Regjistrimi i popullsisë, i ekonomive familjare dhe i banesave është vlerësuar si një prej ndërmarrjeve më të rëndësishme institucionale në hapjen e “Javës së regjistrimit të popullsisë”. Në konferencën e organizuar me këtë rast, të martën, të dhënat që do të dalin nga regjistrimi i planifikuar për vitin e ardhshëm janë vlerësuar si pikëreferencë për planifikime afatgjata dhe si bazë për politikat e së ardhmes
Kryeministri Albin Kurti beson se regjistrimi i popullsisë do ta mundësojë orientimin e politikave më të mira për qytetarët.
Në konferencën e mbajtur të martën, me rastin e hapjes së “Javës së regjistrimit të popullsisë 2023”, të organizuar nga Agjencia e Statistikave e Kosovës, ai është lavdëruar për rritjen ekonomike gjatë qeverisjes së tij.
“Të dhënat na ndihmojnë të sigurojmë nivel më të lartë të transparencës dhe të llogaridhënies. Ato, po ashtu, janë pikë referuese për një planifikim afatgjatë dhe parashikime të zhv illimeve të rëndësishme socio-ekonomike. Të dhënat flasin për një rritje ekonomike historike në vendin tonë për vitin që shkoi, me 10.7 për qind të bruto produktit vendor, ndërkaq në çerekun e parë të këtij viti kemi rritje mbi 4 për qind të bruto produktit vendor, pasi që të zbritet inflacioni. Rritjen ekonomike po e shpërndajmë te qytetarët, nëpërmjet masave e politikave të informuara nga të dhënat”, ka thënë Kurti.
Regjistrimi i popullsisë në Kosovë është planifikuar që të bëhet nga data 1 shtator deri më 16 tetor të vitit 2023.
Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Liburn Aliu, ka theksuar se me anë të regjistrimit të popullsisë e ekonomive familjare dhe banesave do të mundësohet një planifikim më i mirë i territorit.
“Instituti për Planifikim Hapësinor të Kosovës, në kuadër të Ministrisë, ndihmon në planifikimin e territorit dhe në bashkëpunim të ngushtë me sektorë të rëndësishëm të Qeverisë së Kosovës, harton një sërë të tërë të raporteve sektoriale të nevojshme për paraqitjen sa më reale të zhvillimit ngushtë me sektorë të rëndësishëm të Qeverisë së Kosovës, harton një sërë raportesh sektoriale të nevojshme për paraqitjen sa më reale të zhvillimit hapësinor sektorial. Në këtë rast ASK-ja është burimi kryesor i të dhënave për Institutin e procesit të hartimit të planeve hapësinore, dokumenteve strategjike në sektorin e planifikimit, si dhe dokumenteve strategjike të zonës gjeografike të vendit për nivelin qendror”, u shpreh ai.
Të pranishëm në konferencë, përfaqësues të Bashkimit Evropian dhe të Kombeve të Bashkuara thanë se regjistrimi i popullsisë do të ofrojë një bazë për vendimmarrje dhe qeverisje të mirëfilltë.
“Popullata e Kosovës nuk është e përfshirë në raportin zhvillimor vjetor që zhvillohet apo kryhet nga Programi Zhvillimor i Kombeve të Bashkuara. E shohim këtë si mundësi të jashtëzakonshme për të pasur të dhëna gjithëpërfshirëse dhe të mirëfillta për të ndihmuar njerëzit e Kosovës. Siç ju e dini, ne punojmë bashkërisht me Qeverinë e Kosovës në 17 objektiva zhvillimore të qëndrueshme. Pra, do të jetë diçka shumë transformuese për punën që e bëjmë ose për planifikimin e arritjeve që Kosova po bën në matjen ndërkombëtare të progresit drejt objektivave të qëndrueshme”, pohoi Arnhild Spence, koordinatore për zhvillim e OKB-së në Kosovë.
Johannes Stenbaek Madsen, udhëheqës i Njësisë së Bashkëpunimit në Zyrën e BE-së në Kosovë, e ka vlerësuar regjistrimin e popullatës si një mjet të domosdoshëm për zhvillimin e një shoqërie demokratike.
“Kosova ka pasur përvojën e kryerjes së dy regjistrimeve që fatkeqësisht nuk kanë mundur të kryheshin në tërë territorin e Kosovës. Ky regjistrim duhet të kryhet derë më derë”, deklaroi Madsen.
Regjistrimi i vitit të ardhshëm do të jetë i dyti në Kosovë pas luftës.
Më 2011, regjistrimi ishte kryer pa përfshirë katër komunat e veriut: Leposaviq, Zubin-Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut.
Pa këto komuna, numri i popullsisë doli të jetë 1.739.825.