Arbëri

SHBA-ja thotë se i duhet partner që e kupton nevojën për t’i evituar veprimet destabilizuese

SHBA - KOSOVA

Foto: Driton Paçarada

Ambasada e SHBA-së në Kosovë ka thënë se dëshiron që të ecë para me qeverinë në detyrë, por ka shtuar se ka nevojë për partner të përkushtuar dhe që e kupton nevojën për evitimin e veprimeve destabilizuese. 

Në përgjigje për KOHËN, Ambasada ka thënë se e ngarkuara me punë Anu Prattipati, ia ka shprehur shqetësimet dhe qëndrimet e SHBA-së gjatë takimeve të rregullta që ka pasur me kryeministrin në detyrë Albin Kurti.

SHBA-ja javën e kaluar pezulloi dialogun e planifikuar strategjik me Kosovën. 

“SHBA-ja gjithmonë do të jetë mike e afërt e popullit të Kosovës, dhe ne jemi plotësisht të përkushtuar ndaj partneritetit tonë.  Megjithatë, SHBA-ja i nxitë partnerët të punojnë në mënyrë konstruktive për ta siguruar stabilitetin dhe sigurinë.  Ne duam të ecim para me qeverinë në detyrë, por na duhet një partner që kupton nevojën për t’i evituar veprimet destabilizuese dhe është i përkushtuar për të çuar përpara stabilitetin rajonal dhe t'i mbrojë të drejtat e gjithë qytetarëve të Kosovës.  Ne do të vazhdojmë t’i vlerësojmë veprimet e qeverisë në detyrë. Nuk kemi asgjë për të shtuar në këtë pikë”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës. 

Ndërkohë Ambasada nuk ka komentuar takimet që Prattipati i ka pasur me liderët e partive që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë.