Avokati Florim Shefqeti ka thënë se dëshmitë e dëshmitarëve të mbrojtjes së ish-krerëve të UÇK-së në Gjykatën Speciale ishin kthesë kryesore e procesit gjyqësor ndaj tyre.
Ai ka thënë se avokatët e katërshes së UÇK-së arritën me bindje ta sfidonin Prokurorinë në secilin detaj që dhanë në aktakuzë. Sipas Shefqetit, mbrojtja e tyre e ndryshoi në tërësi diskursin e akuzës.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Me dëshmitarët e mbrojtjes të cilët e ngritën në një nivel tjetër diskursin e diskutimit në raport me akuzën e Prokurorisë dhe Prokuroria ra në defansivë absolute duke pa që drejtimi i aktakuzës së tyre nuk dërgonte askund. Kthesa kryesore e këtij procesi ka qenë kjo. James Rubin, Wesley Clark, Christopher Hill e të tjerë. Aftësia e avokatëve, posaçërisht Mishetiq, e ndryshuan në tërësi diskursin e akuzës dhe Prokuroria u detyrua ta ndjekë strategjinë e mbrojtjes”, ka thënë ai në “Interaktiv”.
Të mërkurën, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, dhe ish-deputeti Rexhep Selimi dhanë deklaratat përmbyllëse duke u deklaruar të pafajshëm. Ata përcollën mesazhin se luftuan për liri dhe drejtësia duhet të bazohet në të vërtetën, e jo në narrativat e kundërshtarëve dhe të Prokurorisë.
Thaçi i tha trupit gjykues se armik e kishte vetëm kasapin e Ballkanit.
“I vetmi kundërshtar i imi dhe i botës demokratike ishte Sllobodan Millosheviqi”, deklaroi ai.
Ai tha se në luftë as që mund të ëndërronte ta shtrinte pushtetin në të gjithë Kosovën siç pretendon Prokuroria, e cila përgjegjësinë për krimet e pretenduara nga pjesëtarë të UÇK-së ia ka faturuar katër anëtarëve të Shtabit të Përgjithshëm.
Sikurse Hashim Thaçi, edhe Kadri Veseli tha se u kthye nga mërgimi në Kosovë. Ai tregoi se vendimin për këtë e mori në kohën sa studionte në Universitetin e Fribourgut në Zvicër, kur ndodhën masakrat e para, në Likoshan e Prekaz. Veseli shprehu besimin se trupi gjykues do të vendosë drejt.
“Krijimi i kësaj gjykate dhe funksionimi i saj deri më sot është një rezultat i një debati të gjerë në vendin tim, por mbi të gjitha ajo që duhet të mbizotërojë prej saj është drejtësia dhe paanshmëria në gjykimin e së vërtetës dhe realitetit objektiv mbi të cilin kemi vepruar ne. Unë qëndroj në këtë proces me bindje dhe besim se e vërteta nuk ka arsye të ketë frikë nga drejtësia dhe se drejtësia mund të vonohet, por kurrë të mohohet”, u shpreh Veseli.
E, gjatë fjalës së tij, Rexhep Selimi iu referua në disa raste pretendimeve të Prokurorisë. Ato i gjykoi si të pabaza dhe tha se organi i akuzës synon dënimin e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.
“Megjithëse, prokuroria që në fillim të paraqitjes së fjalës së saj përfundimtare deklaroi se nuk kërkon dënimin e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së gjatë gjithë kohës që pati në dispozicion shënjestër e saj ishte pikërisht Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, Ushtria Çlirimtare dhe në veçanti qëllimi i saj që ishte pavarësia e Kosovës. Madje krijohej përshtypja se vetë pavarësia po trajtohej si një qëllim i përbashkët kriminal”, tha Selimi.
Edhe Jakup Krasniqi tha se akuzat ndaj ish-udhëheqësve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së janë të ngjashme me narrativat e atyre që i shtypën shqiptarët.
“Nuk besoj se kjo akuzë i shërben ndonjë drejtësie e sidomos jo drejtësisë që shoqëritë demokratike pretendojnë ta mbërrijnë. Drejtësia nuk mund të ndërtohet mbi gjuhën e ish-shtypësve. Ajo duhet të qëndrojë mbi prova të besueshme dhe mbi të vërtetën. Padrejtësia e vetë këtij rasti është e shkruar në vetë aktakuzë”, tha Krasniqi.
Lirimin e të katër ish-përfaqësuesve të UÇK-së, e kërkuan avokatët e tyre në fjalën e fundit para trupit gjykues në Hagë.
ZPS-ja akuzon ish-presidentin Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët, Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-shefin e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimin, për ndërmarrje të përbashkët kriminale që ndërlidhet me gjashtë akuza për krime lufte: Përndjekje (Pika 1), Burgosje (Pika 2), Akte të tjera çnjerëzore (Pika 4), Torturë (Pika 6), Vrasje e paligjshme (Pika 8), Zhdukje me dhunë (Pika 10), si dhe katër akuza për krime kundër njerëzimit, përfshirë këtu arrestim dhe ndalim i paligjshëm ose arbitrar (Pika 3), Trajtim mizor (Pika 5), Torturë (Pika 7) dhe Vrasje e paligjshme (Pika 9). Shumica e viktimave të krimeve, sipas ZPS-së, janë shqiptarë, civilë dhe pjesëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Sipas ZPS-së, të akuzuarit kanë qenë në dijeni apo është dashur të jenë në dijeni shkaku i pozitave udhëheqëse në Shtab të Përgjithshëm, lidhur me pretendimet për krimet që janë kryer dhe kanë pasur qëllim që ta marrin pushtetin në Kosovë përmes tyre. Ish-drejtuesit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së i kanë mohuar të gjitha këto akuza. Ata kanë thënë se UÇK-ja nuk kishte hierarki të tillë, meqë peshën e kishin komandantët e zonave dhe se kishte për qëllim ta luftonte Serbinë e jo civilët.
Ish-drejtuesit e UÇK-së janë arrestuar më 4 dhe 5 nëntor të vitit 2020. Dhomat e Specializuara procesin gjyqësor ndaj tyre e kanë nisur me dy vjet e gjysmë vonesë, përkatësisht në prillin e vitit 2023.