Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, në një video të postuar në Facebook, ka akuzuar menaxhmentin e ndërmarrjes publike “Pastrimi” për keqmenaxhim, duke thënë se kompania po shkon drejt falimentimit.
Rama ka thënë se të martën, në Kuvendin Komunal, do të kërkojë ndihmë emergjente financiare për t’i mbrojtur punëtorët dhe shërbimin për qytetarët, e jo “për ta shpëtuar menaxhmentin që e ka çuar këtë kompani drejt kolapsit”.
“Kjo është betejë për drejtësi sociale dhe për dinjitet publik. Ne nuk do të heshtim. Nuk do të bëhemi bashkëfajtorë në këtë keqmenaxhim. Ftoj çdo asamblist që i shërben qytetarëve, e jo interesave të ngushta, ta mbështesë këtë hap të nevojshëm për kryeqytetin”, ka thënë Rama.
E ndaj deklaratave të Ramës ka reaguar “Pastrimi”, që ka thënë se udhëzimet publike që faturat e pastrimit të paguhen në Komunë e jo te kompania, kanë ndikuar drejtpërdrejt në pamundësi për inkasim të hyrave që nga janari i vitit 2025.
“Është e rëndësishme të theksojmë se sfidat financiare me të cilat përballet aktualisht ndërmarrja janë rezultat i moszbatimit të Rregullores për menaxhimin e mbeturinave, të miratuar nga Kuvendi Komunal i Prishtinës, e cila përcakton qartë se pagesat për shërbimet e mbeturinave duhet të kryhen drejtpërdrejt në llogarinë e kompanisë “Pastrimi” Sh.A. Përkundër kësaj dispozite ligjore, udhëzimet publike për t’i orientuar qytetarët që të mos paguajnë në kompaninë “Pastrimi”, por në Komunë, kanë ndikuar drejtpërdrejt në pamundësinë për të arkëtuar të hyrat e nevojshme për funksionim, që nga muaji janar 2025. Pra, nga janari 2025 e deri tani kur po flasim, borxhet e papaguara për shkak të kërkesës së kundërligjshme nga Komuna kanë arritur vlerën e 2.7 milionë eurove. Në vijimësi, dhe më së fundi më datë 2 maj 2025, kryeshefi ekzekutiv i ndërmarrjes i është drejtuar zyrtarisht Kryetarit të Komunës me kërkesë për zbatim të rregullores në fuqi, me njoftim edhe për institucionet kompetente, duke shprehur gatishmërinë për zgjidhje institucionale dhe të qëndrueshme”, thuhet në reagim.
Në reagim është përmendur edhe raporti i fundit i Zyrës Kombëtare të Auditimit.
"Lidhur me pohimet për menaxhimin e brendshëm të ndërmarrjes, dëshirojmë të theksojmë se në raportin e fundit të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), që ka audituar performancën dhe menaxhimin e ndërmarrjes, është konstatuar se: Menaxhimi i KRM ‘Pastrimi’ Sh.A. është vlerësuar me opinionin më të mirë të mundshëm, sipas standardeve ndërkombëtare të auditimit. Pra, "opinion i pampdifikuar për pasqyrat financiare”. Gjithashtu Pasqyrat Financiare për vitin 2024, dëshmojnë që KRM “Pastrimi” Sh.A nga një gjendje negative të cilën e kishte në vitet paraprake me minus 1.5 milion euro, ka kthyer operimin me bilanc pozitiv në 5% bruto fitim. Ky vlerësim tregon përkushtimin e ndërmarrjes për administrim të përgjegjshëm, transparencë dhe respektim të ligjeve në fuqi. Raporti i ZKA-së dhe Pasqyrat Financiare janë publike dhe të qasshme për çdo qytetar apo institucion të interesuar. Mirëpo gjatë kësaj faze sipas veprimeve të Komunës, dhe borxhet e pa paguara nga ta, kanë bërë që të kemi pamundësinë financiare të kryerjes së një pjese të obligimeve”.
Në reagim është thënë se nëpërmjet respektimit të vendimeve të Kuvendit Komunal dhe me bashkëpunim institucional mund të tejkalohen sfidat aktuale.
“Besojmë se përmes bashkëpunimit institucional dhe respektimit të vendimeve të Kuvendit Komunal, mund të tejkalohen sfidat aktuale dhe të sigurohet që ndërmarrjet publike të vazhdojnë të jenë në shërbim të qytetarëve me integritet dhe profesionalizëm. “Pastrimi” Sh.A. mbetet e përkushtuar për të ofruar shërbime cilësore, për të mbrojtur interesin publik dhe për të ruajtur dinjitetin e punonjësve tanë, duke punuar në frymë bashkëpunimi me të gjitha institucionet relevante”.