Profesori Berim Ramosaj, ka komentuar deklaratat e ish-presidentes Vjosa Osmani në tubimet me qytetarët, në të cilat ka thënë se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, është mbyllur për orë të tëra në zyrë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq e ndërmjetësin e atëhershëm të Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak.
Ramosaj në emisionin “Konfront” në KTV, ka deklaruar se Osmanit nuk i falen veprime të tilla. Sipas Ramosajt ajo është dashur të mësojë maturinë profesionale për këto pesë vite si presidente.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoProfesori Ramosaj është shprehur se një sjellë të tillë nuk e lejon as fryma rugoviane.
“Në fushata zgjedhore bëjnë këso veprime individë të caktuar, por asaj nuk i falet. Nuk është person dosido që ka hyrë në zgjedhje por ish-presidente e Republikës. Edhe nëse ajo nuk e ka pasur një shkallë të maturimit profesional, ka pasur mundësi për pesë vjet ta mësoj. Sa i përket politikës së jashtme shpeshherë më ka bërë të ndjehem mirë duke kultivuar raportet ndërkombëtare. Por, sot të dalë të bëjë politikë me fotografitë e Ibrahim Rugovës duke sharë njerëz individualë, ato figura nuk përputhen. Filozofia rugoviane nuk e lejon një sjellje të tillë”, ka thënë Ramosaj.
Ish-presidentja Vjosa Osmani në zgjedhjet e parakohshme të 7-qershorit do të jetë bartëse e listës e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK). Për këtë, profesori Ramosaj ka deklaruar se nuk pajtohet.
Ramosaj ka deklaruar se Kosova është shtet parlamentar andaj më logjike do të ishte që kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku t’i printe listës.
“Unë e di që Republika jonë është parlamentare dhe jo presidenciale. Në listën e kandidatëve për deputetë, secili mund të jetë i kandiduar për president. Nuk ka kuptim. Shumë logjike do të ishte që listës t’i printe lideri aktual i partisë. Kryeministri i këtij vendi është zot shtëpie, nuk është presidenti. Ne jemi Republikë parlamentare e jo presidenciale”, është shprehur Ramosaj.
Ramaj: Vlora Çitaku duhet t’ia vërë sfidë vetes që të guxojë të reagojë kundër Lushtakut
Gazetarja Saranda Ramaj ka thënë se rasti i Lushtakut dhe Mehanit është i lehtë për sistemin e drejtësisë nëse ata nuk janë të nënshtruar.
Ajo në “Konfront” të KTV-së ka thënë se nëse një prokuror nuk guxon që të lëshojë urdhërarrest për kryetarin e Skenderajt, Sami Lushtaku, atëherë sipas saj, nuk e kupton se si mund të ketë sistem të drejtësisë.
“Është e paarsyeshme me qenë dikush prokuror, mos me konsideru që ka vepër penale që një kryetar komune e ka gjakos një person. Është absurde dhe nuk dua ta kem besimin kaq të ulët në sistemin e drejtësisë”, ka thënë ajo.
Ramaj ka shtuar se ka qenë tepër vulgare kur Lushtaku e kishte krahasuar deputeten e Lëvizjes Vetëvendosje, Adriana Matoshin me punonjëse të një shtëpie publike.
Sipas saj, as gratë e PDK-së nuk kanë guxuar të dalin e të thonë se kjo ishte gabim.
Duke iu referuar statusit të nënkryetares së PDK-së, Vlora Çitaku e cila ka shkruar sot se PDK-ja është e vetmja parti që nuk viktimizohet, Ramaj ka thënë se ajo duhet të guxojë të reagojë kundër Lushtakut.
“Çitaku duhet me ja vu sfidë vetës me guxu me reagu kundër Lushtakut”, ka thënë ajo.
Gojnovci: Incidenti në Skenderaj e dëmton PDK-në
Analisti Ejup Gojnovci, ka thënë se situata e sotme e dhunës në Skenderaj e dëmton në radhë të parë, Partinë Demokratike të Kosovës.
Gojnovci është shprehur se ngjarja e sotme është edhe tregues për gjendjen e sistemit të drejtësisë.
Ai në emisionin “Konfront” në KTV, ka deklaruar se shqetësuese ishin edhe reagimet të cilat nuk e dënonin dhunën siç do të duhej.
“Po të kishim gjykata efikase, të drejta e të pavarura, nuk do të vinim në situatën kur njerëzit grushtohen dhe zgjedhin vetëgjyqësinë por çështjet e ngritura, akuzat e epitetet banale do të zgjidheshin aty ku e kanë vendin – në bankat e drejtësisë. Çka më bëri përshtypje në këtë rast është vrulli i reagimit. Është jashtëzakonisht e rrezikshme që institucionalisht e individualisht u përqafua dhuna. Ky rast në radhë të parë e dëmton Partinë Demokratike të Kosovës”, është shprehur Gojnovci.
Sipas Gojnovcit, dhuna që u pa gjatë ditës së sotme është edhe pasojë e bllokimit institucional prej muajsh dhe lodhjes së qytetarëve me disa palë zgjedhje e që për të stimuluar daljen në zgjedhje “partitë politike nuk zgjedhin metoda më”.
Ramaj për incidentin në Skenderaj: Nuk e di përse njerëzit befasohen, Lushtaku është recidivist
Gazetarja Saranda Ramaj, ka thënë se nuk është fare befasuese që kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, është përfshirë në një sulm fizik.
Ramaj në emisionin “Konfront” në KTV, e ka quajtur recidivist Lushtakun pasi ai ka qenë i dënuar edhe para disa viteve për kërcënimin e një personi.
Sipas Ramajt, situata e sotme e ka forcuar përceptimin që Lushtaku është vendimmarrës në Partinë Demokratike të Kosovës.
“Më se paku kjo i është dashur PDK-së. Dashtë e pa dashtë kjo po përforcon përcepsionin që vendimmarrja në këtë parti nuk është e strukturuar nga lartë por nga njerëzit e shpërndarë nëpër komuna e i takojnë PDK-së. Njerëzve që kanë edhe dënime e Lushtaku është recidivist. Nuk e di pse njerëzit sot po befasohen që Lushtaku është përfshirë në një sulm fizik, ai është recidivist. Ka pasur dënim para disa viteve për kërcënimin e një personi. Po flasim për një person që nuk e ka problem të përfshihet në situata të tillë”, ka thënë Ramaj.
Gjatë ditës së sotme zëvendësministri i Financave, Hysni Mehani, i cili është kryetar i qendrës së Vetëvendosjes në Skenderaj, si dhe aktivisti i kësaj partie, Bahri Zabeli, janë sulmuar fizikisht në qendër të qytetit. Ata thanë se u goditën nga kryetari i Komunës, Sami Lushtaku, dhe njerëz që ishin me të.
Lushtaku e ka mohuar një gjë të tillë duke thënë se sulmin e kryen qytetarët.