Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se bordi i drejtorëve të Kompanisë Rajonale të Mbeturinave “Pastrimi”, nuk janë marrë fare me menaxhimin e mbeturinave në Prishtinë pavarësisht gjendjes së krijuar prej kohësh.
Armend Selimi nga ZKA-ja, ka thënë se para publikimit, raportin ia kanë dërguar edhe KRM “Pastrimit” edhe Komunës së Prishtinës. Ai në emisionin “60 Minuta” në KTV, është shprehur se Kompania e Pastrimit është pajtuar me të gjitha gjetjet ndërsa Komuna nuk ka kthyer përgjigje.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Para se të publikohet raporti i kemi dhënë mundësinë edhe KRM 'Pastrimit' edhe Komunës për të komentuar gjetjet tona. KRM 'Pastrimi' është pajtuar me të gjitha gjetjet tona ndërsa Komuna nuk ka kthyer përgjigje fare”, ka thënë Selimi.
Selimi ka deklaruar se kanë analizuar takimet e bordit të drejtorëve të kësaj kompanie, mirëpo kanë vërejtur se çështja e kontejnerëve të stërmbushur pavarësisht gjendjes në kryeqytet, nuk është trajtuar pothuajse fare.
“Bordi i drejtorëve të ‘KRM Pastrimi’ nuk ka ushtruar mbikëqyrje efektive mbi veprimtarinë e kësaj ndërmarrjeje. Në vend se të merret me problemin që është aktualisht, stërmbushja e kontejnerëve me mbeturina dhe përhapja e tyre nëpër trotuare, ata janë marrë me probleme të dorës së dytë – siç janë çështjet administrative dhe financiare”, ka thënë Selimi.
Selimi ka thënë se mbikëqyrja e gjendjes me mbeturinat ka dështuar edhe në hallkat e tjera të hirearkisë. Ai ka potencuar se Komisioni Komunal i Aksionerëve nuk është mbledhur që dy vite, ndonëse bordi i drejtorëve të KRM “Pastrimit” i jep përgjegjësi.
“Problemi është se ka edhe një shkallë tjetër në hirearki që është Komisioni Komunal i Aksionerëve para të cilit jep llogari ky bordi i drejtorëve. Ky komision nuk është mbajtur që dy vite fare. Përbëhet nga aksionarë që i emëron kryetari i Komunës dhe Kuvendi Komunal”, ka thënë Selimi.
Ndonëse rrugëve të kryeqytetit shihen kontejnerë të stërmbushur, sipas raportit të ZKA-së, 900 kontejnerë, Komunës së Prishtinës i qëndrojnë në depo.
Selimi ka thënë se për këtë, Komuna e KRM “Pastrimi” nuk kanë arsye por vetëm arsyetime.
“Komuna e Prishtinës në vitin 2024 ka blerë kontejnerë të cilët kanë qenë të dedikuar për Kompaninë Rajonale të Mbeturinave ‘Pastrimi’. Vlera e blerjeve ka qenë 744 mijë euro dhe janë blerë diku 3 mijë e 800 kontejnerë, mirëpo prej tyre 900 kontejnerë mbesin në depo të pashfrytëzuar ndonëse nevoja e tyre mbetet evidente. Arsyetimi ka qenë që për çështje teknike, puna e transpoirtit, pamundësia për t’i transportuar nëpër pikat e grumbullimit, këto kanë qenë disa arsyetime që i kanë dhënë Komuna dhe KRM Pastrimi”, ka deklaruar Selimi.
Në “60 Minuta” në KTV, Selimi është shprehur se edhe në disa kamionë për mbledhjen e mbeturinave ka mospërputhje në përshkrimin e shpenzimit të naftës.
“Në raportet mujore që i kemi analizuar të shfrytëzimit të kamionëve për periudhën 2023-2025 kemi parë që në disa kamionë, kilometrat e përshkruar janë zero. Nuk janë regjistruar fare kilometrat që i kanë kaluar këta kamionë. Në anën tjetër kemi raporte që këta kamionë kanë mbledhur mbeturina pra kanë shpenzuar edhe naftë. Arsyetime janë dhënë sepse kamionët janë të vjetër dhe nuk është që kompania ka marrë masa për të parandaluar prishjet në kamion dhe mundësia për kontroll është reduktuar”, ka thënë Selimi.
Të hënën, auditorja e përgjithshme, Vlora Spanca, përmes një konference për media ku u shpalos Plani Vjetor Auditues 2025/26, deklaroi se ka kryer auditim të performancës për menaxhimin e mbeturinave në kryeqytet, për shkak të interesit publik dhe situatës së krijuar në Prishtinë.