Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Sopi: Mbi 22 mijë persona kanë nënshkruar peticionin në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së

Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës të UÇK-së, Fatmir Sopi, ka bërë të ditur se mbi 22 mijë persona e kanë nënshkruar deri më tani peticionin elektronik gjithëkombëtar në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Sipas tij, peticioni është veprimi i radhës pas protestave dhe aktiviteteve të tjera që, siç tha, kanë pasur mbështetje të madhe qytetare.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Ky është veprimi ynë i radhës. Pas shumë protestave me mbështetje të madhe popullore, takimeve dhe konsultave me diplomacitë e shteteve mike, si dhe pasi iu jemi drejtuar edhe Parlamentit Evropian në Strasburg, ku ua kemi dorëzuar nga një shkresë secilit eurodeputet, i ka ardhur radha edhe kësaj forme të kërkimit të drejtësisë që është peticioni gjithëkombëtar. Kërkojmë zbatim të ligjit, Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës”, ka deklaruar Sopi në “60 Minuta” të KTV-së.

Ai ka sqaruar se ekzistojnë dy forma të nënshkrimit të peticionit – elektronike dhe fizike – ndërsa forma online tashmë ka kaluar shifrën prej 22 mijë nënshkrimeve.

Sopi theksoi se nuk është caktuar ndonjë limit për numrin e nënshkrimeve dhe se presin që ai të arrijë në “qindra mijëra”, para se peticioni t’i dorëzohet Dhomave të Specializuara të Kosovës më 15 prill, përpara shpalljes së aktgjykimit.

Ai ka ngritur shqetësime edhe për gjykimin që nisi sot për pengim të drejtësisë ndaj Thaçit, duke pretenduar se po tentohet të gjenden elemente për pengim të drejtësisë, në mungesë të provave për “gjyqin e madh”.

“Përgjimet që u janë bërë janë shkelje e të drejtave të njeriut. Thaçi dhe të tjerët kanë të drejtë të bisedojnë me familjarët e tyre. Nuk u është dhënë leje për raste të rënda familjare, por janë përgjuar. Kjo është shkelje e rëndë”, ka deklaruar ai.

Ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi dhe ish-shefi i deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje Rexhep Selimi po akuzohen për ndërmarrje të përbashkët kriminale, lidhur me krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Ish-drejtuesit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së i kanë mohuar të gjitha akuzat që u ngarkohen.

Prokuroria e Gjykatës Speciale ka kërkuar nga 45 vjet burgim për secilin, ndërsa mbrojtja lirimin pasi ka konstatuar se organi i akuzës nuk ka argumentuar me asgjë pretendimet e saj. Trupi gjykues është në përgatitje të shpalljes së aktgjykimit që pritet të mos shkojë më larg se në fund të qershorit.