Arbëri

SBASHK-u paralajmëron grevë

Sindikalistët e arsimit kanë paralajmëruar mundësinë e hyrjes në grevë, në shtator kur të fillojë viti i ri shkollor. Këtë paralajmërim në SBASHK e ndërlidhën me mungesën e institucioneve funksionale, pa të cilat thanë se nuk kanë ku t’i adresojnë kërkesat për paga më të larta e kushte më të mira pune. Por njohës të arsimit e kualifikuan të padrejtë pezullimin e procesit mësimor shkaku i krizës politike

Me mungesë të institucioneve funksionale, Sindikata e Bashkuar e Arsimit (SBASHK) e ka justifikuar mundësinë e nisjes së vitit të ardhshëm shkollor me grevë.

Në SBASHK patën thënë se vendimi për grevë rreth kërkesave për paga më të larta, kushte më të mira pune, zbatim të Ligjit për Paga e të Kontratës Kolektive, do të merret në Kongresin e jashtëzakonshëm që do të mbahet së shpejti.

E, nënkryetarja e kësaj sindikate, Vjollca Shala, theksoi se ky paralajmërim u bë pasi pa formim të institucioneve, sindikata nuk ka se ku t’i adresojë kërkesat.

“Moskrijimi i institucioneve lë shumë ligje për sistemin arsimor që nuk mund të bëhen, edhe në të njëjtën kohë, shumë ligje që kërkojnë plotësim-ndryshim, nuk ka mundësi një gjë e tillë”, ka thënë Shala.

Ajo i numëroi edhe kërkesat që presin përgjigje.

“Ngritja e koeficientit të pagave – tashmë janë bërë 2 vjet që vlera e koeficientit në ligjin e pagave nuk është ngritur, duke e pasur parasysh ngritjen enorme të çmimeve të produkteve elementare. Po ashtu, ne e kemi dërguar një draft të kontratës kolektive në Ministrinë e Arsimit dhe ai draft i kontratës kolektive nuk është negociuar e lëre më të nënshkruhet dhe jemi i vetmi vend në Evropë që nuk kemi kontratë kolektive, e mos të flasim për kushtet e punës, cilësinë në arsim”, ka theksuar Shala.

Këto kërkesa, njohësi i arsimit, Rinor Qehaja, i kualifikon si legjitime, porse shprehet kundër cenimit të së drejtës së fëmijëve për arsimim.

“Nuk besoj që dikush mundet me i kontestu të drejtat e mësimdhënësve për rritje page, kushte më të mira të vendit të punës, mirëpo besoj që të gjithë duhet të jemi njëzëri, që në asnjë moment këto kërkesa nuk guxojnë me i cenu edhe të drejtat elementare dhe kushtetuese të fëmijëve për ta ndjekë shkollën në mënyrë të rregullt”, ka thënë Qehaja.

E ndërprerjen e procesit mësimor shkaku i krizës politike, ai e sheh të papranueshme.

“Kërcënimet me grevë për ndërprerje të procesit mësimor janë të papranueshme dhe nuk kanë kuptim të lidhen në korrelacion me mosthemelimin e Qeverisë, me ndërprerje të procesit mësimor si dëm për nxënësit. Kush është faji i fëmijëve për mos me ndjekë mësim se nuk po themelohet qeveria. Pra, me logjikë, në vete kjo është e papranueshme, por mbi të gjitha e padrejtë”, ka thënë Qehaja.

Për paralajmërimin për grevë KOHA pyeti në Ministrinë e Arsimit, porse deri në publikimin e këtij raporti nuk mori përgjigje.

Që nga viti 2003, SBASHK-u e ka përdorur presionin sindikal për plotësimin e kërkesave. Më 2022, procesi mësimor u pat ndërprerë për një muaj e një javë, shkaku i kërkesës për rritje page prej 100 eurosh.