Dështim i shtetit po konsiderohet ngjarja e rëndë në Lipjan, ku dy prindër u arrestuan të martën nën dyshimin se e kanë keqtrajtuar fëmijën e tyre pesëvjeçar. Fëmija ishte dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës me plagë të rënda në të dy shputat e këmbëve. Klinika e Pediatrisë njoftoi të mërkurën se ai i është nënshkruar intervenimit kirurgjik në nivel të shputave nga ekipet specialistike të Ortopedisë dhe Kirurgjisë Plastike. Gjendja e tij është stabile. E dy prindërve iu caktua masa e paraburgimit prej një muaji.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoRasti u bë publik fillimisht përmes raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës të martën. Aty vepra u cilësua “shkelje e detyrimeve familjare”, teksa u bë e ditur se dy prindërit janë dërguar në mbajtje.
“Lipjan NN. Është raportuar se është sjellë në QKUK- Prishtinë viktima mashkull kosovar i mitur, për shkak të gjendjes së tij jo të mirë, për shkak të mos trajtimit nga ana e prindërve të tij. Të dyshuarit janë arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje”, thuhej në raportin e Policisë.
Pas kësaj, QKUK-ja bëri të ditur se fëmija është pranuar në gjendje të rëndë shëndetësore dhe dyshohet edhe për kequshqyerje.
“Një fëmijë 5-vjeçar nga Lipjani është sjellë në Emergjencën Qendrore, i referuar nga QKMF Lipjan, për shkak të plagëve të rënda në të dy shputat e këmbëve, të shoqëruara me ndryshime të theksuara gangrenoze. Në momentin e pranimit, fëmija ishte në gjendje të rënduar shëndetësore, me shenja të hipotrofisë (me dyshim për kequshqyerje) dhe me vështirësi në komunikim”, u tha në përgjigjen e QKUK-së për KOHËN.
Aty u tha se menjëherë pas pranimit në Emergjencën Qendrore janë realizuar konsultat nga kirurgu plastik dhe pediatri, të cilët kanë rekomanduar hospitalizimin urgjent në Klinikën e Pediatrisë – Repartin e Kujdesit Intensiv Pediatrik, për trajtim dhe monitorim të mëtejmë.
Nga QKUK-ja kanë thënë se duke pasur parasysh dyshimet për keqtrajtim të mundshëm të fëmijës, janë njoftuar organet kompetente, përfshirë Policinë dhe shërbimet sociale, siç thuhet, në përputhje me procedurat dhe detyrimet ligjore për mbrojtjen e fëmijëve.
“Pas pranimit në Kujdesin Intensiv Pediatrik, fëmija i është nënshtruar ekzaminimeve të plota laboratorike dhe imazherike. Trajtimi intensiv i plagëve është duke vazhduar, ndërkohë që janë realizuar edhe konsultat multidisiplinare me kirurgun vaskular, kirurgun plastik dhe ortopedin. Për shkak të gjendjes së rënduar psikologjike, në procesin e trajtimit janë përfshirë edhe psikologu, psikiatri i fëmijëve dhe punëtori social, me qëllim të vlerësimit dhe ofrimit të mbështetjes së nevojshme psikosociale”, u tha në njoftim.
Sipas autoriteteve, nga pranimi në QKUK, fëmija ishte nën mbikëqyrjen e stafit mjekësor dhe punëtorëve socialë.
Ndërkohë drejtoresha e Qendrës për punë sociale në Lipjan, Makfire Shamolli, ka thënë se i kanë marrë në përkujdesje edhe 6 fëmijë të tjerë të kësaj familjeje.
Ajo ka thënë se me këtë familje janë marrë edhe më herët. “I kemi marrë edhe 6 fëmijë të tjerë të familjes për të ju ofruar siguri”, ka thënë Shamolli.
Reagimi institucional
Pas publikimit në media, Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare ka thënë se institucionet përgjegjëse kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme për mbrojtjen e fëmijëve.
“Nga momenti i njoftimit, institucionet përgjegjëse kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme për mbrojtjen e fëmijëve. Qendra për Punë Sociale në Lipjan, në koordinim me Departamentin e Shërbimeve Sociale në Ministri, në përputhje me mandatet e tyre ligjore, kanë ndërhyrë menjëherë dhe 6 fëmijët tjerë të kësaj familjeje janë vendosur në strehim dhe në mbrojtje në një vend të sigurt”, u tha në reagimin e kësaj Ministrie.
VIDEO:
Ministria po ashtu ka kërkuar që Inspektorati për Shërbime Sociale dhe Familjare të fillojë hetimin institucional lidhur me trajtimin e këtij rasti.
