Kryetari i Shoqatës së Prodhuesve të Kosovës, Kushtrim Ajvazi, ka thënë se bizneset në Kosovë po përballen vazhdimisht me sfida të natyrave të ndryshme, duke përmendur krizën energjetike, rritjen e çmimeve dhe vështirësitë në sigurimin e konkurrueshmërisë në tregjet e jashtme.
Megjithatë sfidë kryesore sipas Ajvazit, mbetet furnizimi i qëndrueshëm me energji elektrike, pasi ndërprerjet po ndikojnë në proceset e prodhimit dhe në rritjen e kostove. Si rrjedhojë, ai ka kërkuar që gazi amerikan të jetë alternativë e furnizimit me energji.
“Një prej sfidave kryesore që jemi duke u ballafaquar kohën e fundit është sigurimi i qëndrueshëm me energji elektrike, ku një pjesë e bizneseve kanë ndërprerje të energjisë elektrike dhe kjo normalisht që ndikon edhe në proceset e prodhimit, në rritje të kostove. Edhe ne ajo çka po kërkojmë është të krijohen alternativa të furnizimit të energjisë elektrike, sikur që është rasti përmes tubacionit të gazit nga Shkupi, edhe përdorimit të gazit amerikan”, ka thënë Ajvazi.
Ajvazi ka deklaruar se vitin e kaluar sfidë ishte edhe dalja në tregun e lirë të energjisë elektrike, ndërsa këtë vit ndikim kanë pasur rritjet e çmimeve si pasojë e luftës në Lindjen e Mesme.
“Po, bizneset janë duke u përballur vazhdimisht me probleme, domethënë të natyrave të ndryshme. Vitin e kaluar ne kemi pasur problemin e energjisë elektrike, e daljes në tregun e lirë të energjisë elektrike, këtë vit e kemi çështjen e ngritjes së çmimeve për shkak të luftës së Iranit. Domethënë, kemi ballafaqime të vazhdueshme me sfida, po normalisht po mundohemi me vazhdu edhe me rrit prodhimin sa më shumë në këtë vend”, deklaroi Ajvazi.
Edhe
Përfaqësues të bizneseve ankohen se energjia elektrike po ua pengon zhvillimin
Ai theksoi se prodhuesit vendorë po punojnë vazhdimisht për zgjerimin e kapaciteteve prodhuese dhe rritjen e numrit të të punësuarve.
Sipas tij, produktet vendore tashmë kanë depërtuar në tregun evropian falë standardeve ndërkombëtare, ndërsa mbështetja institucionale do të ishte e mirëseardhur për të ruajtur konkurrueshmërinë.
“Fatmirësisht, produktet tona janë të certifikuara me standarde ndërkombëtare edhe kanë depërtuar në tregun evropian. E konkurrueshmëria është ajo që ka të bëjë me çmimin, domethënë në rastet kur kemi situata të ngritjeve të çmimeve të lëndëve të para edhe të faktorëve të cilët mund t’i ndihmojë qeveria, qoftë direkt apo indirekt. Ajo është e mirëseardhur në mënyrë që mos të humbi tregu i jashtëm”, tha Ajvazi për Ekonomia Online.
I pyetur për masat konkrete të ndërmarra nga institucionet, ai u shpreh shkurtimisht se nuk ka parë diçka konkrete.
Edhe
Ajvazi: Vetëm 300 prej 1,300 kompanive plotësojnë kriterin ligjor për treg të lirë
Ajvazi vlerësoi se Kosova ka potencial të madh për zgjerimin e përpunimit të produkteve dhe nënprodukteve, duke u bazuar në nivelin e lartë të importeve.
“Nëse ne në bazë kryesore e kemi importin, nga të dhënat e importit shohim që ka mundësi shumë të madhe të zgjerimit të përpunimit të produkteve dhe nënprodukteve të tjera”, ka shtuar Ajvazi.