Ka dështuar për herë të katërt konstitituimi i Kuvendit të Kosovës. Me të nisur vazhdimi kryesuesi Avni Dehari e ka ftuar Vetëvendosjen që të propozojë emrin për kryetar të Kuvendit. Deputeti i Vetëvendosjes Gluk Konjufca, ka thënë se ata e kanë emrin e njëjtë, Albulena Haxhiun, dhe ka theksuar se meqë partitë e tjera janë deklaruar kundër votimit të saj, duhet kohë shtesë për konsultime. Pas kësaj Dehari ka thënë se seanca do të vazhdojë të mërkurën.
Haradinaj: Jemi të hapur nëse partitë e tjera gjejnë rrugë për konstituim të Kuvendit
Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj, ka deklaruar se partia që ai drejton është e hapur nëse edhe partitë e tjera dëshirojnë të gjejnë rrugë për konstituimin e Kuvendit që ta votojnë kryeparlamentarin, nëse ndryshohet emri i propozuar nga LVV-ja.
Albulena Haxhiu ka dështuar dy herë të merr votat e mjaftueshme për kryetare dhe Glauk Konjufca sot nuk e hodhi si propozim në vazhdimin e katërt të seancës për konstituimin e legjislativit të nëntë, duke thënë se situata e krijuar kërkon marrëveshje politike.
“Edhe në të kaluarën ka pasur negocim për kryeparlamentar. Nëse duhet vota e opozitës që ka ndodhur për të bashëkvotuar gjithë parlamenti për kryetarin, ka logjikë për të diskutuar me opozitën edhe kandidati. Një kandidat më koncensual se Haxhiu. Ne kemi dhënë disa mendime, po të ishte ndonjë kandidat tjetër për ta votuar. Jemi të hapur nëse opozita dhe partitë tjera dëshirojmë të gjejnë një rrugë për të kaluar përtej konstituimit të Kuvendit që të fillojë koha për qeverinë, edhe ne si Aleancë jemi të hapur”, ka thënë Haradinaj pas mbledhjes së Kuvendit.
Cakolli: Po futemi në krizë shumë serioze kushtetuese e politike
Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), në një prononcim për media, ka thënë se sjellja e Lëvizjes Vetëvendosje përbën shkelje të qartë të procedurës parlamentare dhe e cilësoi veprimin si tentim për blerje të kohës dhe për të vënë opozitën në pozitë të vështirë politike.
“Për dallim prej seancës së pardjeshme kur kishim vendim të Kuvendit për të mos e votuar znj. Haxhiu, kësja here përkundër deklarimit të z. Konjufca si përfaqësues i Vetëvendosjes, nuk u konsumua fare procedura që përbën shkelje të obligimit që ka Vetëvendosja për të propozuar kandidatin dhe që propozimi materializohet si i tillë vetëm kur vendoset me procedurë votimi dhe jo kur përmendet emri në foltore...Unë besoj se është më shumë përpjekje për të blerë kohë dhe për t’i vendosur partitë opozitare në një lloj presioni politik. Jemi duke u futur në një krizë shumë serioze kushtetuese dhe politike”, tha Cakolli, raporton “Ekonomia Online”.
Ai ka thënë se situata aktuale, pasi nuk ka përcaktim kohor, mund të vazhdojë pafundësisht.
Cakolli ka thënë se zgjidhja e vetme që të shkohet në zgjedhje të reja është të zgjidhet kryekuvendari.
E Albert Krasniqi nga Demokraci Plus në një postim në Facebook e ka quajtur “arbitrar” vendimin e udhëheqësit të seancës konstituive, deputetit nga radhët e Vetëvendosjes, Avni Dehari, për të shtyrë seancën për të mërkurën.
“Kryesuesi i seancës konstituive veproi në mënyrë arbitrare dhe në kundërshtim me obligimet kushtetuese duke e ndërprerë seancën pa lejuar zhvillimin e votimit”, shkroi Krasniqi në një postim në Facebook. “Votimi i deputetëve nuk mund të paragjykohet mbi bazën e deklarimeve në media”, shkruan Krasniqi.
