Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, u ka apeluar partive politike në Kosovë që t’i formojnë sa më shpejt institucionet e reja.
Ai ka thënë se janë duke e analizuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, që të mërkurën konstatoi se Kuvendi nuk është konstituuar, pa zgjedhjen e nënkryetarit serb.
“Ne, ashtu si njerëzit në Kosovë, e kemi marrë këtë informacion tash kohët e fundit, në të njëjtën mënyrë edhe bashkësia ndërkombëtare e mori po ashtu kohët e fundit dhe ne po e analizojmë për momentin. Por sigurisht shpresa jonë është që Kuvendi të konstituohet sa më shpejt që të jetë e mundur dhe shpresojmë që të ketë një qeveri me mandat të plotë sa më shpejt që të jetë e mundur”, ka thënë Orav për mediat të mërkurën.
I pyetur për mesazhin për partitë, ai ka thënë: “Ju lutem, konstituojeni Kuvendin dhe ju lutem formojeni qeverinë”.
Kushtetuesja ka marrë vendim të martën se seanca konstituive e Kuvendit nuk ka përfunduar dhe se ajo duhet të përfundojë brenda 12 ditëve që nga hyrja në fuqi e aktgjykimit të saj të 30 shtatorit. Gjykata e ka arsyetuar vendimin e saj, duke përmendur se ende nuk është zgjedhur nënkryetari i Kuvendit nga radhët e deputetëve të komunitetit serb.