Rënia e numrit të nxënësve, mungesa e vlerësimit sistematik të mësimdhënësve dhe funksionimi i shkollave me vetëm dy apo tre nxënës në klasë po konsiderohen si sinjale se arsimi parauniversitar ka nevojë për reforma të thella. Këto ishin gjetjet e raportit të organizatës “ROSCAP”, që e publikoi të mërkurën, ku u dhanë edhe propozime konkrete që synojnë ndërhyrje emergjente në strukturën e sistemit arsimor në Kosovë.
“Arsimi prioritet? Nga peticioni te veprimet institucionale” ishte tema e konferencës së mbajtur të mërkurën nga rrjeti i OShC-ve arsimit parauniversitar ROSCAP.
Pensionimi i parakohshëm vullnetar për mësimdhënësit, riorganizimi i rrjetit të shkollave me më pak se 60 nxënës dhe vlerësimi periodik i performancës së mësimdhënësve ishin tri shtyllat kryesore të raportit “Reforma në arsimin parauniversitar në Kosovë: Propozim politikash emergjente”.
Sipas gjetjeve të raportit, të publikuar nga Rrjeti i OSHC-ve të arsimit parauniversitar ROSCAP vetëm 3 për qind e mësimdhënësve janë vlerësuar në mënyrë formale gjatë dekadës së fundit, ndonëse procesi i vlerësimit është i paraparë me ligj dhe me udhëzime administrative që nga viti 2011.
Në dokument theksohet gjithashtu se mbi 9 mijë nxënës ndjekin mësimin në shkollat amë dhe në paralelet e ndara që nuk i plotësojnë kriteret ligjore për numrin minimal të nxënësve.
Drejtori ekzekutiv i “Teach for Kosova”, Egzon Gashi, tha se mbi 6 mijë mësimdhënës në Kosovë i përkasin grupmoshës 55 deri në 64 vjeç.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Qëllimi kryesor këtu është ta krijojmë një rrugë të drejtë dhe njerëzore për mësimdhënësit që duana të tërhiqen më herët, pa detyrim dhe pa presion. Është e rëndësishme me ditë që është krejtësisht në baza vullnetare. Asnjë mësimdhënës nuk detyrohet, por realiteti është se numri i nxënësve në Kosovë po bie dhe ne kemi shkolla ku në disa raste ku ka më pak nxënës se mësimdhënës ose klasa me dy-tre nxënës. Nëse riorganizojmë shkolla dhe sigurojmë transport për nxënësit nuk do të kemi klasa me dy apo tre nxënës”, ka thënë Gashi.
Ky raport nga Gashi tha se është si vazhdim i “Peticionit për Shpëtimin e Arsimit”, të cilin ROSCAP e organizoi dy vjet më parë.
Gashi, kujtoi se peticioni me 12 mijë nënshkrime i ishte dorëzuar Kuvendit të Kosovës, duke sqaruar arsyet që çuan në këtë iniciativë.
“Kosova u përball me një realitet të hidhur: në testimin ndërkombëtar PISA, vendi ynë doli ndër përformuesit më të dobët në botë për herë të tretë radhazi. Ndër përpjekjet e mëdha për t’i dhënë një përgjigje apo një arsye këtyre rezultateve që po prekin të ardhmen e fëmijëve tanë, u dha dhe shpjegimi i ndikimit të pandemisë fatkeqe edhe në arsimin e nxënësve tanë. E vërteta është që ne po refuzojmë të pranojmë realitetin tonë në arsim dhe po refuzojmë reforma që prekin strukturën dhe jo vetëm fjalorin”, pohoi Gashi.
Konferenca vijoi me panele diskutimi, ku morën pjesë ekspertë të arsimit dhe përfaqësues të institucioneve.
Drejtoresha Ekzekutive e OJQ-së LAPS, Lejla Leci tregoi arsyet e publikimit të këtij raporti që u bë publik në muajin mars.
“Kjo konferencë organizohet në kuadër të ROSCAP, rrjetit të organizatave të shoqërisë civile në arsimin parauniversitar, ku bëjnë pjesë 14 organizata të përkushtuara për edukim dhe rini. Për më tepër nuk është rastësi që jemi mbledhur pikërisht në këtë periudhë të marsit. Për ne ky muaj lidhet me dy data domethënëse: me datën e 7 Marsit, Ditën e Mësuesit, ditën kur nderojmë punën dhe rolin e të gjithë mësimdhënësve; dhe gjithashtu dyvjetorin e nisjes së peticionit për shpëtimin e arsimit, një rrugëtim të cilin së bashku me organizatat e kemi nisur më 7 Mars 2024 dhe që prej atëherë po e çojmë përpara me avokim të vazhdueshëm, duke përfshirë edhe konferencën e sotme“, ka thënë Leci.
Në raport po ashtu theksohet se aktualisht 62 shkolla dhe 136 paralele të ndara nuk i përmbushin kriteret ligjore për funksionim dhe mbeten të hapura.
Rrjeti ROSCAP, që bashkon organizata të shoqërisë civile në arsimin parauniversitar, është krijuar dy vjet më parë.