Arbëri

Shtohen rastet që kërkojnë ndihmë mjekësore shkaku i vapës së madhe

Nxehte

Foto: Driton Paçarada

Temperaturat e larta e kanë vështirësuar situatën e atyre që e kanë me patjetër të dalin në qytet – të punësuarve. Në Prishtinë, termometri të hënën u ndal në 37 gradë celsius, e si pasojë e kësaj është raportuar edhe për shtim të rasteve që kërkojnë ndihmë në qendrat e mjekësisë familjare

Hanusha Ibrahimaj ankohet se gjithnjë e më vështirë po i përballon temperaturat e larta, që po mbizotërojnë tash e sa ditë.

Në pikun e nxehtësisë, të hënën, në Prishtinë termometri u ndal në 37 gradë celsius, e Ibrahimaj, punonjëse në Korporatën Energjetike të Kosovës, thotë se e ka të vështirë ta çojë orarin deri në fund.

“Temperaturat janë shumë të larta, vështirë po e kemi edhe me punu. Sidomos kur e përfundova punën dhe dola jashtë, e ndjeva një lodhje, një plogështi”, ka thënë Ibrahimaj.

Mirsad Krasniqi, shitës librash në sheshin “Nëna Terezë”, thotë se po mundohet të gjejë vend me hije dhe të konsumojë sa më shumë lëngje për ta përballuar vapën e madhe.

“Po mundohem me i përballu temperaturat, duke pi sa më shumë ujë e lëngje, edhe me qëndru sa më pak në diell”, ka thënë ai.

Si pasojë e temperaturave të larta, është shtuar edhe numri i rasteve që kërkojnë ndihmë në Qendrën e Mjekësisë Familjarë në Prishtinë.

“Kemi pasur raste të shumta që janë paraqitur në QMF me simptoma, si lodhje, djersitje dhe ndjenjë të dobësisë. Vapa e madhe po ndikon sidomos te ata që punojnë jashtë, e gjithashtu dhe te gratë shtatzëna”, ka thënë specialisti i mjekësisë familjare pranë QKMF-së në Prishtinë, Rushit Ismajli.

Sipas Ismajlit, kujdes të shtuar duhet të kenë personat që punojnë në hapësira të hapura, sidomos ata në sektorin e ndërtimtarisë.

“Më së shumti duhet të kenë kujdes ata që punojnë në diell. Duhet të konsumojnë sa më shumë lëngje dhe ta shmangin ekspozimin në orët më të nxehta”, ka thënë ai.

E, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës të dielën ka kërkuar nga qytetarët që ta shmangin qëndrimin në rrezet e diellit në periudhën nga ora 10:00 deri në orën 17:00, me arsyetimin se mund të shkaktohen pasoja të rënda shëndetësore.