Arbëri

Shqipëria ndihmon Spanjën në konfiskimin e bizhuterive multimilionëshe

Shqipëria është një nga vendet që ka ndihmuar Spanjën në konfiskimin e bizhuterive në vlerë shumëmilionëshe, kanë bërë të ditur autoritetet spanjolle.

Policia e Spanjës bëri të ditur të hënën se ka konfiskuar 11 bizhuteri të lashta që u morën nga Ukraina në mënyre ilegale në vitin 2016.

Në një deklaratë të policisë thuhet se pesë persona që po përpiqeshin të shisnin bizhuteritë në Spanjë janë arrestuar javët e fundit. Ndër të arrestuarit ishin edhe dy ukrainas, njëri prej tyre prift i kishës ortodokse dhe tre spanjollë.

Besohet se bizhuteritë e kanë vlerën rreth 60 milionë euro dhe datojnë prej shekujve tetë dhe katër para erës sonë. Policia ka bërë të ditur se sendet ishin pjesë e trashëgimisë kombëtare të Ukrainës. Ato u zhdukën pasi u ekspozuan midis viteve 2009 dhe 2013 në një muze në Kiev, kryeqyteti i Ukrainës. Pjesë e bizhuterive ishin një rrip ari, një palë vathë dhe një gjerdan.

Rripi i arit me dekore u sekuestrua në vitin 2021 dhe pjesa tjetër e bizhuterive u sekuestrua javët e fundit.

Pjesët po studiohen nga Muzeu Arkeologjik Kombëtar i Spanjës dhe Instituti i Trashëgimisë Kulturore të vendit.

Policia e Spanjës ka thënë se autoritetet në Shqipëri, Bullgari, Qipro, Maqedoni të Veriut dhe Ukrainë kanë ndihmuar në hetim.