Arbëri

“Sauna” e drejtësisë

Temperaturat e larta që mbizotërojnë në zyra të objektit të Pallatit të Drejtësisë, në të cilin mungon klimatizimi, bënë që aty prej ditësh të shkurtohet orari i punës. Megjithëkëtë, në Shoqatën Sindikale në Gjykatën Themelore në Prishtinë thanë se për shkak të vapës së papërballueshme, përditë ndodhin raste që zyrtarë të këtij institucioni të kërkojnë trajtim mjekësor

Objekti në të cilin ndahet drejtësi, e ka mbushur sivjet një dekadë nga inaugurimi, por prej se është funksionalizuar, mungesa e klimatizimit është shndërruar në sfidë të përhershme për punonjësit dhe palët që i drejtohen Pallatit të Drejtësisë.

Temperaturat deri në 30 gradë celsius mbizotërojnë për çdo ditë vere nëpër salla gjykimesh e zyra.

E shkaku i kësaj gjendjeje, kryetari i Shoqatës Sindikale në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Naim Rrustemi, thotë se ndodh përditë që punonjësve t’u përkeqësohet gjendja shëndetësore e të kërkojnë trajtim mjekësor.

“Pasojat janë më të ndryshme. E para, kushtet për punë nuk janë. E dyta, ka pasur alivanosje, se për kërkim të trajtimit mjekësor çdo ditë kemi, mirëpo kushti çka është elementar, kushtet për punë janë zero. Me të vërtetë, pa klimatizim, pa ajrim është vështirë të punohet”, ka thënë Rrustemi.

Ai thotë se në vazhdimësi janë lënë pa përgjigje kërkesat e adresuara për rregullimin e klimatizimit dhe për këtë fajtore e mban Ministrinë e Punëve të Brendshme.

“T’kish qenë ky objekt privat, për tri ditë e kishin bërë zgjedhjen. Nuk e di pse po e neglizhon Qeveria, respektivisht Ministria e Punëve të Brendshme, kur gjithë ky objekt ka kushtuar miliona euro, me klima mos me u pajisë. Me të vërtetë po çuditem. Jeta e punëtorëve është këtu me të vërtetë në rrezik”, ka theksuar Rrustemi.

E zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi, tha se shkaku i situatës, orari i punës është reduktuar me vendim të Këshillit Gjyqësor.

“Bazuar në vendimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, në koordinim edhe me udhëheqësit e departamentit të Gjykatës Themelore, i kanë vlerësuar kushtet e punës dhe për shkak të temperaturave të larta kanë ndërmarrë disa masa të përkohshme”, ka thënë Gashi.

Krahas Gjykatës Themelore, vendim për shkurtim të orarit morën edhe në atë të Apelit dhe në Supreme.

Në KGJK thanë se janë njoftuar nga MPB-ja që procesi i rregullimit të termopompës së prishur është nisur pas përfundimit të procedurave të prokurimit.

KOHA e pyeti në MPB-në lidhur me punët rreth rregullimit të kësaj termopompe, porse nuk mori përgjigje.

Katër godinat që përbëjnë Pallatin e Drejtësisë, janë ngritur me mbështetje financiare të Bashkimit Evropian. Edhe procedurat e prokurimit për këtë projekt i pat zhvilluar BE-ja, zyrtarë të së cilës vazhdimisht kanë mohuar akuzat se punëkryesi nuk përmbushi detyrimet që lidhen me klimatizimin.