“Gjithashtu, ka kërkuar që Inspektorati për Shërbimet Sociale dhe Familjare të fillojë me urgjencë hetimin institucional lidhur me trajtimin e këtij rasti nga Qendra për Punë Sociale në Lipjan, në mënyrë që të verifikohet nëse janë zbatuar të gjitha obligimet ligjore dhe procedurat për mbrojtjen e fëmijëve, dhe mundësive të parandalimit”, u tha në komunikatën e të martës.
E të mërkurën Blerim Shabani, drejtor i departamentit për politika të shërbimeve sociale dhe familjare në kuadër të kësaj ministrie, ka deklaruar se përgjegjësia për ofrimin e shërbimeve direkte për fëmijët dhe të rriturit që kanë nevojë për shërbime sociale dhe familjare, është e komunave dhe jo e ministrisë.
Shabani ka thënë se çështja e trajtimit dhe menaxhimit të rastit është kompetencë ekskluzive e komunës.
“Çështja e trajtimit dhe menaxhimit të rastit është kompetencë ekskluzive e komunave, më saktë e Qendrës për Punë Sociale që është në kuadër të komunës... Ministria ka përgjegjësi në bazë të mandatit të hartojë legjislacion primar sekondar, programe, standarde, politika për mbikëqyrjen, por nuk është përgjegjëse për ofrimin e shërbimeve direkte për fëmijët dhe të rriturit që kanë nevojë për shërbime sociale dhe familjare, kjo është përgjegjësi direkte e qendrave për punë sociale, gjegjësisht e komunave”, ka thënë ai.
Shabani ka shtuar se Ministria ka kërkuar raport të hollësishëm për trajtimin e rastit, si dhe është autorizuar njësia inspektuese.
“Kemi marrë disa hapa siç është mbikëqyrja profesionale, kemi kërkuar një raport të hollësishëm për trajtimin e rastit të fëmijëve nga Qendra për Punë Sociale, kemi autorizuar edhe njësinë inspektuese. Kemi ofruar pëlqimin për vendosjen e fëmijëve në strehim familjar dhe normalisht autorizimin për njësinë inspektuese. Nuk mund të japë informacione të tjera pa e pasur raportin kronologjik të mbikëqyrjes profesionale dhe atë preliminar të inspektimit për të identifikuar se cilat veprime janë ndërmarrë”, ka thënë ai.
Ndërsa për fëmijët e tjerë të kësaj familjeje, të cilat janë marrë nën përkujdesje nga qendra për Punë Sociale, ai ka thënë se gjenden “në një vend të sigurt dhe po marrin kujdesin institucional në përputhje me përgjegjësitë të gjitha mekanizmave që kanë përgjegjësi në kryerjen e detyrave zyrtare”.
Në Komunën e Lipjanit kanë thënë se nëse vërtetohet se ka pasur neglizhencë nga zyrtarët e Qendrës për Punë Sociale, do të ndërmerren masa.
“QPS ka qenë e informuar për rastin dhe sigurisht dhe duke e trajtuar tani rasti është duke u trajtuar nga organet kompetente dhe ne jemi duke pritur një analizë dhe një raport të detajuar lidhje me këtë rast. Derisa nuk kemi një raport të detajuar nuk jemi kompetent të flasim por nëse konstatohet se ka pas neglizhencë ose shkelje nga ana e zyrtarëve patjetër që do të ndërmarrim masa… Përfshihet suspendimi dhe largimi”, ka thënë zëdhënësja e Komunës, Besarta Qadraku.
Reagimi i shoqërisë civile
Përderisa autoritetet kanë thënë se është fazë e hershme e hetimeve, organizata të shoqërisë civile kanë fajësuar shtetin për dështim. Koalicioni i organizatave joqeveritare për mbrojtjen e fëmijëve (KOMF) ka thënë se ky rast ka shpërfaqur dështimin e institucioneve në mbrojtjen e fëmijëve dhe ngre shqetësime serioze për funksionimin dhe reagimin në kohë të mekanizmave mbrojtës.
“Sipas të dhënave të institucioneve, kjo familje ishte rast i njohur për institucionet prej katër vitesh. Ky rast, edhe një herë, shfaq dështimin e institucioneve në mbrojtjen e fëmijëve dhe ngrit shqetësime serioze për funksionimin dhe reagimin në kohë të mekanizmave institucionalë për mbrojtjen e tyre”, u tha në reagim të KOMF-it. “Shteti ka obligim ligjor të jetë mburoja e parë e fëmijës kur familja dështon. KOMF kërkon hetim të plotë institucional, duke përfshirë hetimin e gjithë zinxhirit të institucioneve të përfshira në rast dhe marrjen e masave në përputhje me të gjeturat, duke siguruar llogaridhënie dhe përgjegjësi institucionale”.
