Ish-ministri i Financave, Haki Shatri, ka thënë se partia në pushtet duhet të jetë më bashkëpunuese kur e di se në çfarë situate ndodhet aktualisht.
Të enjten në “Interaktiv” të KTV-së, Shatri ka thënë se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, duhet ta kuptojë se vendi ka nevojë për institucione andaj duhet t’i ofrojë njerëzit e të mos i fyejë.
“Tri partitë e mëdha opozitare i kanë 58 për qind të votave, këta 42 për qind. Kur e di se ke rënë në këtë derexhe, ule pak kokën, bëhu pak bashkëpunues, kuptoje se ky vend ka nevojë për institucione, ofro njerëzit mos i nënçmo me fjalë fyese”, është shprehur ai.
Shatri ka shtuar se Lëvizja Vetëvendosje ka bërë oferta për marrëveshje koalicioni që nuk janë serioze.
“Zhagitja dhe procedurat që për mua kanë qenë tepër të panevojshme dhe njerëzit që kanë marrë mandatin për të qeverisur me këtë vend do të duhej të ishin më të përgjegjshëm. Kemi ardhur në një situatë ku nuk kemi buxhet, qeveria e ka miratuar një dokument. Partia në pushtet ka bërë oferta për marrëveshje koalicioni që nuk janë serioze. Edhe me mandatarin e parë nuk i kanë bërë askujt ofertë serioze për koalicion qeverisës. Oferta serioze në këto ditë bëhen me shkrim ku i ofrohen poste”, ka theksuar ai.
Partia të cilës i takon, AAK-ja, sipas Shatrit, nuk e ka ndërmend t’i bashkohet “dikujt që pa ndonjë ofertë kërkon t’i bashkohet”.
“Jemi të gatshëm që të shkojmë në zgjedhje”, ka deklaruar ai.