Arbëri

Shkaku i një kontesti mes Komunës dhe KEDS-it mbesin pa rrymë mijëra banorë në Lipjan

Mijëra banorë të fshatrave Sllovi, Banullë dhe Konjuh të Komunës së Lipjanit prej disa ditësh po përballen me ndërprerje të energjisë elektrike si pasojë e një kontesti ndërmjet KEDS-it dhe Komunës, për hapjen e një kanali për vendosjen e një kablloje kryesore që furnizohen me rrymë këto fshatra.

Rreth kësaj çështje banorët të dielën në mbrëmje kanë protestuar në hyrje të fshatit duke “kërcënuar” me bllokim të rrugës. Ndërkohë, KEDS-i nëpërmjet një komunikate ka njoftuar se komuna e Lipjanit nuk po e lejon prerjen e asfaltit në disa lokacione për ta futur gypin kryesor të rrymës.

Përfaqësuesi i fshatit Banullë, Afrim Hajrullahu, ka thënë për Kohën se pjesa më e madhe e fshatit të tyre tashmë është furnizuar me rrymë alternative derisa të realizohet projekti për vendosjen e kabllos kryesore përgjatë pjesës së asfaltit.

“Rreth dy ditë kemi qëndruar pa energji elektrike, ndërkohë mbrëmë kemi pasur reagime te rruga kryesore me qëllim që të kemi furnizim dhe të zgjidhet kontesti ndërmjet komunës dhe KEDS-it për vendosjen e kabllove nën asfalt. Ndërkohë ka ardhur rryma në shumicën e lagjeve të fshatit, mirëpo kërkojmë që sa më shpejtë të finalizohet projekti kryesor për furnizim të rrymës nën tokë siç është planifikuar”, ka thënë Hajrullahu.

Ai shpjegon se sipas informacioneve kontesti ndërmjet institucioneve për vendosjen e kabllos kryesore është drejtë fundit, andaj kërkon që sa më shpejtë të furnizohen me rrymë edhe fshatrat e tjera që lidhen me këtë dalje.

Ndërkohë, nëpërmjet një komunikate të dielën pasdite, KEDS-i pati njoftuar se dalja e rrymës së Sllovisë dhe një pjesë e daljes së Konjuhit, që të dyja në Komunë të Lipjanit janë në prishje.

“Të dy daljet janë nëntokësore për çka nevojitet prerje e asfaltit për t’i rregulluar. Fatkeqësisht, Komuna e Lipjanit nuk po jep leje që ato të sanohen, duke bërë që mbi 3 mijë konsumatorë të mbesin pa energji elektrike. KEDS është i gatshëm të intervenojë dhe t’i sanojë ato në momentin që të merr lejet përkatëse”, thuhet në njoftimin e KEDS-it, duke sqaruar se daljet janë prishur nga mbingarkesat. “Fillimisht ishte prishur një pjesë e daljes së Konjuhit, para rreth një muaji. Komuna nga atëherë nuk ka dhënë leje për intervenim. Për të mos i lënë konsumatorët pa energji në pikun e dimrit, KEDS e kishte transferuar furnizimin e tyre në dy dalje tjera. Por, për shkak që komuna nuk dha leje kohë të gjatë, kjo ka bërë që të mbingarkohet edhe dalja e Sllovisë, duke u shkaktuar prishje edhe aty. Tash, komuna nuk po jep leje për asnjërën që të sanohet”, thuhet në komunikatën e KEDS-it.

Në anën tjetër drejtori për Shërbime Publike në Komunën e Lipjanit Burim Rrustemi, nuk u është përgjigjur pyetjeve të Kohës, lidhur me këtë çështje.