(E përditësuar 16:40) -
Syla në një lidhje direkte në “60 Minuta” të KTV-së ka thënë se Qenaj është nga fshati Romajë, ndërsa sipas informatave atij i ishte gjetur edhe një kartelë e veteranit të UÇK-së.
Ai ka thënë se Serbia po vazhdon gjahun ndaj veteranëve të UÇK-së.
“Sipas informatave që kemi, edhe gjatë bastisjes atij i është gjetur kartela e veteranit, që e rëndon edhe më shumë akuzën e Serbisë, ndonëse akuzat janë të pabaza. Ai kishte kaluar disa herë kufirin me Serbi, pasi kishte një biznes në Bosnjë, sipas informatave që kemi. Asnjëherë nuk kishte telashe. Por është një gjah i Serbisë karshi luftëtarëve të UÇK-së dhe çlirimtarëve tjerë, që asnjëherë nuk e ndal”, ka thënë Syla.
Syla tha se informatat i kanë marrë si nga bashkëluftëtarët ashtu edhe nga dega e OVL-UÇK në Prizren. Ata kanë pasur kontakt me familjarët e Qenajt.
Ka thënë se nuk ka informata se në cilën pikë kufitare është ndaluar.
Syla ka thënë se shpreson në ndërhyrje të bashkësisë ndërkombëtare, pasi nuk ka shpresa te institucionet e Kosovës.
“Institucionet tona e dimë rolin e tyre, e dimë qasjen e tyre. E dimë se kjo ministre e Jashtme në detyrë çfarë qasje ka karshi bashkëluftëtarëve tanë. Nuk presim diçka nga institucionet tona. Shpresojmë bashkësia ndërkombëtare ta bëjë punën e vetë”, ka thënë Syla.
Ai ka shprehur pakënaqësinë që thirrjet për të mos kaluar nëpërmjet pikave kufitare me Serbinë nuk po dëgjohen.
“Kemi bërë qindra herë thirrje të mos kalohet jo vetëm nëpërmjet Serbisë, por edhe në pikat tjera si me Maqedoninë e Veriut apo Mal të Zi...S’duhet bërë veprime me provu. Nuk po e kuptoj fare. Në rrethana normale një luftëtar i UÇK-së nuk duhet në asnjë rrethanë me marrë rrugë nga Serbia, qoftë edhe për raste të ndonjë sëmundje të ndonjë familjari e lëre me për gjëra tjera. Jemi të zhgënjyer shumë që s’po dëgjojnë bashkëluftëtarët tanë”, tha Syla.
Serbia thotë se ka arrestuar një ish-pjesëtar të UÇK-së
(15:25) - Serbia ka thënë të martën se ka arrestuar një ish-pjesëtar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të identifikuar me iniciale A.Q. Sipas Ministrisë serbe për Punë të Brendshme ai dyshohet se gjatë luftës në Kosovë ka kryer veprën penale të organizimit të një grupi dhe nxitjen për kryerjen e gjenocidit dhe krimeve të luftës.
Në njoftim pretendohet se i dyshuari në prill të vitit 1998 i është bashkuar shtabit lokal të UÇK-së për fshatin Romajë në komunën e Prizrenit dhe se si pjesëtar i brigadës 138 “Agim Ramadani” ka marrë pjesë në sulmin ndaj posti kufitar serb në Koshare në vitin 1999.
Të dyshuarit A.Q. (1973) i është caktuar masa e ndalimit prej 48-orësh dhe MPB-ja serbe shtoi se në prokurorinë kompetente ndaj tij do të dorëzohet një kallëzim penal.
“Në prill të vitit 1998, i dyshuari iu bashkua selisë lokale të të ashtuquajturës "UÇK" për fshatin Romajë, komuna e Prizrenit, dhe si anëtar i Brigadës së 138-të, Agim Ramadani mori pjesë në sulmin ndaj postbllokut të rojës së Koshares në vitin 1999. Me urdhër të prokurorit publik në detyrë për krime lufte, i dyshuari u ndalua deri në 48 orë, pas së cilës do të dërgohet në prokurorinë kompetente me një kallëzim penal”, thuhet në njoftimin e MUP-it serb.
Autoritetet në Kosovë ende nuk kanë reaguar për këtë pretendim të Serbisë.