Mosvazhdimin e seancës Krasniqi e quajti përpjekje të “qëllimtë për të bllokuar konstituimin e Kuvendit”.
Limaj: Shpresoj që nga sot të jepet shansi për formim të institucioneve
Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, ka deklaruar se shpreson që nga sot do të bëhen përpjekjet për t’u afruar që të krijohen institucionet.
Ai ka deklaruar se duhet të gjendet rrugëdalje nga ky proces, teksa shtoi se qëndrimet e fundit “ishin korrekte”.
“Duhet gjetur një rrugë për të ecur tutje. Besoj se ishte qëndrim korrekt. Në fund të fundit, kjo është mënyra e funksionimit. Kosova duhet t’i ketë institucionet. Shpresoj nga sot të bëhen përpjekje për t’u afruar dhe të jepet shansi për formimin e institucioneve”, ka deklaruar Limaj.
Ai nuk iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve kur u pyet se cila është rruga për dalje nga kjo bllokadë e krijuar në Kuvend.
Kusari-Lila thotë se zgjedhjet e reja po shihen si zgjidhje
Deputetja nga radhët e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se në situatën aktuale e duke marrë parasysh deklarimet aktuale, zgjidhja më e afërt e më e pranueshme po duket shkuarja në zgjedhje të reja.
“Me këtë situatë, mënyra se si po barrikadohen grupet parlamentare tjera, vërtetë duhet të dakordohemi për një temë tjetër. Të thërrasim grupet parlamentare, ta konstituojmë Kuvendin dhe të dakordohemi me 80 vota pro ta shpërndajmë Kuvendin e të shkojmë në zgjedhje të reja. Rrethana aktuale e deklarimet aktuale duket se është zgjedhja më e afërt dhe më e pranueshme”, ka thënë Kusari-Lila.
Ajo ka thënë se edhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka nisur me propozimin e datave për zgjedhje të reja.
Kusari-Lila ka thënë se gjitha grupet duhte të votojnë për zgjedhjen e propozimit për kryetar të Kuvendit nga grupi më i madh parlamentar.
“Në situatën aktuale, siç po deklarohen grupet tjera parlamentare politike të opozitës së deritashme, i bie menjëherë pasi të arrijmë një shumicë prej 61 votave, të mos i votojmë nënkryetarët, që po ashtu duhet zgjedhur me 61 vota”, tha Kusari-Lila.
Ajo ka thënë se nuk është proceduar tutje me shkuarje në votim për kandidaten e VV-së për kryekuvendare, Albulena Haxhiun, duke marrë parasysh deklarimet e grupeve parlamentare për mënyrën e votimit.
Kusari-Lila ka hedhur poshtë pretendimet nga grupet parlamentare të opozitës së deritashme se Vetëvendosja e ka “uzurpuar Kuvendin”.
Ajo ka thënë se grupet tjera nuk mund t’ia përcaktojnë Vetëvendosjes se kë të propozojë për kryekuvendar.
“Nëse ashtu atëherë edhe ne po ua propozojmë të të propozojnë për nënkryetarë. U themi s’na pëlqen ky nënkryetar. LDK-ja ka deklaruar se për nënkryetar do ta propozojë Kujtim Shalën, u themi s’po na pëlqen më mirë propozoni Paris Gurin, është më i ri. Është absurde”, ka thënë Kusari-Lila.
Ajo ka thënë se ky ngërç duhet kaluar me diskutime.
“Kështu si jemi, me këto qëndrime, ju betohem se mund të shkojë deri në dy vjet. Nuk ka asnjë rregull që e përcakton se kur të ndalemi me 48-orësha. Janë dy procese të ndara konstituimi i Kuvendit dhe ai i Qeverisë”, ka thënë Kusari-Lila.
Ajo ka thënë se duhet sa më parë të konstituohet Kuvendi.
Tha se nëse Vetëvendosje arrin të mbledhë 61 vota për kryeparlamentare, atëherë do të mund të kërkojë të votohen ndaras nënkryetarët e jo pako si ka shkuar deri më tash.
