Nenad Rashiq, ministri në detyrë për Komunitete dhe Kthim, ka thënë se vendimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të pezulluar dialogun strategjik me Kosovën, është vërejtja më e qartë e dhënë deri tash.
Në një deklaratë të transmetuar në “radiokim.net”, Rashiq ka thënë se diçka e tillë veçse ishte paralajmëruar dhe kjo në veçanti për shkak të kritikave ndaj Gjykatës Kushtetuese.
“Me zonjën Anu Prattipati, me të cilën jam takuar dy ditë më herët, në një mënyrë paralajmëroi se kjo mund të ndodhte, dhe këto gjërat, veçanërisht brenda institucioneve, sidomos ato në aspektin e kritikave ndaj Gjykatës Kushtetuese... Gjykata Kushtetuese konsiderohet si një nga organizatat më kompetente që deri më tani ka zgjidhur kryesisht raste të bllokimeve të tilla si ato që kemi tani. Jam i sigurt se kur të merret vendimi i Gjykatës Kushtetuese, ne do ta respektojmë në maksimum”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se nuk beson që vendimi i SHBA-së ka të bëjë me “sjelljet e Qeverisë në detyrë ndaj serbëve të Kosovës”.
Rashiq po ashtu ka thënë se “do të bëjë çmos që ta bëjë tranzicionin sa më pak të dhimbshëm të sistemeve edukative dhe shëndetësore serbe në sistemin e Kosovës”.
Ai ka thënë se do të diskutojë edhe për paralajmërimin e Policisë në veri se nga 1 nëntori, pronarë të automjeteve me targa të huaja nuk do të mund të qarkullojnë në Kosovë më gjatë se tre muaj.
SHBA-ja njoftoi të premten për pezullimin e dialogut të planifikuar strategjik me Kosovën “për shkak të shqetësimeve në lidhje me veprimet e Qeverisë në detyrë që kanë rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë, duke kufizuar aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar në mënyrë produktive me Kosovën mbi prioritetet e përbashkëta”.