Mungesa e vetëdijesimit tek të rinjtë konsiderohet si shkaktar kryesor i rritjes së numrit të personave të prekur me HIV/AIDS. Profesionistët shëndetësorë thonë se janë shqetësuese shifrat, të cilat tregojnë se nga janari deri në korrik janë regjistruar 19 raste të reja. Për këtë sëmundje seksualisht të transmetueshme testimi e terapia në Kosovë janë falas. Megjithatë, në Klinikën Infektive e vlerësojnë të ulët numrin e personave që testohen.
Është vlerësuar shqetësuese nga profesionistët shëndetësorë rritja e numrit të qytetarëve të infektuar me HIV/AIDS.
Ditë më parë Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik (IKSHPK) ka njoftuar se nga janari deri në korrik janë regjistruar 19 raste të reja të prekura e një i vdekur. Ndërsa vitin e kaluar ishin 29 raste.
Numri i personave që janë testuar për sëmundje seksualisht të transmetueshme sivjet në Klinikën Infektive është rreth 160, por në këtë Klinikë thonë se ky numër do të duhej të ishte më i lartë.
Infektologia në repartin e sëmundjeve seksualisht të transmetueshme, Arbana Kasumi-Shala, i këshillon sidomos të rinjtë që të testohen dhe mbi të gjitha ta ruajnë shëndetin e tyre, duke u mbrojtur gjatë marrëdhënieve seksuale.
“Për mua është shqetësuese, t’ju them të drejtën, sepse këta dy vjetët e fundit kemi rritje shumë më tepër të pacientëve për dallim me vitet paraprake dhe kjo është, mendoj, për shkak të mosvetëdijesimit të të rinjve, sepse zakonisht kjo sëmundje po i prek zakonisht të rinjtë. Mospërdorimi i masave mbrojtëse, mosinformimi, mosleximi, këto janë ato që e bëjnë që një i ri për shembull po infektohet me një virus e që mund të mos vijë deri tek infektimi”, ka thënë infektologia Kasumi-Shala. “Shëndeti ruhet së pari duke marrë masat mbrojtëse, ata të cilët do të kenë marrëdhënie seksuale, do të kenë partnerë të ndryshëm, të marrin masat mbrojtëse, të testohen, në momentin kur rezultojnë pozitivë të vijnë në Klikën Infektive dhe menjëherë të trajtohen”.
Krahas Klinikës Infektive të QKUK-së, qendra ku mund të bëhet testimi vullnetar dhe këshillimi ka edhe në zyrat e OJQ-së “Labirint” në Prishtinë, Prizren e Gjilan, si dhe në Qendrën e Studentëve në Prishtinë.
Kasumi-Shala thotë se në klinikë janë duke u duke u trajtuar 108 pacientë me HIV, në mesin e të cilëve shumica janë burra.
Ashtu sikurse testimi, në Klinikën Infektive falas është edhe terapia e njohur si PrEP, e cila ka filluar të administrohet që nga viti i kaluar që shërben për parandalimin e kësaj sëmundjeje.
Megjithatë, ajo thekson se kjo terapi ofron mbrojtje vetëm në raport me HIV-in.
“Ata që dëshirojnë të kenë kontakte seksuale me ndërrim të partnerëve i kisha lutur të vijnë në Klinikën Infektive dhe ta marrin Profilax-ën, është PrEP terapia, ajo që i mbron 99 për qind, sipas statistikave. Kështu që ato janë falas, merren në Qendrën për këshillim dhe testim. Për momentin është dita e mërkurë kur i japim ato tableta, por besoj se nga shtatori do t’i japim edhe në ditët e tjera”, ka thënë infektologia Kasumi-Shala. “Një sqarim: këto tableta janë vetëm për mbrojtje nga virusi i HIV-it, nuk janë edhe për sëmundjet e tjera seksualisht të transmetueshme”
Të pyetur lidhur se çfarë kanë bërë për vetëdijesimin e qytetarëve për HIV-in, në IKSHPK kanë thënë se kanë bërë fushata vetëdijesuese, përmes rrjeteve sociale dhe mediave tradicionale.
“Sa i përket ngritjes së vetëdijes dhe informimit, fushatat e organizuara nga IKSHPK në bashkëpunim me institucionet e tjera shëndetësore, partnerët ndërkombëtarë, shoqërinë civile, komunitetin dhe mediat janë të vazhdueshme, qoftë përmes edukimit dhe promovimit shëndetësor, këshillimit dhe thirrjeve për testim vullnetar, shënimit të ditëve botërore të këtyre sëmundjeve, përdorimit të rrjeteve e platformave sociale dhe mediave tradicionale, për informim dhe ndërgjegjësim për parandalimin dhe zbulimin e hershëm. Fushatat kanë ndikuar në zbulimin dhe detektimin e hershëm, por edhe në informimin e komunitetit për rreziqet nga këto sëmundje dhe mënyrat për t’u mbrojtur”, thuhet në një përgjigje të IKSHPK-së, e në të cilën theksohet se Kosova është ndër vendet me përhapje të ulët të HIV-it.
Grupet me të rrezikuara, sipas IKSHPK-së, janë: burrat që bëjnë seks me burrat, personat që injektojnë droga me shiringa, si dhe punonjëset e seksit.
Sipas IKSHPK-së, infeksionet seksualisht të transmetueshme përgjithësisht kanë një rritje të lehtë të rasteve krahasuar me vitet e fundit.