Arbëri

“Serbët më ndanë nga prindërit dhe i pushkatuan”

Banorët e fshatit Sllovi të Lipjanit mëngjesin e 15 prillit gjithmonë e nisin me homazhe për t’i përkujtuar 45 familjarët e tyre, të cilët u vranë e u masakruan 24 vjet më parë nga forcat serbe. E, të mbijetuarit, pas gjithë këtyre viteve, tregojnë se si forcat serbe ndanin fëmijët nga prindërit dhe i masakronin ata. Në këtë masakër serbët dogjën kufomat e një numri të civilëve

Sala Pacolli ishte fëmijë 24 vjet më parë, kur në sytë e saj forcat ushtarake dhe paraushtarake të Serbisë ia vranë të dy prindërit.

Ajo thotë se kujtimin e ka të freskët, kur 45 civilë u vranë atë ditë në Sllovi të Lipjanit, derisa ishin duke u larguar nga shtëpitë në drejtim të pyllit, për t’iu shmangur barbarive të regjimit të Sllobodan Millosheviqit.

Të shtunën janë bërë 24 vjet, prej kësaj masakre.

Në këtë ditë të vrenjtur, Sala çon buqeta lulesh te varret e dy prindërve, pa të cilët u rrit.

Ajo tregon ngjarjet e ditës që me vuajtje e kujton gjatë gjithë jetës.

“Forcat serbe na kanë larguar nga shtëpitë, sepse i djegshin ato. Kemi dalë në pyll, por atje na kanë rrethuar sërish forcat serbe. Të nesërmit m’i kanë mbytur prindërit”, ka thënë Pacolli. “Neve na kanë ndarë nga prindërit dhe na kanë thënë ikni nëpër pyll dhe ata i kanë vra aty dhe i kanë pushkatuar e i kanë bërë masakër”.

Ajo tregon se për një javë ka qëndruar në pyll pa ngrënë derisa forcat serbe ishin larguar nga pjesa e epërme e fshatit.

“Pas një jave jemi kthyer në fshat me të afërmit e tjerë, por për mua ka qenë e papërballueshme dhe shumë e rëndë jeta derisa mbeta pa prindër, pa më të dashurit e mi”, thotë ajo.

Sikurse Pacolli, banorët e fshatit Sllovi të Lipjanit mëngjesin e 15 prillit gjithmonë e nisin me homazhe për t’i përkujtuar 45 familjarët e tyre, të cilët u vranë e u masakruan 24 vjet më parë nga forcat serbe.

E, të mbijetuarit, pas gjithë këtyre vjetëve tregojnë se si forcat serbe ndanin fëmijët nga prindërit dhe i masakronin ata. Në këtë masakër serbët dogjën kufomat e një numri të civilëve.

Të mbijetuarit treguan se 15 dhe 16 prilli ishin ditë të rënda për të gjithë banorët.

Ramush Gërbeshit atë ditë serbët ia vranë vëllain, axhën dhe gruan e axhës. Ai tregon se i vëllai ishte me dy djemtë e axhës bashkë dhe pak më lart në pyll dhe pak metra mbi vendin ku e kishin pasur tendën për strehim të familjes i kanë vrarë. Ndërkaq, për axhën dhe gruan e tij thotë se i kanë vrarë poshtë te tendat, që u shërbenin si strehë.

“Pastaj, e kanë djegur tendën dhe gruaja e axhës është djegur më shumë se gjysma”, rrëfen Gërbeshi. “Pastaj djali i saj ka shkuar dhe i ka tërhequr nga aty dhe është munduar ta shuan me dhe zjarrin mbi kufoma”.

Ai tregon se si u veprua edhe me të masakruar të tjerë, me masakrën e dytë që serbët bënë me të vdekurit dhe për përpjekjet e tyre që t’i fshehin krimet, duke i dërguar kufomat në Serbi.

