Arbëri

Sekretari i Ministrisë së Zhvillimit Rajonal: S’e kemi pranuar aktakuzën, kur ta marrim dalim me sqarim

Besim Kamberaj

Sekretari i Ministrisë së Zhvillimit Rajonal, Besim Kamberaj, ka thënë se as asi e as avokati i tij nuk kanë qenë të njoftuar për ngritjen e aktakuzës për keqpërdorim të detyrës ndaj tij. 

Prokuroria Speciale të premten ka njoftuar se ndaj Kamberajt dhe ministrit ministrin në detyrë të Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, ka ngritur aktakuzë për keqpërdorim të detyrës. 

“Ne nga mediat e kemi kuptuar se është ngritur aktakuzë dhe as unë as avokati im nuk kemi qenë të njoftuar për këtë çështje. Posa të pranojmë në mënyrë zyrtare dokumentacionin do të dalim me sqarim”, ka deklaruat Kamberaj.

Sipas aktakuzës, Damka dhe Kamberaj dyshohen se nga data 16 gusht 2021 deri më 24 mars 2022 kanë tejkaluar kompetencat ligjore me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për dy organizata joqeveritare, “Germin” dhe “Caritas Zviceran”.

Prokuroria i akuzon zyrtarët se kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin për Marrëveshjet Ndërkombëtare dhe procedurat për financimin e OJQ-ve, duke ndarë fonde publike pa shpallje të thirrjes publike dhe jashtë kompetencës së Ministrisë.

Damka, të shtunën ka thënë se ende nuk ka marrë ftesë nga gjykata dhe se nuk mund të komentojë për një dosje që nuk e ka parë, pasi u pyet për ngritjen e aktakuzës nga Prokuroria Speciale për “keqpërdorim të pozitës zyrtare”.  

“Së pari, ende nuk kam marrë asnjë ftesë. Kështu që nuk mundem me komentu sepse nuk e kam lexuar. Kur të më thirr gjykata, do të paraqitem me plot vullnet. Jam i bindur se nuk kam bërë asnjë shkelje ligjore, asnjë keqpërdorim, asnjë cent të Republikës së Kosovës”, theksoi Damka.