Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar se njësia B2 është rikthyer në operim të mërkurën dhe aktualisht po operon me kapacitet prej rreth 290 MWh.
Operimi i kësaj njësie ishte ndaluar më 26 tetor, si rezultat i rrjedhjeve në kaldajë.
“Menjëherë pas krijimit të kushteve të nevojshme për ndërhyrje, të gjitha ekipet teknike të mirëmbajtjes dhe operimit janë mobilizuar plotësisht dhe kanë punuar pa ndërprerje për sanimin e defekteve të paraqitura, me qëllim të rikthimit sa më të shpejtë të njësisë në funksionim normal. Falë angazhimit të jashtëzakonshëm të stafit të Termocentralit “Kosova B”, të gjitha sanimet janë përfunduar me sukses dhe njësia B2 është rikthyer në operim dje, rreth orës 12:00 dhe aktualisht njësia është duke operuar me një kapacitet prej rreth 290 MWh”, thuhet në njoftimin e KEK-ut.
Tutje në njoftim thuhet se “është e rëndësishme të theksohet se edhe operatorët e tjerë të sektorit energjetik në vend përballen me defekte të natyrave të ndryshme teknike, madje edhe në baza ditore, dhe këto situata asnjëherë nuk alarmohen në publik”.