“Të shohim pastaj si arrijnë të bëjnë 61 vota nënkryetarët nga grupet tjera”, tha ajo.
Deputetja Donika Gërvalla ka deklaruar në Facebook se të mërkurën do të jetë shansi i radhës për të hequr dorë nga bllokadat fëmijërore dhe për të vazhduar me konstituimin e Kuvendit. Ajo ka shtuar se kryetari i Kuvendit propozohet vetëm nga koalicioni fituesi e nga askush tjetër.
Ajo i akuzoi partitë e tjera se po e bllokojnë Kuvendin.
“Një gjë është e qartë: Kryetarin e Kuvendit e propozon koalicioni fitues, askush tjetër. Në rastin konkret, zgjedhjet i ka fituar koalicioni LVV/GUXO/Alternativa, i cili ka fituar më shumë vota se numri dy dhe tre së bashku. Partia dy dhe tre ka të drejtë të propozojë nga një nënkryetar, sipas përzgjedhjes dhe preferencës së tyre. Institucionalista, ku jeni? Si ia shpjegoni votuesit tuaj këtë bllokim të pakuptimtë dhe të papranueshëm të institucioneve? Meqë thoni që nuk i paskemi numrat për formim të qeverisë, pse nuk silleni institucionalisht dhe nuk mundësoni kalimin deri në atë pikë? Apo jeni ende të zënë me diskutimet se kush kujt ia vodhi votat me postë?”, ka shkruar ajo.
Bajrami: Ne s’po kërkojmë emër tjetër nga VV-ja për kandidat për kryeparlamentar
Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Hykmete Bajrami, ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje po kërkojnë nga të gjithë deputetët në Kuvend të votojnë pro kandidates së tyre për kryetare të Kuvendit.
Ajo ka thënë pas dështimit të katërt në seancën konstituive se LDK-ja “nuk po kërkon asnjë emër tjetër për kandidat për kryeparlamentar nga kjo parti”.
“Bllokuesit e vërtetë janë Vetëvendosje. Ata duhet të ulen me partitë. Ne nuk jemi ata që kërkojmë emër tjetër, ata mund të propozojnë si parti fituese një emër nga një grup tjetër dhe pastaj ulemi e shohim si do të votojnë”, ka thënë Bajrami.
Ajo shtoi se kërkesa e VV-së për kohë shtesë “nuk është vullnet për marrëveshje politike”.
VIDEO:
Murati i LVV-së fajëson partitë e tjera për taktika bllokuese në konstituimin e Kuvendit
Deputeti i LVV-së, Hekuran Murati, ka thënë se subjektet që deri më tani kanë qenë në opozitë po vazhdojnë siç ka theksuar, taktikat bllokuese në konstituimin e Kuvendit.
“Kushtetuta është mjaft e qartë, ajo thotë që është e drejtë e partisë fituese që ta propozojë kandidatin për kryetar të Kuvendit, ndërsa për dallim prej mënyrës se si formohet Qeveria ku partia fituese duhet të sigurojë edhe shumicën, te votimi për kryetarin dhe nënkryetarët e Kuvendit kemi edhe interpretimin ku kërkohet që të gjithë deputetët të marrin pjesë në votim”, është shkrehur Murati.
Sipas tij është detyrë e të gjitha partive parlamentare që të votojnë për konstitutimin e Kuvendit.
Deklarata e plotë:
Krasniqi: Haxhiu është simbol i dështimit të Qeverisë, të ndryshohet kandidati
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje duhet ta ndryshojë propozimin për kryetar të Parlamentit.
Ai e ka cilësuar Haxhiun si simbol të dështimit të Qeverisë së shkuar, andaj sipas tij, nuk duhet që të imponohet emri i saj, por të propozohet një nga 47 deputetët tjerë.
