Ka dështuar edhe përpjekja e 36-të për konstituim të Kuvendit të Kosovës. Qe 27 herë me radhë seanca po dështon te pika e njëjtë, që është formimi i komisionit për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit.Ky komision ka dështuar të formohet në mungesë të votave.Të hënën në sallë kanë qenë 99 deputetë, për formimin e komisionit kanë votuar 53 deputetë, kundër një dhe nuk ka pasur asnjë abstenim. Sërish, përfaqësues të dy taborëve politikë përgjegjësinë për dështimin ia kanë hedhur njëri-tjetri. Seanca konstituive ka filluar më 15 prill dhe nga atëherë deputetët janë mbledhur çdo 48-orë në përpjekje për të përmbyllur konstituimin e organit ligjvënës. Seanca e radhës do të mbahet të mërkurën prej orës 11:00.
Bajrami: Po të kishim Kuvend do të diskutonim për KEK-un dhe mafinë energjetike
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka thënë se po të kishte Kuvend funksional do të duhet të diskutohej për gjendjen në sektorin e energjisë.
“Sikur ta kishim Kuvendin e konsituuar sot me urgjencë do të duhej të flitej për gjendjen në Korporatën Energjetike të Kosovës dhe për mafinë energjetike në përgjithësi, sot i keni parë se çfarë po rrjedhin tymtarët e KEK-ut, jemi në një gjendje jashtëzakonisht të rëndë”, është shprehur Bajrami, pas dështimit të konstituimit të Kuvendit.
Sipas saj 1300 biznese janë në kaos.
“Ka ndodhur një dyfishim i faturave të energjisë elektrike, i kemi 1300 biznese që janë në kaos sa i përket furnizimit që po refuzojnë të nënshkruajnë kontrata me furnizuesin e fundit, e të cilat nuk e dinë se çfarë do të ndodhë pas 60 ditësh kur i kalon afati i furnizimit KEK-ut, si furnizuesi i fundit”, ka theksuar Bajrami.
PDK-ja do t’i kërkojë Themelores pezullimin e vendimit për dalje në treg të lirë të rrymës për biznese
Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri ka njoftuar se të martën partia e tij do t’i drejtohet Gjykatës Themelore në Prishtinë me kërkesë për pezullim të vendimit të Zyrës së Rregullatorit për energji (ZRRE) për daljen në treg të hapur të energjisë të bizneseve me mbi 50 punëtorë ose me mbi 10 milionë euro qarkullim në vit.
“Nesër do të procedojmë në Gjykatën Themelore të Prishtinës në mënyrë që ky vendim të pezullohet dhe që këto kompani të furnizohen me energji elektrike sic kanë bërë para daljes së treg të hapur”, është shprehur Tahiri, pas dështimit të konsituimit të Kuvendit të hënën.
Për bllokimin në Kuvend ai ka fajësuar Lëvizjen Vetëvendosje si parti fituese.
Dështon sërish konstituimi i Kuvendit
Ka dështuar edhe përpjekja e 36-të për konstituim të Kuvendit të Kosovës.
Qe 27 herë me radhë seanca po dështon te pika e njëjtë, që është formimi i komisionit për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit.
Ky komision ka dështuar të formohet në mungesë të votave.
Të hënën në sallë kanë qenë 99 deputetë, për formimin e komisionit kanë votuar 53 deputetë, kundër një dhe nuk ka pasur asnjë abstenim.
Sërish, përfaqësues të dy taborëve politikë përgjegjësinë për dështimin ia kanë hedhur njëri-tjetri.
Seanca konstituive ka filluar më 15 prill dhe nga atëherë deputetët janë mbledhur çdo 48-orë në përpjekje për të përmbyllur konstituimin e organit ligjvënës.
Seanca e radhës do të mbahet të mërkurën prej orës 11:00.
Basha: I kemi 57 deputetë që votojnë, pse vetëm 4 deputetë të opozitës s’janë pro konstituimit
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, ka thënë se përgjegjësia për konstituim të Kuvendit u takon të gjitha partive.
Ai për ngërçin ka fajësuar partitë që në legjislaturën e kaluar kanë qenë në opozitë.
“Po presim ndryshim qëndrimesh për shkak se është shumë i rëndësishëm konstiuimi i Kuvendit, është e paarsyeshme për secilin deputet që zgjohet, ndreqet edhe vije në Kuvend të Republikës edhe nuk ia lë shenjë, nuk voton as për, as kundër as nuk abstenon”
Ai ka thënë duhet së paku 4 deputetë të opozitës të marrin pjesë në votim për zgjedhjen kryesisë së Kuvendit, pasi sipas tij kjo përgjegjësi u takon të gjitha partive.
“Ata po thonë që përgjegjësia më e madhe na bie neve, ne i kemi 57 deputetë që votojnë, atëherë më tregoni pse vetëm 4 deputetë të opozitës nuk janë pro konstituimit të Kuvendit”, është shprehur Basha para nisjes së vazhdimit të 36-të të seancës konstituive.
