Arbëri

Rinia Demokratike kundërshton rritjen e çmimit të rrymës

pdk

Foto: Driton Paçarada

Rinia Demokratike e Kosovës ka zhvilluar aksion simbolik para ndërtesës së Ministrisë së Ekonomisë, kundër kërkesës së KESCO-s për rritje të çmimit të rrymës rreth 21%.

Në emër të Rinisë Demokratike të Kosovës, foli kryetari i degës në Prishtinë, Trim Syla, i cili theksoi se ky aksion është një thirrje për përgjegjësi.

“Sot s’kemi ardhë me pankarta. Kemi ardhë me një faturë. Një faturë që po e ngulfat jetën e qytetarëve çdo muaj. Një familje në Kosovë, me 1000 euro të ardhura mujore, ka 1085 euro shpenzime bazike. Pa luks. Pa pushime. Pa kursime. Vetëm bukë. Vetëm rrymë. Vetëm ngrohje. Vetëm qira, ilaçe dhe shkollë për fëmijët. Minus 85 euro çdo muaj. Çdo muaj fillon me borxhe. Çdo muaj mbyllet me frikë”, theksoi Syla.

Syla shtoi se këto shpenzime janë për një familje ku dy anëtarë janë të punësuar.

“Paramendojeni sa e vështirë është jeta për ta. E lëre më për një familje që ka vetëm një anëtar të punësuar. Aty nuk flasim më për vështirësi. Aty flasim për mbijetesë. Shkaku kryesor? Rryma. 175 euro faturë mujore për energji elektrike. Rritja prej 21% e çmimit të energjisë elektrike nuk është reformë. Është goditje direkte ndaj familjes. Është shtytje drejt varfërisë. Energjia nuk është luks. Është nevojë bazike. Sot, kjo faturë do të qëndrojë këtu derisa dikush të marrë përgjegjësi. Sepse Kosova nuk mund të qeveriset duke e ftohur shtëpinë e qytetarit, për ta ngrohur propagandën e Albin Kurtit”, ka përfunduar Syla.

Përmes një tabele me çmimet e produkteve e shërbimeve të përditshme të një familjeje mesatare shqiptare, aktivistët e PDK-së kanë shprehur kundërshtinë për rritjen e çmimeve.

“Jetojmë me borxhe! Rritja 21% e rrymës na varfëron edhe më shumë”, është shkruar në tabelën që kanë paraqitur.