Sipas KOMF-it, rasti konfirmon nevojën urgjente për reforma rrënjësore dhe investime të menjëhershme në sistemin e mbrojtjes sociale.
“Është jetike që institucionet të zhvillojnë programe të mirëfillta për fuqizimin e familjeve në krizë dhe të ofrojnë shërbime sociale e familjare që parandalojnë eskalimin e rasteve të tilla përpara se të jetë tepër vonë”, thuhej në reagimin e KOMF-it.
KOMF-i u ka kërkuar edhe qytetarëve që të mos qëndrojnë indiferentë e të raportojnë çdo dyshim menjëherë te Policia.
Ndërkaq Qendra për Informimin dhe Përmirësimin Social ka thënë se ndër shkaktarët që çuan te ky rast ka qenë mosfunksionimi i sistemit të shëndetit mendor.
Kësaj familjeje, sipas QIPS-it, i ishin larguar fëmijët përkohësisht katër vjet më parë pasi Qendra për Punë Sociale e kishte alarmuar Policinë për kushtet e jetesës dhe se neglizhenca e fëmijëve ishte rezultat i problemeve të shëndetit mendor me të cilat ballafaqohej nëna e fëmijëve.
“Në atë kohë, nëna e fëmijëve ishte dërguar në Klinikën Psikiatrike të Prishtinës, ku supozohet se është diagnostikuar nga stafi dhe i janë ndarë mendimet gjykatës rreth aftësisë së individit për vetë-kujdesin dhe kujdesin ndaj fëmijëve të saj. Megjithatë, pavarësisht situatës dhe shqetësimeve të ngritura, gjykata riktheu fëmijët dhe, sipas informatave që kemi, familja ka mbetur tërësisht e pambështetur dhe pamonitoruar nga shërbimet e shëndetit mendor përgjatë këtyre viteve”, thuhet në reagim.
QIPS-i ka thënë se Qendrat e Shëndetit Mendor e kanë të vështirë funksionimin për shkak të mungesës së mbështetjes nga Ministria e Shëndetësisë.
“Andaj, ne thërrasim që Ministria e Shëndetësisë, me urgjencën dhe kujdesin më të lartë, të mobilizojë burimet e veta për fuqizimin e shërbimeve komunitare të shëndetit mendor dhe ristrukturimin e strategjive të shëndetit mendor drejt mbështetjes, risocializimit dhe fuqizimit në komunitet”, u tha në reagim të QIPS-it.
Ndërkaq në reagimin e zyrës së UNICEF-it është thënë se rasti është shkelje serioze e Konventës për të drejtat e fëmijëve.
“KDF është direkt e zbatueshme në Kushtetutën e Kosovës, e cila i jep instrumenteve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut prioritet mbi ligjet vendore. Kjo vendos një detyrim të qartë ligjor mbi të gjitha institucionet për të parandaluar, identifikuar dhe për t’iu përgjigjur në mënyrë efektive rasteve të dhunës dhe neglizhencës ndaj fëmijëve. Ky rast tregon nevojën urgjente për të forcuar sistemet e mbrojtjes së fëmijëve, për të siguruar identifikimin e hershëm të fëmijëve në rrezik në shëndetësi, arsim dhe shërbime sociale, si dhe për të ofruar mbështetje të shpejtë familjeve të cenueshme për të parandaluar dhunën. Menaxhimi i koordinuar i rasteve në nivel komunal, shërbimet e funksionimit të plotë të mbrojtjes së fëmijëve dhe financimi i qëndrueshëm janë thelbësore për të parandaluar dhe për t’iu përgjigjur në mënyrë efektive dhunës ndaj fëmijëve”, thuhet në reagim të UNICEF-it në Kosovë.
Edhe UNICEF-i ka kërkuar hetim nga autoritetet e Kosovës.
Çka thotë Kodi Penal i Kosovës?
Sipas Kodit Penal të Kosovës, kushdo që shkel detyrimet e tij ligjore familjare, duke lënë në gjendje të rëndë anëtarin e familjes i cili nuk është në gjendje të kujdeset për vetën e tij, dënohet me burgim prej tre (3) muaj deri në tre (3) vjet burgim.
Sipas Kodit Penal kur vepra penale ka të bëjë me fëmijën, kryerësi dënohet me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet.