Arbëri

Rama synon mandatin e katërt, Berisha rikthimin

Në Shqipëri organizohen zgjedhjet parlamentare të dielën. Kryeministri aktual Edi Rama e synon mandatin e katërt në detyrë, teksa rivali i tij nga Partia Socialiste, Sali Berisha, rikthimin në pushtet. E për 140 vende në Kuvend, garës i kanë hyrë 2 mijë e 46 kandidatë

Pas një muaj fushate intensive, Shqipëria ka hyrë të shtunën në heshtje elektorale për votimet, në të cilat mbi 3.7 milionë qytetarë do të zgjedhin të dielën përbërjen e re të Kuvendit për katër vjetët e ardhshëm.

Në garë për 140 vende në Kuvend janë 2 mijë e 46 kandidatë nga 11 parti e koalicione.

Kryeministri aktual, Edi Rama, që e drejton Partinë Socialiste, e synon edhe mandatin e katërt në krye të Qeverisë, me fokusin e përqendruar kah integrimi evropian.

E rivali i tij nga Partia Demokratike, Sali Berisha, fushatën për rikthim në postin e kryeministrit e ka përqendruar te fusha e ekonomisë dhe te lufta ndaj korrupsionit.

Por publicisti Fatos Lubonja, në emisionin “Interaktiv” të KTV-së nuk shpreh pritje për ndryshime pas zgjedhjeve, pasi, siç tha, që nga ardhja në pushtet e Ramës më 2013, në Shqipëri është shuar hapësira për konkurrencë të barabartë mes dy partive kryesore.

“Sot jemi në një parti-shtet. Dhe që s’ka mend ta lërë pushtetin sepse e gjithë puna që Edi Rama ka bërë gjatë këtyre viteve ka qenë pikërisht dobësimi, eliminimi i kundërshtarëve”, ka thënë Lubonja.

Ai e kualifikoi të gabuar edhe qasjen e partive të reja më të vogla që i kanë hyrë garës, tek tha se ato do të duhej të bashkoheshin në një bllok opozitar.

“Edi Rama, jo Sali Berishën por këdo që ka si kundërshtar dhe që e rrezikon do ta eliminojë me sistemin që ka ndërtuar, dhe që kontrollon gjithçka. Dua rotacion, dua që këto parti të fitojnë, por kam frikë se Edi Rama do të marrë më shumë se që ka marrë”, ka thënë Lubonja.

E, alarmi për mundësi manipulimi të zgjedhjeve është dhënë nga opozita.

Që në orët e para të mëngjesit të së shtunës, në 12 qarqet e Shqipërisë kanë zbarkuar prokurorët e Prokurorisë së Posaçme. Ata janë shoqëruar nga agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Në qarqet që mund të konsiderohen si zona të nxehta për krimin zgjedhor janë caktuar nga dy prokurorë. Të tilla janë Fieri, Elbasani, Durrësi, Shkodra dhe Lezha. Ndërkaq, në kryeqytet janë caktuar prokurorë të posaçëm.

Për votimet e së dielës është miratuar një sistem i ri zgjedhor, që përfshin një kombinim të listave të mbyllura dhe të hapura. Rreth një e treta e listës së kandidatëve është e mbyllur dhe emrat janë të fiksuar nga kryetari, ndërsa dy të tretat e tjera janë të hapura.

Për emrat në listë të hapur nuk do të ketë prag.

Këto janë zgjedhjet e 11-a parlamentare që organizohen në Shqipëri që pas rënies së komunizmit, e të parat në të cilat do të marrin pjesë edhe votues nga diaspora.