Arbëri

Situata alarmante me zjarre në Shqipëri, bëhet thirrje urgjente për evakuim

Zjarre

Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë u ka bërë thirrje banorëve të Nartës, Skënderbegasit në Gramsh dhe Delvinës që të evakuohen urgjentisht drejt zonave të sigurta, pas përhapjes së shpejt të zjarreve. 

“THIRRJE URGJENTE PËR EVAKUIM/Për shkak të përhapjes së shpejtë të zjarreve në Nartë, Skënderbegas (Gramsh) dhe Delvinë, u bëjmë thirrje banorëve të ndjekin udhëzimet e ekipeve të emergjencës dhe të evakuohen menjëherë drejt zonave të sigurta”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes në Facebook. 

E në një raport të Ministrisë gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar 64 vatra zjarri e 24 janë ende aktive. 

“Mbi 10 mijë forca të emergjencave, nën koordinimin e Agjencisë së Mbrojtjes Civile ndodhen në terren dhe situata po shkon drejt stabilizimit. Operacioni i gjerë kundër zjarreve ka vijuar pa ndërprerje gjatë gjithë natës, duke synuar kufizimin e perimetrit të flakëve pranë zonave të banuara dhe parqeve kombëtare në të gjithë vendin. Nga ajri po operojnë edhe tre helikopterë në Gramsh dhe dy të tjerë në Delvinë”, thuhet në njoftim. 

Në Delvinë zjarri ka depërtuar në fshatrat Pecë, Sirakat dhe Kardhkaq, duke arritur pranë kurorës së bashkisë. U dogjën 5 shtëpi, prej tyre 4 të pabanuara. 

Në Gramsh në qarkun e Elbasanit është thënë se në Kullollas dhe në Skënderbegas zjarri ka marrë përmasa më të mëdha, duke përfshirë disa fshatra dhe është shkaktuar një viktimë. Është raportuar për dëme në banesa. Po ashtu janë djegur dy shtëpi në qarkun e Tiranës, në Kryevidh të Rrogozhinës. 

Në Memaliaj janë djegur tri banesa e afro 400 pemë frutore. 

“Sipas të dhënave meteorologjike, vendi pritet të përballet me temperatura të larta dhe erëra të forta në orët e mesditës, çka rrit rrezikun për riaktivizimin dhe përhapjen e vatrave ekzistuese, si dhe krijimin e zjarreve të reja. Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr dhe të raportojnë menjëherë çdo vatër të re”, thuhet nga Ministria. 

Nga Policia e Shqipërisë është raportuar për disa të arrestuar për zjarrvënie. 

"Në Delvinë vijon puna intensive e forcave në terren për izolimin dhe shuarjen e zjarrit. Në operacion janë angazhuar rreth 300 forca, 24 mjete dhe 2 helikopterë", ka shkruar kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.