“Koalicioni LVV-GUXO-Alternativa e ka të drejtën ta propozojë kryetarin, por jo ta imponojë, sepse nuk mundet që me çdo kusht të vendosë për këdo që e propozon. Sot përsëri po e shihni që po e vazhdojnë bllokadën e krijimit të institucioneve. Në vend se të kërkonin një kandidat apo kandidate tjetër, kandidatja që ka dështuar disa herë radhazi, dështoi edhe sot e besoj edhe pasnesër, nuk mund të jetë më e rëndësishme sesa krijimi i institucioneve. Andaj rrugëdalja është e qartë, Lëvizja Vetëvendosje duhet ta zgjedhë një kandidat tjetër dhe mos ta lënë peng Kuvendin e Kosovës, por edhe Qeverinë e ardhshme, për çfarëdo teke. Kandidatja Haxhiu nuk do ta këtë mbështetjen tonë në asnjë rrethanë dhe në asnjë moment, ajo është simbol i dështimit të kësaj qeverie në katërvjeçarin e kaluar, krejt mandatin e ka pasur të përcjellë me skandale të ndryshme, prej zhdukjes së mostrave të Deharit, e deri te ulja e buxhetit për mbrojtjen e çlirimtarëve në Hagë”, ka thënë ai pas dështimit të seancës për konstituim të Kuvendit.
Krasniqi ka shtuar se nëse nuk arrihet të votohet propozimi për kryeparlamentar, vendi duhet të shkojë në zgjedhje.
Ai tutje ka thënë se në asnjë formë, PDK-ja nuk do të bëjë marrëveshje me LVV-në.
VIDEO:
Dështon sërish konstituimi i Kuvendit
Ka dështuar për herë të katërt konstitituimi i Kuvendit të Kosovës.
Me të nisur vazhdimi kryesuesi Avni Dehari e ka ftuar Vetëvendosjen që të propozojë emrin për kryetar të Kuvendit.
Deputeti i Vetëvendosjes Gluk Konjufca, ka thënë se ata e kanë emrin e njëjtë, Albulena Haxhiun, dhe ka theksuar se meqë partitë e tjera janë deklaruar kundër votimit të saj, duhet kohë shtesë për konsultime.
“VV, padyshim e ka emrin e njëjtë, Albulena Haxhiu si e propozuar. Ne meqenëse e kemi parë që të gjitha subjektet politike qysh dje kishin paralajmëruar se do të kenë qëndrimin e njëjtë, mendoj se në këtë situatë politike nuk mund të zgjidhet përveç se me një marrëveshje politike...Pa krijimin e një mazhorance këtu në Kuvend për kryetarin e Kuvendit nuk do të mund të themelohet vetë Kuvendi. E njëjta logjikë është edhe për nënkryetarë... Atëherë ne zoti kryesues kërkojmë një kohë shtesë që të mos përsëritet situata e njëjtë që e patëm tri herë radhazi në Kuvend”, ka theskuar Konjufca.
Pas kësaj Dehari ka thënë se seanca do të vazhdojë të mërkurën.
Murati: Opozita u detyrua në fund ta votojë unanimisht konfirmimin e mandateve, ngjashëm e kemi situatën tani
Lëvizja Vetëvendosje pritet ta kandidojë sërish të hënën Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit, për herë të tretë pas dy dështimeve në seancën e kaluar.
Derisa opozita ka hedhur poshtë mundësinë e votimit të Albulena Haxhiut, deputeti i LVV-së Hekuran Murati tha se po presin që opozita ta zhbllokojë Kuvendin dhe ta votojnë kryeparlamentaren.
“Ajo çka duhet të kuptojnë edhe subjektet opozitare që janë në Kuvend, është se, sipas Kushtetutës, interpretimeve nga Gjykata Kushtetuese, e drejta për të propozuar dhe pasur pozitën e kryekuvendarit i takon ekskluzivisht partisë fituese. Ne po presim ngjashëm si rasti i mëhershëm i bllokadës së Kuvendit për raportin e konfirmimit të mandateve edhe që në fund pastaj opozita u pajtua me qëndrimin tonë dhe u detyruan ta votojnë unanimisht, ngjashëm e kemi dhe situatën tani. Ka një mospajtim mes partive opozitare me rezultatin zgjedhor”, ka thënë Murati, raportoi KSP.
