Arbëri

Rudari: Oponentët politikë i mposhtim me punë, jo me fjalë

Foto: Koha

Lidhja Demokratike e Kosovës ka hapur fushatën zgjedhore për zgjedhjet e 15 marsit që do të mbahen në komunën e Podujevës.

Ish-kreu i kësaj Komune, Agim Veliu, tha se “kur thonë se nuk është bërë asgjë në Podujevë ndoshta kanë të drejtë se nuk dinë të bëjnë siç kemi qeverisur ne”.

“LDK udhëhiqet në harmoni me ligjin. Do të vazhdoj me realizimin e programit me kryetar Nexhmi Rudarin. Nexhi me drejtorët e tij do ta vazhdojë programin 4 vjeçar që e kemi nisur më 2017. Edhe tash do të dalim fitues për të 16 herë me radhë”, ka thënë Veliu para të pranishmëve në shkollën “Ibrahim Rugova” në Podujevë, raporton “Koha Ditore”.

Ai ka kritikuar kandidatin e VV-së për të parin e Podujevës, Shpejtim Bulliqin, i cili më parë ka qenë anëtar dhe deputet i LDK-së, për siç ka thënë, “pushtim të kalasë nga jashtë”. Ka thënë se “po e baltosin e pështyjnë sofrën që i ushqeu”.

Nexhmi Rudari, kandidati i LDK-së, para të pranishmëve tha se projektet dhe punët e mira po e bëjnë LDK-në të pamposhtur në Llap.

“Të tjerët e shohin Podujevën si plaçkë. Qeverisja e mirë na ka bërë të pamposhtur dhe triumfues qe 20 vjet. LDK nuk thirret në kauzë të rreme e premtime të parealizuara. LDK-ja bën punë të mëdha. Deri më 2021 do të rrumbullakohen projektet e mëdha si ndërtimi i kolektorit të ujërave të zeza, do të përfundojë bulevardi i qytetit, jemi në përfundimin e asfaltimit të rrugëve, jemi në përfundim të objektit të qendrës emergjente dhe së shpejti do të fillojë aneksi i spitalit. Së shpejti do të fillojë edhe ndërtimi i palestrës sportive. Do të ndërtojmë terrene sportive. Oponentët politikë nuk i mundim me fjalë, por me punë”, u shpreh Rudari.

Në tubim ishte e pranishme edhe kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, e cila tha se ka ardhur “për t’i dhënë përkrahjen e plotë Nexhmi Rudarit i cili më 15 mars do të jetë kryetar i Podujevës”.

“Podujeva do të ketë përkrahjen e plotë nga niveli qendror për t’i shtyrë përpara projektet”, theksoi Osmani.

Kurse kreu i LDK-së, Isa Mustafa, para të pranishmëve, e ka falënderuar kryetarin e deritashëm të komunës, Agim Veliun, për projektet që i ka bërë në Podujevë.

Për Rudarin ka thënë se është i besueshëm e i ditur. “Nexhmi, jam shumë i bindur që më 15 mars do të jetë një fitore e madhe. Për kundërkandidatët nuk dua të flas, më mirë është të bëjnë punët e veta nëse dinë t’i bëjnë. Ata nuk njihen për punë të mira, ma shumë veç telashe na kanë bërë”, theksoi Mustafa.