Në Tivat të Malit të Zi ka përfunduar pjesa zyrtare e samitit BE-Ballkani Perëndimor. Në fund të samitit nuk u miratua një deklaratë e përbashkët, por Bashkimi Evropian doli me një komunikatë, në të cilën u tha se liderët evropianë mirëpritën reformat që po vazhdojnë dhe riafirmuan përkushtimin ndaj procesit të zgjerimit të BE-së, të bazuar në merita.
Në komunikatën pas samitit u theksua se marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe bashkëpunimi rajonal mbeten thelbësore për përfitimin e të gjitha avantazheve të integrimit më të afërt. Po ashtu, u nënvizua rëndësia e forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit në fushën e politikës së jashtme, sigurisë dhe mbrojtjes.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoPo ashtu u diskutua për ofertat konkrete të BE-së për vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë “korsitë e gjelbra”, përparimin drejt integrimit në Tregun e Përbashkët të BE-së dhe në sistemin SEPA (Zona e Vetme e Pagesave në Euro), si dhe investimet në vazhdim për lidhjen digjitale në mbarë rajonin.
Duke u mbështetur në këtë përparim, gjatë samitit u theksuan edhe mundësi të reja për bashkëpunim, lëvizshmëri dhe ndërlidhje në rajon.
Përmes komunikatës u njoftua për nisjen e një bashkëpunimi më të ngushtë ndërmjet Ballkanit Perëndimor dhe Agjencisë së Bashkimit Evropian për Sigurinë Kibernetike, me qëllim forcimin e qëndrueshmërisë ndaj kërcënimeve kibernetike.
Nisja e një programi të ri të mobilitetit, i financuar nga BE-ja së bashku me Shkollën Rajonale për Administratë Publike, do t’u mundësojë deri në 100 nëpunësve civilë nga Ballkani Perëndimor të fitojnë përvojë profesionale në administratat e shteteve anëtare të BE-së.
Po ashtu, u bë i ditur edhe synimi i Komisionit Evropian që programin DiscoverEU, i cili përfshin ofrimin e biletave falas të udhëtimit për të rinjtë 18-vjeçarë, ta zgjerojë për të rinjtë nga të gjitha vendet e rajonit duke filluar nga viti 2027.
U konfirmua gjithashtu se Komisioni Evropian ka përgatitur hapat e radhës drejt krijimit të marrëveshjeve për roaming ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.
Në komunikatë u konfirmua po ashtu se BE-ja, nga Plani i Rritjes për vendet e rajonit, nga viti 2024 e deri më tani ka shpërndarë 673.6 milionë euro. Ndërkaq, liderët e rajonit u inkurajuan që të shfrytëzojnë sa më shumë mundësitë që ofron Plani i Rritjes, duke zbatuar reformat brenda afateve të parashikuara.
Ky plan i BE-së për periudhën 2024-2027, në vlerë prej 6 miliardë eurosh, synon qëllim përshpejtimin e afrimit ekonomik të rajonit me BE-në dhe mundësimin e qasjes graduale të tij në pjesë të tregut të përbashkët, para anëtarësimit të plotë. /REL