Arbëri

Shtuni: Me pasoja të kushtueshme, pezullimi i Dialogut të planifikuar Strategjik

“Në vend që të shkohej drejt forcimit të marrëdhënieve dhe hapjes së perspektivave të reja bashkëpunuese, e kundërta po ndodh dhe sanksioneve të BE-së i shtohet edhe masa e re nga SHBA-ja. Kjo pa dyshim se do të ndikojë negativisht si në ambiciet strategjike të vendit për njohje të reja, ashtu edhe në ato për integrim euroatlantik, sidomos anëtarësim në NATO dhe BE”, ka thënë për KOHËN Adrian Shtuni, ekspert i politikës së jashtme

Pezullimi i Dialogut të paralajmëruar Strategjik nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) nuk do të kalojë pa pasoja për Kosovën, kanë paralajmëruar njohës të politikave të jashtme.

Kur ka njoftuar për vendimin një javë më parë, Ambasada Amerikane në Prishtinë ka bërë të ditur se masa është pasojë e deklaratave dhe e veprimeve të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

Adrian Shtuni, ekspert i politikës së jashtme, i sigurisë dhe i komunikimeve strategjike, thotë se pasojë e vendimit është degradimi i marrëdhënieve bilaterale mes Kosovës dhe SHBA-së.

“Kjo pasojë është nga më të kushtueshmet pasi sinjalizon se kryeministri në detyrë dhe qeveria e tij kanë humbur besimin e partnerit strategjik, sponsorit kryesor të shtetësisë së Kosovës dhe garantorit të sigurisë së saj, atë të SHBA-së, pikërisht për shkak të sjelljes vazhdimisht jobashkëpunuse që po cenon stabilitetin e vendit e më gjerë. Në vend që të shkohej drejt forcimit të marrëdhënieve dhe hapjes së perspektivave të reja bashkëpunuese, e kundërta po ndodh dhe sanksioneve të BE-së i shtohet edhe masa e re nga SHBA-ja. Kjo pa dyshim se do të ndikojë negativisht si në ambiciet strategjike të vendit për njohje të reja, ashtu edhe në ato për integrim euroatlantik, sidomos anëtarësim në NATO dhe BE”, ka thënë për KOHËN Shtuni.

Përveç pasojave në diplomaci, ai ka përmendur edhe ndikimin potencial në sferat e tjera.

“Pasojat nuk janë vetëm politike e diplomatike, por edhe ekonomike, pasi dialogu ishte i paraparë që të zgjeronte lidhjet ekonomike e tregtare dhe investimet amerikane, si dhe mbështetjen financiare e teknike të SHBA-së për Kosovën”, ka thënë Shtuni.

Por, një ditë më parë kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka theksuar se raportet me Serbinë dhe veprimet ndaj strukturave ilegale të saj janë dy aspektet e vetme në të cilat Kosova ka dallime me SHBA-në. Kurti tha se me administratën aktuale amerikane është duke ecur mirë procesi i blerjes së pajisjeve dhe municioneve. E kur iu referua fushës së zhvillimit, kryeministri në detyrë përmendi heqjen e tarifës ndaj produkteve amerikane, si dhe vazhdimin nga administrata Trump të programit Kompakt të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) për Kosovën.

Por Shtuni thotë se për ta rifituar besimin e SHBA-së, Kosova e ka përpara një punë jo të lehtë që duhet të nisë nga përpilimi i një analize të arsyeve, që shpien në pezullimin e Dialogut të planifikuar Strategjik.

“Kjo duhet të pasohet nga reforma urgjente politike për të adresuar krizën në vend dhe shqetësimet e ngritura nga SHBA-ja, për të shmangur izolimin afatgjatë të vendit dhe dëmtimin e interesave strategjike të tij. Ajo që nuk duhet harruar është se pezullimi është i përkohshëm dhe nëse ndërmerren hapat e duhur me një qasje konstruktive dhe frymë bashkëpunuese është tërësisht e mundshme që drita jeshile për dialogun strategjik të hapet sërish”, ka thënë ai.

Sipas njoftimit të Ambasadës amerikane, veprimet e qeverisë në detyrë, shkaku i së cilave është marrë vendimi për pezullim të dialogut strategjik, kanë rritur tensionet dhe jostabilitetin.

Dialogu Strategjik është një proces që Departamenti amerikan i Shtetit në shumicën e rasteve zhvillon me vende të ndryshme të botës me synim avancimin e marrëdhënieve bilaterale. Ky proces përfshin diskutime të nivelit të lartë mes dy vendeve që zhvillohen ose në Uashington, ose në vendin përkatës, mbi një gamë të gjerë temash si: mbrojtja, siguria, mjedisi, energjia, bashkëpunimi ekonomik, etj.