së shumti qytetarët me ngjyrë. Këto komunitete bashkërisht përbëjnë dy për qind të popullsisë së Kosovës. Jetojnë kryesisht në zona urbane.
Aktivisti Muharrem Asllani thotë se “lagjet e pastra” me këto komunitete po e thellojnë ndarjen që e konsideron edhe “getoizim”.
“Ky getoizim çon deri te përjashtimi social, përjashtimi social çon deri në diskriminim dhe ky diskriminimi, tani e pamë edhe në rastet e fundit, që paraqet edhe racizëm”, thekson ai. “Edhe po paraqet diskriminim mbi bazën e etnisë dhe të ngjyrës”.
Racizëm i institucionalizuar?
Vesa Batalli, menaxhere e projekteve në organizatën joqeveritare, Zëri i Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptianëve, thotë se shumica dërmuese e rasteve të racizmit nuk raportohen fare. Ajo ka thënë gjatë intervistës me kolegun Eraldin Fazliu në Interaktiv se qasja raciste ndiqet edhe në institucione shkollore dhe të tjera ndaj pjesëtarëve të komuniteteve, vetëm për shkak të ngjyrës së tyre.
“Madje edhe prej gjyqësorit që në fakt ish dashtë me qenë njerëzit e parë, respektues të ligjit”, ka thënë Batalli. “Dhe fatkeqësisht, ne si qytetarë, por edhe institucionet kanë mungesë të theksuar të informacionit” për këto komunitete, ka thënë Batalli, duke shtuar se kjo qasje po i stigmatizon këto komunitete. “Ata janë pikërisht në këtë gjendje për shkak të diskriminimit të shumëfishtë, zinxhiror dhe të vazhdueshëm”.
Komuniteti ashkali është më i madhi nga këto tri komunitete me mbi 15 mijë pjesëtarë ose një për qind të popullsisë së përgjithshme të Kosovës. Komuniteti egjiptian përbëhet nga rreth 12 mijë pjesëtarë. Statistikat zyrtare tregojnë për rreth nëntë mijë qytetarë romë ose 0.5 për qind e numrit të përgjithshëm të popullsisë në Kosovë. Këto komunitete jetojnë në kushte të mjerueshme ekonomike.
Romët, ashkalinjtë dhe egjiptianët kanë shkallë papunësie të të rinjve prej 49 për qind, mospërfshirje në shkollim 78 për qind, pasiguri ushqimore 57 për qind dhe përdorim të shërbimit shëndetësor parësor 54 për qind, bëhet e ditur në hulumtimin e autores Ada Huibregtse, “Perspektivat e të rinjve romë, ashkalinj dhe egjiptianë mbi mundësitë dhe sfidat për punë të denjë në Kosovë”, bazuar në hulumtimet e kryera në Gjakovë, Fushë-Kosovë e Graçanicë.
Studimi i Organizatës Botërore të Punës është mbështetur nga Ministria izraelite e Punës, e Çështjeve Sociale dhe e Shërbimeve Publike.
“Është problemi i punësimit që bën dëmin më të madh”, thekson Asllani.
Nëpër lagjet e këtyre komuniteteve në Fushë-Kosovë sheh rrugëve burra e të rinj të papunë, që plakin kohën kot. “Përjashtimi social nuk vjen vetvetiu”, thekson ai.
“Këtu edhe m’u la s’po i lanë”
Aktivisti Bashkim Krasniqi mendon se përfshirja sa më e madhe në shkollim do të përmirësonte jetën e këtyre komuniteteve. “Nëse vazhdojmë këtë ritëm dhe më shumë me rrit ritmin e shkollimit ka me ardhë një kohë më e mirë dhe edhe na kemi me i gëzu të drejtat tona”, thekson ai, para Muharrem Gashit, që pas dy vitesh qëndrimi në Gjermani, autoritetet gjermane e kthyen me gjithë familjen.
“Kejt t’gjallët i kena shit, kejt t’gjallët i kena shit veç për me dalë, por e panë edhe ata sa është sahati, edhe thanë Kosova është mirë edhe na kthyn”, thotë Gashi. “Kosova është mirë për krejt komunitetet, ama papunësi e madhe”.
Mungesa e mundësive dhe mbështetjes së domosdoshme institucionale ka shtyrë shumë pjesëtarë të këtyre komuniteteve që të vazhdojnë të ëndërrojnë botën perëndimore, me shpresë se do të nisin një jetë të re në vendet perëndimore.
Nexhat Gashi thotë se në Suedi të gjithë njerëzit trajtohen barabar pavarësisht etnisë, apo ngjyrës. “Atje, s’ka, nuk e dallon hiç. Unë po i shoh këta tonët verës edhe me u la s’po guxojnë me shku, atje shkojnë kejt, bashkë, lahen, bahen, s’ka dallim, se këtu po shihet shumë p’i dallojnë. Besa edhe nëpër autobusa edhe nëpër taksa”, thekson ai.
Mbrojtje veç në letër
Kosova ka Strategjinë sektoriale për punësim, si dhe Strategjinë për përfshirjen e komuniteteve rom dhe ashkali 2017-2021.
Në bazë të të dhënave të Departamentit të Administrimit të Shërbimit Civil, deri në dhjetor 2019, në Shërbimin Civil të Kosovës janë të angazhuar gjithsej 21 romë apo 0.11 për qind e të punësuarve në përgjithësi, 19 ashkalinj apo 0.10 për qind dhe 15 egjiptianë, apo 0.09 për qind. Studimi i Organizatës Botërore të Punës tregon se këto komunitete diskriminohen edhe në sektorin privat.
Demir Jashari thotë se ka gjashtë muaj që nuk po e kyçin në rrjetin elektrik. “Thminë tem me kamtë e mia gati e kam myt se terr, terr s’e kam pa, me qiri. A jetohet, dimni po vjen, me çka me jetu?”
51-vjeçari thotë as ai e as gruaja nuk janë të aftë për punë.
Ai e siguron bukën e gojës për familjen nga mbledhja e kanaçeve, pasi i është refuzuar kërkesa për ndihmë sociale. Nga xhepi nxjerr dokumentin me të cilin i është kthyer përgjigja negative pas kërkesës për ndihmën sociale. “Nuk po m’marrin parasysh kërkush se unë prej kantave jetoj, ha pi edhe jetoj”, thekson Demir Jashari, derisa me duar mbahet për biçikletën e tij. Në bagazhin e saj ka lidhur një shportë të madhe plastike në formë katrore, ku hedh materialet plastike dhe metalike nga shitja e të cilave siguron ushqimin.
“Akronimi i famshëm”
Aktivisti Asllani thotë se edhe përfaqësuesit politikë të komuniteteve joshumicë duhet të angazhohen më fort për përmirësimin e gjendjes së komuniteteve. Në komunat me komunitete joshumicë, si në rastin e Fushë-Kosovës, nënkryetari zakonisht zgjidhet nga komunitetet respektive.
Në dokumente zyrtare, romët, ashkalinjtë dhe egjiptianët njihen ndaras si komunitete. Por në diskursin publik, edhe të politikanëve dhe zyrtarëve publikë, këto tri kategori janë kthyer në një shkurtesë të vetme prej inicialeve të tyre, RAE. Kështu u referohen vendorët e ndërkombëtarët.
Asllani thotë se në projektet e raportet e institucioneve evropiane, romët, ashkalinjtë dhe egjiptianët shpesh kategorizohen si RAE, ROMA ose ROM.
“Unë besoj se edhe përdorimi i akronimit nga vetë institucionet, ka elemente të racizmit”, thekson Asllani.
“Boll ke ma!”
Batalli, nga organizata joqeveritare VORAE, thotë se komunitetet joshumicë do të vazhdojnë të përballen me shumë sfida, por ka kërkuar angazhim më të madh të institucioneve.
“Jo me i përcjell rastet, si ajo e djeshmja dhe e sotit. Po mendoj se duhet me qenë pak më të zëshëm, ju si gazetarë, institucionet publike, por edhe shoqëria civile”, ka thënë Batalli. “Me u mundu me i promovu sa më shumë komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, historikun e tyre”.
Por zor se qasja raciste e rrënjosur thellë do të shkulet brenda një kohe të shkurtër. E romët, ashkalinjtë dhe egjiptianët do të vazhdojnë të jenë viktima të këtij racizmi.
“Veç iu kisha lutë romëve, ashkalinjve dhe egjiptianëve me u ba kejt me një ven, me një karrige, vllazni jemi kejt, të bardhë, t’zi, t’kuq çka jem, m’u ba kejt me një ven”, thekson Muharrem Gashi, duke nxitur duartrokitje të pjesëtarëve të ndryshëm të komuniteteve joshumicë në lagjen 29 në Fushë Kosovë, derisa përmbledh me pezëm gjithçka: “Boll ke ma! Qe njëzetë e kusur vjet, boll ke ma!”