Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, ka thënë se me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti kanë biseduar lidhur me implementimin e marrëveshjeve të arritura nga dialogu Kosovë-Serbi.
Ai në një adresim për media, pas takimeve, ka deklaruar se për shkak të situatës aktuale politike në Kosovë gjërat mund të marrin më shumë kohë.
“Sapo pata takim me kryeministrin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani, jam këtu për shkak të mandatit tim, për të diskutuar se si ta implementojmë Marrëveshjen e Ohrit, sepse situata politike këtu nënkupton që gjërat mund të marrin më shumë kohë. Kështu që ky është një takim i rregullt. Jam i lumtur që jam këtu”, ka thënë ai.
Kosova nuk ka arritur të themelojë institucionet e reja, pavarësisht se zgjedhjet parlamentare janë mbajtur më 9 shkurt.
Seanca konstituive ka nisur më 15 prill. Procesi ka ngecur në zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, për të cilin LVV, në koalicion me Guxo dhe Alternativën, ka propozuar deputeten Albulena Haxhiu. Mirëpo, e njëjta, në gjashtë votime të hapura, nuk ka arritur të sigurojë 61 votat e nevojshme për t’u zgjedhur në këtë post.
Të premten, më 8 gusht, merr fund masa e përkohshme e vënë nga Gjykata Kushtetuese, me të cilën u është ndaluar deputetëve çfarëdo vendimi apo veprimi për konstituimin e Kuvendit.
VIDEO:
