Arbëri

Rastet e spiunazhit, Çollaku: Institucionet e Kosovës janë mjaft të konsoliduara për zbulimin e tyre

Të martën, punonjësja e OSBE-së, Jelena Gjukanoviq, u deklarua e pafajshme për akuzat për spiunazh para trupit gjykues në Kosovë. Sipas njohësit të sigurisë Fatmir Çollaku, institucionet e Kosovës janë mjaftueshëm të konsoliduara për hetimin e edhe parandalimin e këtyre rasteve.

Zbulimin e këtij rasti nga ana e institucioneve, profesori Çollaku e quajti pozitiv, porse sipas tij, pas luftës kjo ka qenë një dukuri e theksuar, marrë parasysh numrin e madh të organizatave ndërkombëtare dhe pjesëtarëve që kanë operuar në Kosovë.

“Të gjitha organizatat ndërkombëtare që pas luftës në Kosovë kanë qenë në numër të madh si organziata dhe në numër të madh si pjesëtarë kanë zhvilluar aktivitete të ndryshme në mesin e tyre edhe spiunimin për interesa të shteteve për të cilat janë paguar, pra shërbm nga ato shtete. Serbia nuk ka reshtur së rekrutuari, kjo po dëshmohet tani", ka deklarua në emision "60 minuta" në KTV profesori Çollaku.

Sipas Çollakut, duhet pasur besim në institucionet e sigurisë të Kosovës.

“AKI-ja veçse është konsoliduar në aspektin struktural dhe funksional e logjistik e kështu me radhë. Është bërë një përvojë në krahasim me vitet e para të themelimit dhe funksionimit të saj. Tani bëhet fjalë për një agjencion solid i cili ka bashkëpunim të ngushtë me shërbimet e shteteve mike dhe i servojnë informacionin e përpunuar dhe të verifikuar për interes njëra tjetrës.”, ka deklaruar Çollaku.

Sa i përket moskonstituimit të Kuvendit dhe institucioneve të tjera, sipas profesorit Çollaku kjo nuk ka pse të krijojë frikë apo pasiguri te qytetarët pasi institucionet e sigurisë funksionojnë normalisht.

“Sa i përket sigurisë, qytetarët nuk duhet të brengosen për moskonstituimin e institucioneve. Përveç komponentes kontrolluese në aspektin e kontrollit demokratik që nuk funksionon, aspekti operacional, taktik, konteksti tjetër i sigurisë është i mbuluar mirë. Policia e Kosoës ka të gjithë strukturën operative që funskionon mirë, AKI-ja poashtu funksionon mirë sepse e ka drejtorin, zv.drejtorin, sturkturësn organizative e kështu me radhë. Secili subjekt e ka mandatin e vet.”, ka përfunduar Çollaku.

Sipas  Çollakut, vendimi i SHBA-së për pezullimin e dialogut strategjik, nuk ka të bëjë me sigurinë aktuale në pjesën veriore të vendit. Sipas tij vendimi lidhet vetëm me moskoordinimin me forcat e KFOR-it për veprimet e ndërmarra në pjesën veriore të vendit.