“Pasi që kanë ecur forcat serbe nga ky vend, janë varrosur 17 të vdekur aty, ndërkaq rreth 90 persona të plagosur i kanë bartur në vende të tjera. Pastaj forcat serbe janë kthyer dhe i kanë nxjerrë kufomat nga dheu dhe i kanë marrë e i kanë dërguar në Batajnicë (Serbi)”, ka thënë Gërbeshi. “Ndërkohë shumë më vonë janë kthyer nga Batajnica”.

Sali Salihu është i mbijetuar i masakrës. Ai rrëfen se serbët e rrahën atë me të vëllanë, derisa u alivanosën.

“Mua dhe vëllain na kanë rrahur aq shumë sa që nuk di se si ta përshkruaj. Vëllai nuk mundi t’i përballojë ato plagë se me dru na kanë rrahur dhe pastaj nuk kemi ditur asgjë”, ka treguar ai. “Mua më ka ardhur vetëdija dhe kam shkuar te një i afërm ngadalë dhe i kam thënë: ‘merrma vëllanë se po ma marrin serbët dhe po ma humbin sikur të tjerët’. Janë bë 5 apo 6 veta dhe e kanë varrosur”, ka thënë Salihu.

Komuna e Lipjanit ka organizuar një akademi përkujtimore me rastin e 24-vjetorit të rënies së dëshmorëve dhe martirëve të komunës.

Kryetari i kësaj komune, Imri Ahmeti, ka thënë se para 24 vjetësh Sllovia dhe të gjitha lagjet e fshatrat e kësaj komune po sulmoheshin nga paramilitarët serbë, të cilët më pas kryen masakra mbi popullatën civile.

“Nuk mund t’i shmangemi rikujtimit të ditëve të prillit të përgjakur kur dhuna, krismat, vrasjet e dëbimi masiv me dhunë nga shtëpitë tona, kur era e shkatërrimeve mbuloi të gjithë shtëpitë tona e në veçanti fshatrat Sllovi, Ribar i Vogël, Hallaq i Vogël, ku barbarisht u pushkatuan fëmijë, gra e të moshuar. U plagosën, u dëmtuan e maltretuan fshatarët nga shtëpitë e tyre. Vitet po kalojnë e tani 24 vjet më vonë pesha e dhimbjes po shtohet çdo ditë e më tepër”, ka thënë Ahmeti.

Sipas tij, dëshmorët dhe martirët vetëdijshëm u flijuan për ndërtimin e shtetit dhe për lirinë e Kosovës.

“Dita si kjo duhet të na shërbejë si referencë për punë të mira, për të ruajtur me fanatizëm vlerat sublime të lirisë e gjakut të derdhur për shtet”, ka thënë Ahmeti. “Ne kemi arritur idealet e atyre vetëm atëherë kur arrijmë ta ndërtojmë vendin tonë duke shënuar progres, kur jeta e secilit prej neve është përmirësuar, kur mirëqenia e të gjithë qytetarëve pa dallime ka progres”.

Masakra është përkujtuar edhe nga kryeparlamentari Glauk Konjufca, i cili ka theksuar se edhe kjo masakër dëshmon për gjenocidin e kryer nga ushtria dhe policia e Serbisë.

“Viktima të kësaj ploje mizore qenë burra, gra, të rinj dhe pleq të paralizuar. Hasanin 18 vjeç e ekzekutuan në sy të babait, ndërsa nënë Halimen 84-vjeçare e dogjën të gjallë”, ka shkruar Konjufca në llogarinë e tij në Facebook. “Shumicën e kufomave i zhdukën me dhunë dhe i fshehën në Serbi, disa u zbuluan vite më vonë në varrezën masive në Batajnicë të Beogradit. Ende mungon drejtësia për viktimat e këtij krimi të gjenocidit”.

Sala Pacolli, në sytë e së cilës iu vranë të dy prindërit, thotë se ditën e masakrës nuk do ta harrojë kurrë.

“Sot po vazhdojmë t’i kujtojmë me mall e me dashuri, por mëngjesin e 15 prillit nuk e harroj asnjëherë”, ka thënë ajo. “Ende i kam të freskëta kujtimet e dhimbshme e frikën e madhe të cilën e kemi përjetuar të gjithë banorët”.