Guri: Qasjen duhet ta ndërrojë LVV-ja, i takon përgjegjësia për krijimin e institucioneve
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Paris Guri, ka thënë se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, është shprehur se nuk ka interes për të gjetur zgjidhej për krijim të institucioneve.
“Nuk ka asnjë tentim për arsye që kryeministri është shprehur edhe publikisht që nuk ka interes nga populli që të zgjidhet kjo çështje. Përderisa ne këtu sot do të duhej të diskutonim për çështjen e dështimit me energji elektrike, ne duhet të mblidhemi dhe të diskutojmë a me votim të fshehtë a të hapur”, ka deklaruar Guri, para nisjes së vazhdimit të 36-të të seancës konstituive.
Ai ka thënë përgjegjësia për krijim të institucioneve i takon partisë së parë dhe se ajo duhet ta ndërrojë qasjen.
“Është gjendje shqetësuese dhe qasjen duhet ta ndërrojë i pari, për arsye se të parit i takon përgjegjësia për krijimin e institucioneve”, është shprehur Guri.
Arbëreshë Krasniqi: Liderët politikë të ulen e të arrijnë marrëveshje
Deputetja e Nismës Socialdemokrate, Arbëreshë Krasniqi, u ka bërë thirrje liderëve të partive politike të ulen e të arrijnë marrëveshje për ta konstituar Kuvendin e Kosovës.
Ajo ka thënë se kreu i Nismas, Fatmir Limaj, është i gatshëm të takohet me këdo që e fton dhe "nuk është larguar asnjëherë nga përgjegjësitë".
“Gjitha subjektet politike, përveç përgjegjësinë që e kanë për të kërkuar votë, është e rëndësishme që ta arsyetojnë besimin qytetar dhe atë votë që kanë marrë. Subjektet politike, duke nisur nga ai që ka dalë i pari e deri te Nisma, kemi përgjegjësi edhe për ngritjen e çmimeve, edhe për rrymën, kemi obligim për shëndetësinë e deri te librat që kanë me u shpërnda për nxënësit. Nisma po mundohet me të gjitha kapacitetet e saja për ta ndryshuar situatën. Liderët e kanë përgjegjësinë ta konstituojnë Kuvendin, të gjejnë gatishmëri e vullnet e të arrijnë marrëveshje që do të jenë në interes të gjithëve. Lideri Limaj e dini se asnjëherë nuk është larguar prej përgjegjësive”, tha Krasniqi.
Berisha: Duhet të lejohet debati parlamentar në seancën konstituive
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës(AAK), Bekë Berisha ka kërkuar lejimin e debatit në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës.
Duke hyrë në objektin e Kuvendit për përpjekjen e 36-të të konstituimit të legjislaturës së nëntë, Berisha tha se i ka humbur kuptimi vazhdimit të seancës pa arritur një zgjidhje.
Ai tha se duhet të shkelet rregullorja e Kuvendit dhe të mundësohet debati gjatë seancës konstituive dhe të bëhen përpjekje për gjetjen e një rrugëdalje nga kriza politike.
“Ka humbur kuptimi gjithçka. Ne jemi mbetur peng dhe po thirremi në ligj. Këtyre po iu themi po e shkelni Kushtetutën dhe jemi mbetur peng i një rregulli që nuk bën me marrë fjalën. Në parlamentarizëm duhet me fol dhe zgjidh problemet. Duhet me bërë përpjekje me prish një rregull dhe me nisë me komuniku. Forma si jemi ne se 35 herë se kush është për dhe me shku e me ardh pas 48 orëve me të vërtet i ka humbur kuptimi. Ndoshta pasi të provojnë me mirëkuptim prej të gjitha partive politike me u mbledh dhe me këqyrë sesi me pas rrugëdalje ndoshta edhe t’u e shkel një rregull”, tha ai./KP
Tahiri: Partia e parë po e vazhdon bllokimin
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka thënë se partia fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje, po vazhdon ta bllokojë konstituimin e Kuvendit.
“Partia e parë është duke bllokuar. E ka të drejtën për të bërë propozimin për kryeparlamentar, por s’ka shumicë. Kanë vendos me blloku situatën. Asnjë parti tjetër s’mund ta bllokojë, pos partisë së parë. Ne kemi hapur rrugë, siç ka thënë disa herë kryetari i partisë sonë, se janë disa figura që mund të votohen nga PDK-ja. Por, këtë rast Albin Kurti me partinë ka vendos me blloku situatën”, tha Tahiri para fillimit të seancës konstituive.
Tahiri ka thënë se “s’ka dyshim se Vetëvendosja do të jetë humbësja më e madhe e këtyre zgjedhjeve”.
“S’ka asnjë dyshim se humbësi më i madh i këtyre zgjedhjeve do të jetë LVV. Shihet qartë se më nuk kanë partner qeverisës, e duke i pasur parasysh edhe matjet e fundit të opinionit publik është partia që ka rënien më të madhe. Janë njerëz që nuk bashkëpunojnë në të mirën e qytetarëve e të interesave të tyre. Gjitha partitë tjera kanë dhënë mundësitë e hapat për ta zhbllokuar situatën”, tha Tahiri.