Arbëri

Shpend Ahmeti, zyrtari më “i varfër” në Komunën e Prishtinës

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, në bazë të deklarimit të pasurisë së përvitshme është më i varfër se të gjithë udhëheqësit e drejtorive të komunës së tij. Ai nuk ka shtëpi të tijën dhe jeton në shtëpinë e vëllait të tij. Sipas këtij raporti, ai ka tërhequr edhe 10-përqindëshin e trustit, e cila u mundësua nga Qeveria e Kosovës, në vlerë prej 5 mijë e 600 eurosh. Gjithashtu ai nuk ka deklaruar as pasuri të tjera.

Nënkryetari i Komunës, Selim Pacolli, ka deklaruar gjithsej 900 mijë euro pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme. 2 shtëpi, disa troje dhe 4 vetura janë pasuri që ai posedon në emrin e tij. Gjithashtu ai është aksionar edhe në 13 kompani të ndryshme, ku vlera e kapitalit të tyre mbërrin mbi 5 milionë euro. Ndërsa para të gatshme në banka ai mban rreth 400 mijë euro. Vetë i pasur shumë, por bashkëshortja e tij ka vetëm 5 euro.

Nënkryetari tjetër, Muhedin Nushi, ka deklaruar pasuri të paluajtshme në pronësi të përbashkët në vlerë prej 187 mijë eurosh. Ndërsa ai vetë posedon 2 vetura në emrin e tij në vlerë prej 18 mijë eurosh. Sipas deklarimit të pasurisë në bankë, ai ka të grumbulluara mbi 17 mijë euro.

Nga drejtorët e Komunës së Prishtinës ndër më të pasurit janë ajo e Financave, Valbona Makolli, dhe drejtoresha e Administratës, Vasilika Zotaj-Asllani.

Pasuria e paluajtshme dhe ajo e luajtshme që arrin vlerën mbi 1 milion euro, Makolli e ka të deklaruar në emrin e bashkëshortit të saj. Ndërsa në llogarinë e kursimeve në emrin e saj ka mbi 14 mijë euro.

Zotaj-Asllani në Agjencinë Antikorrupsion ka deklaruar se burri i saj posedon pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme në vlerë prej 1 milion eurosh. Prej tyre, afër 20 mijë euro pasuri e luajtshme janë bizhuteri të deklaruar në emër të drejtoreshës. Së bashku me bashkëshortin ajo ka rreth 30 mijë euro kursime.

Drejtori i Pronës, Brahim Mehmetaj, ka deklaruar 609 mijë euro pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme të gjitha në emrin e tij, prejardhja e të cilave është nga kursimet, biznesi që ai posedon dhe trashëgimia. Ai posedon dy shtëpi, dy banesa dhe disa toka dhe male. Ndërsa në bankë ai ka 2 mijë euro.

Ndërsa drejtori për Investime Kapitale, Gëzim Mehmeti, ka deklaruar pasuri të paluajtshme, të përbashkët, në vlerë prej 470 mijë eurosh. Ndërsa te pasuria e luajtshme ai ka deklaruar dy orë të tija në vlerë prej 20 mijë eurosh. Mehmeti sërish ka deklaruar orën e shtrenjtë, që e ka në vlerë prej 13 mijë e 200 eurosh. Nga 5 kompani ka përqindje të aksioneve në vlerë prej 38 mijë eurosh.

Ndërsa kryesuesi i Kuvendit Komunal, Agim Kuleta, ka deklaruar shtëpi me oborre në pronësi të përbashkët, mirëpo nuk ka deklaruar se sa është vlera e tyre. Po ashtu nuk ka deklaruar pasuri të luajtshme. Ndërsa ai ka aksione prej 50 për qind në një kompani, mirëpo thotë se nuk merr të ardhura nga to. Kuleta së bashku me bashkëshorten kanë marrë kredi për shtëpi në vlerë prej 42 mijë eurosh.

Përveç Ahmetit, nga zyrtarët komunalë që kanë tërhequr 10-përqindëshin e trustit është edhe drejtori i Shëndetësisë, Bujar Gashi, në vlerë prej 2200 eurosh.