Çdo sugjerim që pezullimi i Dialogut të planifikuar strategjik për Kosovën lidhet me Serbinë ose aktorë të tjerë të jashtëm, është i pasaktë dhe një përpjekje për ta larguar vëmendjen nga çështjet kryesore, kanë thënë në Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë. Sipas një zëdhënësi të këtij misioni diplomatik, vendimi bazohet tërësisht në veprimet e qeverisë në detyrë
Shtetet e Bashkuara e kanë hedhur poshtë pretendimin e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, se Kosovës po i kërkohet të paguajë çmimin e përpjekjes së Uashingtonit për ta tërhequr Serbinë nga ndikimi rus.
Kurti ka folur ditë më parë për këtë nga SHBA-ja teksa është pyetur për pezullimin e dialogut të planifikuar strategjik. Përmes një përgjigjeje me shkrim, një zëdhënës i Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë ka thënë për KOHËN se vendimi për të pezulluar dialogun strategjik bazohet tërësisht në veprimet e Qeverisë së Kosovës në detyrë.
“Çdo sugjerim se kjo lidhet me Serbinë apo me aktorë të tjerë të jashtëm është i pasaktë dhe një përpjekje për të shmangur vëmendjen nga çështjet thelbësore. Ne ia kemi shprehur drejtpërdrejt shqetësimet tona kryeministrit dhe ia kemi bërë shumë të qartë qëndrimin e qeverisë së Shteteve të Bashkuara”, ka thënë një zëdhënës i Ambasadës amerikane.
Ai ka shtuar se Shtetet e Bashkuara do të jenë gjithmonë afër popullit të Kosovës dhe se janë plotësisht të përkushtuara ndaj partneritetit mes dy vendeve.
“Megjithatë, Shtetet e Bashkuara i nxisin partnerët tanë të punojnë në mënyrë konstruktive për të siguruar stabilitetin dhe sigurinë. Ne duam të ecim përpara me qeverinë në detyrë, por na nevojitet një partner që e kupton nevojën për të shmangur veprimet destabilizuese dhe që është i përkushtuar për të avancuar stabilitetin rajonal dhe për të mbrojtur të drejtat e të gjithë qytetarëve të Kosovës. Ne do të vazhdojmë të vlerësojmë veprimet e qeverisë në detyrë”, ka theksuar zëdhënësi i Ambasadës.
Gjatë një paraqitjeje me studentët e “The New School” në New York, Kurti ka deklaruar se pezullimi i dialogut të planifikuar strategjik është për shkak të sundimit të ligjit në veri të Kosovës, i cili, siç ka thënë ai, rezultoi të ishte kuadër e strukturave ilegale serbe dhe se me këtë “Qeveria nuk mund të bëjë kompromise”.
Po ashtu Kurti ka thënë se Kosova nuk duhet ta paguajë çmimin e përpjekjes së SHBA-së për ta tërhequr Serbinë nga ndikimi rus.
“Aty ku kemi disa pengesa është në diplomaci, sepse, sipas meje, SHBA-ja e konsideron shumë të rëndësishme që ta tërheqë Serbinë nga hemisfera lindore, sepse Serbia është e lidhur ngushtë me Moskën dhe ne, duke qenë të palëkundur në sundimin e ligjit, demokracinë, sovranitetin shtetëror dhe integritetin territorial, disa politikanë dhe diplomatë në SHBA vlerësojnë se ne nuk po e ndihmojmë SHBA-në që ta shkëpusë Serbinë nga Federata Ruse. Por, sinqerisht, ky nuk duhet të jetë problemi im”, pati deklaruar Kurti.
Një zyrtar i lartë në Departamentin Amerikan të Shtetit ka thënë për KOHËN ditë më parë se “Kurti e ka shkelur vijën e kuqe”, me përpjekjen për ta penguar pjesëmarrjen e Listës Serbe në zgjedhjet lokale të 12 tetorit, veprim ky që ka çuar në vendimin e SHBA-së për pezullim të Dialogut të planifikuar strategjik me Kosovën.
Në asnjërin prej takimeve të realizuara, në javën kur u mbajt sesioni i 80-të i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, për të cilat qeveria ka lëshuar komunikata, nuk është përmendur Dialogu strategjik.
Po ashtu gjatë qëndrimit të Kurtit në SHBA kanë munguar takimet me përfaqësues të Departamentit Amerikan të Shtetit.
E të martën Zyra e kryeministrit ka njoftuar se Kurti e ka takuar edhe kongresistin amerikan nga radhët e Partisë Demokratike, Ritchie Torres.
“Kryeministri Kurti e falënderoi kongresistin Torres për qëndrimet e tij të hapura dhe të zëshme në mbështetje të Kosovës. Ai e informoi për progresin ekonomik dhe demokratik që vendi ka shënuar vitet e fundit, si dhe për zhvillimet më të fundit në Kosovë dhe rajon. Në takim, kryeministri theksoi aspiratën e palëkundur të Kosovës për integrim në Bashkimin Evropian dhe në NATO, si orientim dhe objektiva strategjike të shtetit tonë. Kryeministri gjithashtu nënvizoi planet e mëdha investive në vend, përfshirë projektin e hekurudhës Prishtinë–Durrës, zhvillimin e hovshëm të sektorit të teknologjisë dhe mundësitë që kompanitë amerikane të bashkëpunojnë e të investojnë në Kosovë”, thuhet në komunikatën e qeverisë.
Në javën kur në New York është mbajtur sesioni i 80-të i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, në SHBA ka qëndruar edhe presidentja Vjosa Osmani. Mes takimeve të realizuara, Osmani ka postuar edhe fotografi me presidentin e SHBA-së, Donald Trump, e sekretarin amerikan të shtetit, Marco Rubio. Por as ajo nuk ka treguar nëse ka folur për Dialogun e pezulluar strategjik.