Rajon

Policia ndan protestuesit dhe mbështetësit e Vuçiqit në Beograd mes tensioneve të larta politike

Protesta në Beograd

Foto: Associated Press

Qindra policë të njësisë speciale kanë ndërhyrë të dielën në qendër të Beogradit për të ndarë përkrahësit dhe kundërshtarët e presidentit serb Aleksandar Vuçiq, teksa tensionet politike në vend janë rritur ndjeshëm pas më shumë se një viti protestash të vazhdueshme kundër qeverisë.

Disa mijëra persona janë përballur në të dyja anët e kordoneve të policisë. Protestuesit hodhën shishe dhe flakadanë drejt njëri-tjetrit para se forcat e rendit të ndërhynin për të shmangur përplasjet e drejtpërdrejta, raportoi “AP News”.

Tensionet në Beograd u rritën një ditë pas një tubimi masiv në Novi Sad, ku dhjetëra mijëra vetë u mblodhën për të shënuar njëvjetorin e tragjedisë në stacionin hekurudhor të qytetit, që i mori jetën 16 personave. Ngjarja e rëndë është kthyer në simbol të një lëvizjeje të udhëhequr nga të rinjtë, e cila kërkon ndryshime politike dhe fundin e pushtetit 13-vjeçar të Vuçiqit.

Në qendër të protestave është Dijana Hrka, nëna e Stefan Hrkës – një prej viktimave të aksidentit në Novi Sad. Ajo shpalli të dielën grevë urie pranë kampit të ngritur nga mbështetësit e Vuçiqit përballë ndërtesës së Parlamentit, duke kërkuar drejtësi për djalin e saj dhe për 15 viktimat e tjera. Hrka kërkon gjithashtu lirimin e protestuesve të arrestuar dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, siç kërkojnë edhe studentët që udhëheqin protestat.

Në muajt e fundit, autoritetet kanë ndërmarrë masa të ashpra ndaj protestuesve, me dhjetëra të arrestuar.