Haradinaj: AAK-ja voton nëse Selimi ose Bogujevci propozohen për kryeparlamentare
Deputeti i AAK-së Daut Haradinaj ka thënë se nëse deputetet Shqipe Selimi ose Saranda Bogujevci propozohen për kryetare të Kuvendit nga Lëvizja Vetëvendosje, atëherë AAK-ja do t’i votojë.
“Po presim se çfarë vendimi do të marrë partia që ka marrë mandatin kushtetues. Nëse vazhdojmë seancën si herën e kaluar, atëherë vota jonë do të jetë kundër. Ne kemi bërë publikë : dy emrat të cilët do të votojmë “, ka thënë Haradinaj.
Ai këto deklarime i ka bërë teksa ka hyrë në objektin e Kuvendit ku do të mbahet vazhdimi i seancës konstituive./EO
Krasniqi: Nëse s’mund t’i bëjnë votat për kryeparlamentarin, të shqyrtohen opsionet tjera
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka deklaruar se për ta zgjedhur kryetarin e Kuvendit, përgjegjësia i takon atij që e propozon.
Ai ka thënë se nëse nuk arrihet që të votohet për të, duhet shqyrtuar edhe opsionet tjera që parashihen me Kushtetutë.
“Edhe sot ne jemi këtu për ta mundësuar konstituimin e Kuvendit dhe për të ecur përpara, normalisht që për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit është përgjegjësia e atij që e propozon dhe besoj se edhe atyre u takon që t’i bëjnë votat nëse munden. Nëse jo, mendoj se duhet menduar edhe për opsione të tjera, të cilat parashihen me Kushtetutë”, ka thënë Krasniqi teksa po hynte në Kuvend, ku pritet të fillojë seanca konstituive.
I pyetur nga gazetarët nëse janë opsion zgjedhjet, ai shkurtimisht u përgjigj: “gjithmonë”.
Limaj: Kosova do t’i fitojë institucionet e veta
Kryetari i Nismës Socialdemokrate nuk ka folur lidhur me diskutimet për arritjen e një marrëveshje me Lëvizjen Vetëvendosje.
Ai nuk është ndalur që të komentojë para gazetarëve, por vetëm ka thënë shkurt se “Kosova do t’i fitojë institucionet e saj”.
Këto deklarime ai i ka bërë teksa ka arritur në Kuvend, ku pritet të mbahet vazhdimi i katër i seancës konstituive të Kuvendit.
Abdixhiku: Do të votojmë kundër Haxhiut
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Lumir Abdixhiku, ka thënë se nuk do ta votojnë kandidaturën e Vetëvendosjes, deputeten Albulena Haxhiu, për pozitën e kryetare të Kuvendit.
Ai e ka përsëritur qëndrimin se do të votojnë kundër, ashtu si herët e kaluara.
Nga 61 vota sa nevojiten, të shtunën pro zgjedhjes së Haxhiut në këtë detyrë kanë votuar 57 deputetë, 48 të LVV-së dhe 9 të komuniteteve.
Kundër kanë votuar 20 deputetët e LDK-së, ndërsa kanë abstenuar 3 deputetët e Nismës.
Ndërkaq në votim nuk kanë marrë pjesë deputetët e PDK-së, ata të Listës Serbe, Duda Balje dhe Adem Hoxha.
Rexhaj i LVV-së: Jemi në diskutime me Nismën për arritje të marrëveshjes
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Arbër Rexhaj ka thënë se janë në diskutime me Nismën Socialdemokrate për të arritur një marrëveshje për zgjedhje të kryetarit të Kuvendit dhe votim të Qeverisë.
Në një deklarim për media para fillimit të seancës ai ka thënë se deputetja Albulena Haxhiu do të jetë sërish kandidate për kryetare të Kuvendit dhe se nuk do të propozojnë një emër tjetër.
Rexhaj ka thënë se nuk e di se cilat janë kushtet që i ka vendosu Nisma dhe se pas pak do të kenë një mbledhje të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje.