Projekti për rinovimin e sallës së sporteve në Ferizaj po vazhdon të zvarritet tash e dy vjet. Shkaku i saj, klubet sportive po i realizojnë aktivitetet e tyre në ambiente të ftohta. Klubet dhe Komuna e Ferizajt kanë kërkuar ndihmë nga niveli qendror për finalizimin e projektit. E në Fondin e Kosovës për Efiçiencë të Energjisë që e ka mbështetur financiarisht projektin, kanë thënë se ai do të përfundojë më 15 maj të këtij vitit
Projekti gjysmëmilionësh për rinovimin e sallës së sporteve në Ferizaj tash e dy vjet nuk ka përfunduar.
Kjo gjendje e sallës ka bërë që klubet sportive në këtë komunë t’i realizojnë aktivitetet sportive në kushte të rënda. Ata ankohen për situatën e krijuar.
Xhavit Morina, kryetar i klubit të hendbollit të femrave “Ferizaj”, ka thënë se sportistët po humbin nga stërzgjatja e punimeve, e të cilat sipas kontratës, duhej të përfundonin në fund të vitit të shkuar.
“Rinovimi nuk ka shkuar siç duhet, sepse është stërzgjatur dhe kemi pasur pengesa të mëdha gjatë seancave stërvitore, por shpresojmë se në takimin e fundit që e kanë mbajtur komuna me kompaninë që e ka marrë për sipër rinovimin, po shihet se kanë filluar të punojnë pak me seriozitet”, ka thënë Morina.
Edhe Granit Sahiti, trajner i klubit të hendbollit te femrave “Ferizaj”, ka ankesë të ngjashme.
“Neve si sportistë na është shkuar faza e përgatitjeve ‘huq’, sepse kemi pasur të fillojmë më 5 janar dhe nuk kemi mundur nga të ftohtit. Tash kemi filluar pak me stërvitje, mirëpo nëse prapë prishet moti me disa dritare që i kemi të hapura, do të kemi vështirësi të mëdha”, ka thënë Sahiti.
Për realizimin e këtij projekti, Komuna e Ferizajt dhe Fondi Kosovar për Efiçiencë të Energjisë si institucion i pavarur, patën lidhur një memorandum të financimit në tetor të vitit 2020, por deri më tash projekti ka ngecur.
Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, ka thënë se secili projekt që nuk është menaxhuar nga komuna, gjithmonë ka pasur probleme në finalizim të punimeve.
“Është për të ardhur keq që klubet sportive gjatë gjithë kësaj kohe, kanë bërë angazhimet dhe respektivisht punët profesionale në kushte shumë të vështira dhe në kushte të të ftohtit e madje edhe jashtë kësaj salle vetëm e vetëm për ta mbajtur gjallë aktivitetin profesional, respektivisht që të marrin pjesë në garat ata ku janë në angazhimin e tyre”, ka thënë Aliu.
Në Fondin Kosovar për Efiçiencë të Energjisë kanë thënë se vonesat kanë ndodhur pasi në këtë sallë sportive derisa po kryheshin punët, janë zhvilluar edhe aktivitetet sportive.
“Punimet kanë filluar në pranverën e vitit 2022 dhe afati i mbarimit të punëve ka qenë data 31 dhjetor 2022, por duke pasur parasysh çrregullimet në tregun global, kontraktori ka njoftuar se ka hasur në vështirësi për të siguruar materialin e kualitetin të kërkuar sipas kontratës (i cili importohet nga jashtë vendit), ndërsa krahas kësaj, edhe Komuna e Ferizajt (në gusht 2022) pati kërkuar të realizohen disa ndryshime në projekt..., gjegjësisht nga xhamat transparentë si është dakorduar fillimisht në kontratë të vendosen xhama me ngjyrë të mbyllur, gjë që ka kontribuuar edhe më tej në vonesë në implementim”, thuhet në një përgjigje të Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë. “Sidoqoftë, aktualisht punimet janë duke vazhduar me planin dhe dinamikën e paraparë, përfshirë edhe disa masa emergjente për situatën e dimrit që u ndërmorën gjatë muajit janar”.
Fondi në një përgjigje për KOHËN, theksoi se afati i përfundimit të punimeve është shtyrë deri më 15 maj të këtij vitit.
Vlera e investimit për rinovimin e kësaj salle është rreth 500 mijë euro.